Suplementi Pena Shqiptare/ Vullnet Mato: Balada e grave, që u bënë zogj

32
Sigal

Kjo baladë drithëruese, me njëqind vaje bilbilash,

për ju, njëqind nëna, nuse e virgjëresha suljote,

vjen nga humnera e Zalogut, me tinguj klithmash,

ku jehona e sqepave të zogjve, ushton ndër mote…

Për ju, që me zogjtë e gjirit, në pelena engjëllore…

fluturuat nga shkrepi shkëmbor, në honin vdekëtar.

Duke ruajtur nderin e fustane-bardhave arbërore,

për të mos rënë, në duart e halldupëve gjakatar…

Kur duke mposhtur ndjenjën e frikës, nga humnera,

ju u lidhët me njëra-tjetrën zinxhir, dorë për dore,

siç lidhen zogjtë, gjatë shtegtimit, në të tjera dhera,

dhe hodhët çamërisht, një valle të bukur popullore.

Hodhët vallen e vdekjes, buzë greminës mortore,

derisa humnera u ndali në fyt, klithmat rrëqethëse.

Kur çatajtë e ujqërve, po shqyenin cicërimat foshnjore,

fluturuat si tufë zogjsh, në pavdekësinë e përjetshme.

Ju, antiteza femërore të ndritshme, të aktit vajtimtar,

jeni shembull nderi, për semaforët ku tregtohet trupi,

nga femrat fatkeqe, të çliruara prej kanunit mesjetar,

që shesin nderin, për pak monedha, me njolla turpi…

Historia juaj ka mbetur përjetësisht, në kujtesën njerëzore,

gdhendur me shkronja të arta, në historinë e përbotshme,

për atë lloj vetëflijimi, nga më heroiket e gjinisë femërore,

për të ruajtur nderin dhe lirinë, o gra faqebardha suljote!…

 

 

Një shpirt e zemër ndryshe

 

Kam një zemër, që më regëtin,

për mjeranët, në varfëri të heshtur.

Kam një shpirt, që më fëshfërin,

të them të vërtetat, pa u stepur.

Kam një zemër, që ngurtësohet,

kur petale lulesh, ruspa shkulmon!

Kam një shpirt, që më thërrmohet,

kur lulishtet shndërrohen, në beton.

Kam një shpirt që dimëron në verë,

kur lotojnë sytë, e gruas së dhunuar.

Kam një zemër, që nderon kurdoherë,

besnikërinë martesore, të premtuar.

Kam një shpirt dhe zemër ndryshe,

kur disa zyrtarë e biznesmenë përqark,

hanë e dëfrehen, nëpër qejfe dyfishe,

dhe pleqtë për ilaçe, hanë bukën thatë.

Kam një zemër, që më pikon maraz,

kur shoh fëmijë, pa kafshatë në gojë.

Kam një shpirt të ndrydhur në kafaz,

ku të uriturit, s’kam mese t’i ndihmoj.

Kam një zemër, që mbi gjoks më hidhet,

kur vajzat, me të shkurtra, gazmojnë.

Kam një shpirt, që ngazëllon nga hiret,

kur gratë e gëzuara, mjedisin zbukurojnë…