Suplementi Pena Shqiptare/ Vangjush Saro: Ka ardhur koha të respektojmë tregun

171
Sigal

Përtej kësaj të vërtete, shejtanët që pillen çdo ditë nga snobizmi e grafomania tallen me artin

 E di që kjo është ndër temat e fundit ku mund të qaset çdo qytetar në përballje me jetën dhe në kushtet e vështirësive të gjithanshme e pamjeve rënduese të kohës; por është po kaq e vërtetë që interesat kombinohen dhe gjejnë përherë njëlloj ekuilibri. Pra, si i bëhet edhe me artin, me leximin; çfarë po ndodh? Në këtë temë, ka qasje nga më të ndryshmet; disa krijues janë indiferentë, të tjerë qahen pareshtur për situatën. (Me fjalën “krijues” përgjithësisht kuptoj jo dokëdo, por individualitete të kësaj fushe.)  Problemi i të lexuarit është aq i gjerë e me telashe, sa që më mirë të mos merresh me të. Por ani, ndonjë I-je i duhet vënë pika. Mendoj se një nga pistat ku e vlen të qëndrojmë sot, është tregu; pra, shitja e librit apo e një pune artistike, ndjekja e një pjese dramatike a koncerti, etj. S’është me doemos treguesi kryesor i vlerës apo suksesit; por mbetet e vërteta kryesore, krahas interesit të mendimit kritik dhe vëmendjes së institucioneve të specializuar. Përtej kësaj e pa këtë, realiteti tkurret, konfuzohet, në mos fyhet, ka vetëm fjalë, mburrje pa sens dhe vanitet, u lihet hapësira shejtanëve që pillen çdo ditë nga snobizmi dhe grafomania. Ku jemi ne? Në media e disa blogje shqiptare që denjojnë të tregojnë diçka, librat që përmenden si më të shiturit janë kryesisht (në mos tërësisht) nga letërsia e huaj, shpesh asi që s’kanë lidhje me letërsinë, madje ndonjëherë as me librin në kuptimin më klasik të fjalës. Kam parë me kujdes një sërë shpalosje në këtë temë për vitet 2020-2021 dhe realiteti është ky: Nuk ka asnjë statistikë serioze (!) Duke përjashtuar ndonjë emër tejet të njohur, si dhe ndonjë libër që ka bërë njëfarë jehone edhe jashtë vendit – nga të fundit përpjekje për të rrëfyer Shqipërinë  e diktaturës për ata që ende kanë kuriozitet – ndërkohë që një pjesë të suksesit mbase duhet t’ia kenë për nder atij që e kërdisin me të shara – informacioni tjetër nuk sjell asgjë të re ndryshe. Dhe kjo është një fatkeqësi e madhe për letërsinë dhe kulturën shqiptare; por edhe një hile e stërkeqe. Asnjë agjenci, asnjë shtëpi botuese, madje edhe vetë autorët (me përjashtime të rralla) nuk tregojnë farë gjëje në lidhje me shitjet. Të vjen të ngresh zërin: Mjaft më me gënjeshtra! Ngatërrohet publiciteti me shitjet në treg. Agjencitë, mediat, individët që flasin për aksh titull e autor, që i japin atij apo asaj edhe çmim, përpara këtyre ndereve të dyshimta, duhet të zbërthejnë gojën e të na thonë sa libra i janë shitur shkrimtarit të lëvduar anësisht… Janë ca njerëz që dinë të zënë shtigjet e duhura edhe e kanë privatizuar gjithçka, edhe pse nuk i lexon e nuk i ble askush. Ka ardhur koha të ndryshojmë mentalitet e praktika; që do të thotë se duhet të respektojmë më shumë tregun. Nuk shtyhet gjatë me opinione të dejshme miqësish të sëmura, me klane institucionesh e shtëpish botuese që bëjën pazare në të gjitha aspektet, me qasje pedagogësh a zyrtarësh që s’i njeh kurrkush për vete. Është koha që ky ngërç të kapërcehet e kjo përvojë të hidhet poshtë, në mënyrë që t’i hapet rrugë vlerësimit real dhe CV-ve serioze të autorëve më të shitur e më të lexuar, aq sa janë të tillë…  Një pjesë e pamjes (aspak bindëse) janë vetë lexuesit e spektatorët. Grahma e mosleximit dhe mosndjekjes së shfaqjeve a koncerteve serioze dhe, nga ana tjetër, shtirja si “të vdekur” për kulturë, janë dy gjëra që nuk shkojnë. Nuk ke si të ndjehesh mirë kur, bie fjala, të njohur a miq që ofrohen sikur lexojnë e sikur kanë interesa kulturore, nuk nxjerrin nga karta (se tani s’përdoret më kuleta) as pesë dollarë, për të ndjekur një koncert a për të porositur një libër. Është njëlloj snobizmi e nënvleftësimi që, nuk di, vjen nga koha që po jetojmë, nga edukimi i mangët apo thjesht është një mospërputhje me pritshmëritë; sidoqoftë është një mjerim. Ndërkaq, oferta e hapur dhe e pamatë e rrjeteve (veças Fb) ka bërë që një shumicë të mjaftohen me lexime e hire virtuale: këtu rëndom ngatërrohen arti me vaskën, amatorët me profesionistët, ata që shkruajnë pa kurrfarë gjetjeje dhe me rima foljore e gabime gjithfarë, me qasjet realisht e vërtetësisht letrare. Dhe kjo dukuri po ndërron kuptimin dhe shijet e kësaj bote me fjalë, tinguj a ngjyra.  Mbase, në thelb, treguesi i shitjes së librave dhe i ndjekjes së artit në përgjithësi, mbetet një problem vetjak, i çdo autori e lexuesi. Por statistika i kapërcen kufijtë e interesimit vetjak kur vjen fjala për institucionet; këto duhet të ndërrojnë fokusin. Çmimet, vlerësimet, projektet, nuk di ç’tjetër sajohet për të nderuar dikë, lipset të kenë njëlloj pikëtakimi me tregun, përndryshe kemi qenë dhe mbetemi në rrenë.