Gëzim Llojdia: Noli,si e mësoi kaq mirë gjuhën shqipe, kur në Shqipëri qëndroi vetëm 4 vjet?        

193
Sigal

 

 

1.Nonda Bulka   shkrimtari i njohur i viteve ;30 , në vitin 1966 , në një shkrim te javorja letrare :”Drita”, hedh dritë për disa anë të njohura apo të panjohura të Fan Nolit. Shkrimtari N.Bulka ngre një pyetje më të drejtë. Ky politikan, prift, muzikolog dhe poet, që shkroi  poezitë më të bukura,  që enden ndër kujtesën e shqiptarëve për vargun e bukur, përktheu kryevepra  nga letërsia botërore me një shqipe të pastër, mirëpo  si e mësoi kaq mirë gjuhën shqipe kur në Shqipëri, ai qëndroi vetëm 4 vjet. Shkrimtari Nonda Bulka  me një gjuhë të zgjedhur, befasisht të  kujton vitet 30, shkruan:”Poetët e mëdhenj ,që me talentin, qartësinë, fantazinë dhe intuitën e tyre pasqyrojnë idetë të  epokës së tyre, jetojnë tej moshës, ata kalojnë në përjetësi si Marathonomaku i kohëve të lashta. I tillë ishte Noli,thotë Bulka. Mendimet e tij nuk mplaken se rinia nuk thinjet kurrë. 85 vjet pas lindjes Noli mbetet për ne i riu viril, entuziast, optimist, nxitës për rrugën e përparimit dhe  të dijes, patriot i madh. Kur i dhuroi popullit shqiptar «Historinë e Skënderbeut», këtu e 46 vjet më parë, Noli si historian i thellë  dhe skrupuloz, dhe si artist madhor theksoi se populli, dhe në  përgjithësi masat e thjeshta, janë faktori kryesor në zhvillimin e historisë dhe të kombit. Ai vë në gojën e Skënderbeut fjalët:

-“Lirinë nuk e solla unë po e gjeta këtu midis jush».

Një qartësi e tillë politike qysh, në ato kohë s’mund të jetë e rastit. Fjalës :”popull”, Noli nuk i jepte një kuptim formal ,ai i ndjente dhe i kuptonte thellë fuqinë, mundësitë, zotësinë dhe talentin e masave. Për Nolin e ardhmja ishte gjithmonë më interesante nga e kaluara. Prandaj, mbeti gjithmonë i ri, na thotë shkrimtari Bulka.

2.

Bulka merret me një fushë, ku furishëm  Noli shkëlqeu. Noli, me përjashtime të rralla, shkruan shkrimtari Bulka , çdo gjë e shkroi në funksion të një ideje, të një parimi, të një ideollogjie. Ai e shkroi çdo gjë me tendenciozitet dhe me ndërgjegje të plotë.Edhe përkthimet e Nolit janë tendencioze jo vetëm nga përmbajtja e tyre po edhe në parathëniet, ku ka kujdes të orientojë drejt lexonjësit. Adaptimi që, i ka bërë Omar Khajamit, për mendimin tim, meriton një parantezë të shkurtër.,shprehet N.Bulka. Shpesh herë kritikët tanë dhe të  jashtëm kanë shkruar se Noli e ka  “qanitur,” e ka qarë  me lot përkthimin e Omar Khajamit. Para çlirimit u bë një përkthim i Omar Khajamit nga  persishtja.  Përkthimi  ishte  për faqe të zezë,  po  qëllimi i përkthenjësit ishte , që të na provonte se Noli, s’e   ka përkthyer Omar Khajamin, veçse ka marrë shkas prej tij dhe ka fluturuar vetë si zog i lirë. Këtu, pa dashur përkthenjësi i ka bërë një   nder të madh Nolit, duke na e dhënë gadi origjinal. Kështu te «Rubairat» ne hasim shfrymjen e disa ndjenjave, të cilat petku i zi i çensuronte. Po kjo kërkon, një studim të veçantë.

3.

Noli gjithçka e pa nga prizmin kombëtar dhe patriotik. Kisha autoqefale, se sa çështje fetare, ishte një problem kombëtar për ato kohë. Shovinizmi grek kish hedhur kthetrat thellë në orthodhoksinë shqiptare me anën e kishës. Noli i dha një grusht shovinizmit grek dhe tregoi vitalitetin e gjuhës shqipe. Edhe vjershave me subjekt biblik ai dijti t’u japë frymë shoqërore të theksuar: sulm kundra tregtarëve të flamujve, protestë kundra atdhemohonjësve, revoltë kundra padrejtësisë dhe veçanërisht kundra padrejtësisë shoqërore. Vargu nolian qëndron gjithmonë pranë të shtypurit dhe e ushqen atë jo me mëshirën kristiane «po të qëlloi armiku me një faqe ktheji tjetrën», jo me predikimin fetar «vuaj në këtë botë ,që të shijosh botën tjetër», po me afshin e ngrohtë revolucionar «Ngrehuni dhe bjeruni, korrini dhe shtypini». Vargu i Nolit nuk vjen erë temjan, misticizmi s’del gjëkundi në artin madhor  të Nolit , në revoltën e popujve, Noli shpesh gjente frymëzim. Idetë e mëdha jetëdhënëse ai i lidhi me fatin e mëmëdheut të xhalavitur nga shushunja e brendshme. Ashtu doli prej penës se tij :”Anës Lumenjve, “Marathonomaku, Bajram Curri, Luigj Gurakuqi e të tjera. Me himnin e flamurit sulmon të gjithë armiqtë e jashtëm të mëmëdheut.

Noli pati edhe shumë armiq, që s’e tretnin dot. E quajtën dhespot kuqalash, demagog, pa karakter, ateist, etj. Po personaliteti i tij u imponua me forcën e idesë dhe të artit. Po të gjithë ata që e denigruan humbën pa nam e nishan. Noli rron… Këtu qëndron madhështia e forcës së mendimit.

4.

Noli ishte muzikolog. Shkrimtari Bulka e sjell me disa rreshta.Edhe në muzikollogji dhe në oratori Noli dha kontribut te madh,-thotë ai. Ai zgjodhi pikërisht temën :“Bet’hoveni the Revolucioni frëng». As kjo s’ish e rastit. Në Lidhjen e Kombeve, kur u dërgua si përfaqësonjës i Shqipërisë, ai foli pa kompromis dhe demaskoi komedinë ,që lonin të mëdhenjtë mbi kurriz të popujve të vegjël.

5.

Një problem i pazgjidhur plotësisht ka mbetur, për mendimin tim, çështja se si e mësoi Noli gjuhën shqipe aq mirë duke ndenjur gjatë gjithë jetës së tij vetëm katër vjet në Shqipëri. Studiuesit kanë çfaqur këto mendime: Noli e ka shqipen gjuhen e familjes, ka studiuar   Kristoforidhin, veprat e Naimit e te Samiut e të rilindasvet te tjerë. Kështu mundi ta zgjeroje   dhe ta thellojë   gjuhen shqipe.   Këto arsye janë pjesërisht te drejta po nuk mjaftojnë.   Duhet parë më thellë kjo çështje kur te bëhen studime me te imta rreth Nolit. Ai qe shkruan këto radhe po përpiqet të japë   një   kontribut   modest rreth kësaj çështjeje. Një prift   nga Leusa e Përmetit qe e kish   njohur personalisht Nolin për një kohë   të i gjatë më tha disa vjet më parë: «E kam njohur Nolin në SHBA. Ai, kur niste të ngrysej, merrte një fletore  dhe një kalem dhe shkonte në familjet shqiptare që banonin aty. Rrinte një copë herë me njerëzit e familjes dhe i tregonin historira, përralla, ngjarje të ndryshme dhe ky i shënonte në defter. Shpesh e nxiste vete gjyshen  që të fliste pa kapak. Kjo vazhdoi vite  të tera. Ashtu këmbë kryq me plakat e Shqipërisë që kishin shpurë në dhe të huaj gjuhën e popullit të virgjër, Noli thëthinte nektarin të cilin e çkrinte pastaj  në art». Këto më ka thënë i ndjeri Kostë Papa Tomorri, autori i librit «Barbaritë greke në Shqipëri të Jugut». Dhe ka të ngjarë të jetë kështu. Është shumë zor të mendohet se Noli, që bëri të flasin shqip Shekspirin, Servantesin, Lonfelloun, Khajamin, Ibsenin, Ibanjezin, Poen, të mos ketë patur një durim shumë të madh për një kohë shumë të gjatë që e mësoi shqipen aq mirë. Fjalët e rralla dhe shprehjet ai i ka qëmtuar nga goja e popullit.Verbi nolian është bombë, barut, sulm, flakë që zhurit të keqen dhe i ndriçon rrugën së mirës: Rend kudo duke bërtitur …nëpër shekuj faqe-ndritur…

Vargu i Nolit përshkohet nga damarë plot gjak të kuq si trëndafil më të kuq  që ç’pojnë, trëndafijtë e kopshtevet të Shqipërisë sonë. Ata rrahin me diapazonin e zemrës së madhe dhe të pamposhtur të një populli të vogël po të madh. Nolin e urrenin grekomanët, turkomanët, feudalët, spekulantet, tartufët, dallaveraxhinjtë, pizevengët, lapangjozët, larot, sahanlëpirësit. Dhe kjo e nderonte, se Nolin e donte populli për të cilin ç’kriu tërë talentin e tij në 60 vjet luftë. Nuk është e rastit, që ai deklaroi publikisht pas çlirimit:

«Ne duhet të jemi pa rezerva me guvernën e Enver Hoxhës». Këto fjalë i dual nga zemra, nga ajo zemër  që ishte me popullin, me Shqipërinë,-shkruan Nonda Bulka.