“Ndjesa ”
Në shungullimën e një stuhie,
një druri të vetmuar në korije
i ra Rrufeja dhe në flakë e treti;
kështu që gjysma e trupit të tij,
nuk po e njihte
nga gjysma tjetër ç’mbeti.
E ndërsa iku të çlodhej në tokë,
Rrufeja s’harroi të kërkonte ‘ndjesë’:
“Të paskam lënduar pakëz, shoku.
E prisha, për besë,
s’të lajmërova dot;
e kisha me ngut, për atë Zot.”
Dilema e Bletës
Këtej u shtuan plehrat ca si shumë;
andej, më thonë, ka filluar diga…
Një Zot e di se ku do kullos unë,
sepse kanë ardhur bash kohë të liga!
Të hidhem ta provoj dhe më përtej?
Plastmasi ka ndërtuar mbretëri,
kanoçet vepra arti ndër lumenj.
Po iki…
Ku do mbytem, nuk e di…
Maçoku dhe Kanarina
Maçoku kacaviret në parvaz
dhe bëhet dysh
me thonj edhe me bisht.
T ë hapë pakëz derën e kafazit,
ku Kanarina frikën po gëlltit.
Dhe ngaqë krejt mundimi
i shkon kot,
ia kthen me fjalë të ëmbla horri:
“Dil moj, në liri, të lozim tok,
në verandë a jashtë, tek oborri!”
Thotë gjithë e trembur Kanarina:
“Falemnderit,
por bash këtë mbrëmje,
e di mirë se ku është liria:
larg prej thonjve edhe gojës tënde…”