Suplementi Pena Shqiptare/ Vangjush Saro: Përgjegjësi i ceremonive

129
Sigal

Përpiqet të shpjegohet: për Bredhin dhe për emrin e tij

(Fragment nga romani në proces “Pema e Krishtlindjes”/ Titull i përkohshëm)

  1. Miri, Përgjegjësi i Ceremonive të Bashkisë, dukej mjaft i lodhur. Por sapo që kishte hequr qafe dy punonjësit e tij gojëshqyer, iu shfaq përpara syve, si një vuajtje edhe më e madhe, ajo gazetarja që kishte qenë Miss. Bosi, siç i pëlqente t’i thoshin vartësit, i kishte pak frikë gazetarët. Qyteza pat qenë disa herë viktimë e tyre. Ata i zmadhonin të gjitha: vjedhjet, vrasjet, veset (e drejtuesve të Bashkisë). Kurse kjo vajza, Idlira Mati, i dukej disi ndryshe dhe ai… jo se e kishte frikë, jo jo, por i druhej fort. Përgjegjësi i Ceremonive nuk e kuptonte dot pse-në… ngaqë ishte aq e gjatë dhe atij, që ishte pak i shkurtër, i duhej të zgjaste disi qafën kur i fliste; apo ngaqë ishte e bukur dhe të tralliste; ndoshta sepse qasej në bisedë pa asnjëlloj poze dhe i gjente fjalët me një lehtësi të habitshme. -Hë, z. Ermiri, në ç’fazë janë punimet për vendosjen e Pemës së Krishtlindjes? – po pyeste vajza duke u afruar. -Miri – e korrigjoi ai; dhe pastaj shpjegoi se pema sapo ishte sjellë në shesh… -Pra, ajo shpejt do të ngrihet? – deshi të sigurohej Idlira Mati.

-Çfarë do të ngrihet? -Po pema, o z. Armiri… Me sa dukej, gazetarja ishte fiksuar te një emër më i plotë. Ai u mat t’ia kujtonte asaj sërish emrin e tij të shkurtër. Por Mati, që ishte shpuzë në çdo çast e në gjithçka, i drejtoi sakaq pyetjen tjetër: -Kjo është një ngjarje për qytezën tuaj, shef Emiri, apo jo? -Miri, Miri – korrigjonte tjetri me këmbëngulje; dhe s’e kishte mendjen fare të pyetjet e gazetares. I dukej sikur tjetra po tallej. A thua ajo e kishte kuptuar, se si rrëfeheshin përrallat në këtë cep të botës? Se  pat rënë fjala edhe për urën që kishte rënë. Atje tej, kishin mbetur vetëm copërat e mjera të saj. Dy vartësit e tij u qasën sërish. Dhe po përpiqeshin të ndiqnin bisedën e bosit të tyre me gazetaren. Në rrethina, gjithnjë njerëzit u afrohen gazetarëve, politikanëve, miss-eve, sportistëve, të ardhurve në përgjithësi; duan vëmendje, kanë prirjen të hyjnë në debat, shprehin ndonjë vullnet politik, lëshojnë kunja, përpiqen të bëjnë ndonjë foto me VIP-at. Por kjo vajzë ishte krejt ndryshe; edhe pse dukej aq miqësore, i mbante larg të tjerët. Vetëm operatori i TV mund t’i afrohej; dhe ai djali që priste te bari të dorëzonte atë pakon enigmatike. Ajo ishte parë disa herë në shoqërinë e tij.

Përgjegjësi i Ceremonive, gjithnjë si i trembur, i përcolli vartësit e tij tuafë, duke i këshilluar ata të thyenin qafën andej nga sheshi e të zinin me dorë ndonjë punë. Punonjësi i Vjetër u ankua sakaq që gropa nuk hapej me dorë, kush ia kishte kërkuar; sot po dukeshin të gjithë pak dejshëm. Sidoqoftë, stresi i vërtetë ishte kjo femër e hijshme që e trazonte gjithçka përreth.

-Ne do bëjmë më të mirën, – e siguroi atë Përgjegjësi, gjithnjë duke e vështruar nga poshtë lart.

-Ok, ta presim… – i foli Idlira Mati operatorit. -Jo jo, e kemi prerë – shpjegoi prapë Përgjegjësi i Ceremonive i Bashkisë, krejt i çoroditur. – Pema është në shesh, tash do vendojmë si do të vendoset, në sipërfaqe apo në gropë; pastaj do ta fiksojmë dhe do ta zbukurojmë… Tenderi për zbukurimet është zhvilluar. Tani, siç më thanë, përfundon edhe tenderi i ndriçimit… -Aha! -Po po, janë bërë shkresat. -E kuptova, z. Demiri. -Miri, Miri…  Ishte e qartë që ajo po e ngacmonte, në mos po tallej; dhe nuk merrej vesh pse. Mbase ishte në dijeni të ndonjë afere tjetër aty pari…

-Te sheshi! – u bërtiti ai vartësve gjithë buba. -Siudhëron z. Miri! Ndërkaq, për fat, edhe koha po merrte për mirë…