Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Çobo: Vjeshtëz ç’më hyre në zemër

58
Sigal

Vjeshtëz ç’më hyre në zemër,

veshur e tëra me gjethe.

Më the, mblidh flladet e jetës,

sa s’ka rënë ngrica me ethe:

Kërko gjurmë nëpër rrëza,

ku fle rrënja e trëndelinës,

ku mbështet kryet thëllëza,

kur pi djersën e fushëtirës:

Merr ca pupla nga cërri i ferrës,

nën plisin e arës së vjetër,

mblidh fllade në krahët e erës,

ku kolovitet mëllaga e egër:

Te bari në sqepin e trishtilit,

që rend nëpër pyllin Mbret,

gjej gjurmën e zogut të prillit,

që e la folenë e tij shkretë:

Sodit bletët e pyllit, në zgjua,

te zgavra e vjetër në ahishte,

petale viole ngjyej në huall,

veseliti nëpër bohçe pishe:

Aromën dehëse të Apolonisë,

që zbret nga visaret e gushës,

ku gurgullon vesa e Trinisë,

mblidhe me përparësen e fushës:

Mblidh flladin e valës në muzg,

nga jelet e kalit të egër,

mblidh guacka deti me shkumë

dhe zambakë me vesë të njelmët.

Qëkur më ke hyrë në zemër,

ti s’më lë të dremit netëve,

më thua, mblidh flladet e jetës,

ku gjallojnë gjurmët e etërve…

 

VJESHTA MË KA PUSHTUAR

Vjeshta e gjetheve s’më ka harruar,

gjithmonë pas verës troket në prag,

ngjyrë ari flokët e saj ka zbukuruar,

si lulet e lofatës në vjeshtën e parë.

Qilimin shtroi për të më takuar,

me gjethe pylli, përmbi një zall,

pranë brigjeve të liqenit të vjeshtuar,

ku shpirti del e bredh përmbi valë.

Mijëra gjethe mbi trup më ranë,

si yjet në qiell të mrekulluar,

ma lagen buzën që ishte tharë,

me freskinë e njomë ndër duar.

Vrapova si gjethet pas erës vjeshtake,

e ndoqa nga shkoi për të dimëruar,

më puthi si një puhizë buzët e faqet,

pas saj mbeta marrëzisht e dashuruar.

Diçka le mangët moj vjeshtake,

nëpër kopshtijet e verdhuara,

përmbi buzët e vajzave ftujake,

tre stinë do presin për t’i shijuar.