Suplementi Pena Shqiptare/ Vangjus Saro: (Jo vetëm) HUMOR

167

‘Letërsi, çmime dhe pak arithmetikë

Sigal

 

Meqë edhe në fushë të letrave jemi nisur për ndonjë Gines, unë propozoj që çdo qytet e komunë, çdo qendër në diasporë gjithashtu, por edhe shoqatat e blogjet, madje edhe individët, të japin çmime letrare… Në çdo rast – në konkurse, mbledhje, promovime ose kur dikush hedh ndonjë gotë, etj. – të jepen më e pakta nga tre çmime.

Le të bëjmë ca llogaritje… E zëmë se kemi 32 qytete, 320 komuna dhe… së paku 100 qendra të rëndësishme në diasporë, përfshi blogje, shoqata e klube, ku gëlon ‘letërsia’ dhe mezi presin njerëzia e shkruesëria të marrin çmimet. Këto mund të jenë si më poshtë: 32 qytete herë 3 çmime, bëjnë 96 çmime. Vazhdojmë: 320 komuna herë 3 çmime baraz 960 çmime. 100 qendra të rëndësishme në diasporë, blogje, etj. herë 3 çmime secila, 300 çmime. Pra kemi gjithsej një mijë e…

Durim veç, se këto janë për një vit. Nëse ritmet nuk dobësohen, le të themi për së paku 4 vjet do të kishim: 96 herë 4 baraz 384 çmime për letrarët e qyteteve, pastaj 3.840 çmime për ata të komunave dhe më tutje… 1.200 çmime për shkruesit e shumtë në diasporë. Tani, për 10 vjet…

Nuk po më ndiqni, mo? Po ç’kini o, ç’kini që mërziteni? E doni Ginesin apo jo? Ku e lamë? 10 vjet… Prisni! 32 qytete plus 320 komuna plus 100 qendra në diasporë, blogje, shoqata, klube e më the -të thashë, shumëzuar për 3… Pastaj për 10… Edhe pak durim! Nuk kam filluar ende me përcaktimin e çmimeve. Nëse këtyre do t’u shtohen dhe diplomat, 32 plus 320, jo tani ato bëhen 640, shto edhe 100, ashtu 200… për 10 vjet… Apo e lëmë për 20? Ju zuri gjumi, mo?