Suplementi Pena Shqiptare/ Vangjel Papakristo: Dilema

777
Ditën që e thirrën në Degën e Punëve të Brendshme, zemra sa nuk ju ça prej ankthit dhe të papriturës që e priste. Një mijë mendime i kalonin në tru duke ia rënduar kokën si plumb. Vetëm mendimi kur parafytyroje apo kujtoje qelitë e errëta plotë myk e lagështi e për dhjetra të burgosur që kishte ajo ngrehinë e frikëshme, bënte që trupin t’ia mbulonin dhe përshkonin djersë të ftohta. Iu zbut pak zemra e mendimet iu kthjelluan kur mendoi se “mbase është për mirë”. Ky mendim i erdhi pasi kishte kohë që kishte bërë një kërkesë për të vizituar vëllanë e tij në Greqi. Kjo për arsye mjekësore. Veshkat po shkonin drejt shkatërrimit. Asnjë shpresë nuk i jepnin mjekët brenda vendit. Në Greqi do të kishte edhe ndihmën ekonomike edhe trajtimin e specializuar mjekësor. Do ta priste e do takohej me të vëllanë me të cilin vitet dhe sistemet i kishën ndarë përsëgjalli. “Përqëndrohu , Spiro! Mblidhe veten dhe bëhu burrë! Ç’ka për t’u bërë, le të bëhet!”- i foli një zë i brendshëm. Me këto mendime e me këtë gjendje shpirtërore e shoqëruan në një koridor të gjatë, shtruar me çimento, pa dritare dhe me shumë dyer. Ambient dhe mjedise të ftohta si vendet e largëta të Siberisë dhe të heshtura si mbretëria e Adit. Atë kohë, siç duket edhe njerëzve në bodrumet e Tatarit, u kishin dhënë lirinë e heshtjes. E priti një tip me trup mesatar, i veshur civil, me sy të futura thellë në zgavrat e ballit dhe faqe të dala në mollëza. Dukej tip mongoli. Tipi i bëri me shenjë vartësit të largohej dhe Spiros të ulej. Me këmbët që i dridheshin, Spiroja u ul në një karige përball tij. Ndjeu se karrigia që u ul ishte elektrike dhe nga çasti në çast trupin do t’ia përshkonte rryma elektrike…Nga kjo përhumbje e përmendi tipi prej mongoli: 

-E pamë problemin tënd dhe menduam të të ndihmojmë. Nga ana jonë je i lirë të shkosh në Greqi . Por..,- hapi një dosje që kishte përpara a thua se donte të tërhiqte vëmendjen e tjetrit dhe vazhdoi, -Ju keni një vëlla në Greqi dhe nisur nga ky fakt nuk mund të të lejonim. Por partia, siç e shikon, është zemërgjerë. “Pikë së pari, njeriu! – na porosit ajo,- Prandaj, të mirën që po të bën partia, duhet ta shlyesh me…të mirë.” Ndaloi së foluri dhe kaloi dorën mbi flokët e çrregullta duke vështruar Spiron thellë në sy. Një shikim depërtues, hetues e zhbirilues. Spiros se pse iu duk edhe i frikëshëm. Pas kësaj heshtjeje vazhdoi përsëri: -Gjithmonë do të flasësh me kujdes dhe gojën kyçur. Atje do të shikosh dhe mësosh shumë gjëra. Thamë, gojën do ta kesh kyçur. Dhe sidomos kur të kthehesh. Të piu e zeza në qoftë se të shpëton ndonjë fjalë… Spiroja e vështronte në heshtje. Kishte mbetur i mbërthyer në atë karige, thua se qe një karige invalidi. Duart i qenë djersitur. Por edhe trupi qe mbuluar me djersë. Ishte një djersë e ftohtë që ia akullonte trupin, e ftohtë si vet dhoma ku ishin. U përmend për një çast dhe më shumë belbëzoi se sa foli: 

-Falënderoj partinë që e aprovoi kërkesën time. Do t’i jem mirënjohës për gjithë jetën. Do t’i zbatoj ato porosi që më dhatë me pikë e me presje. Të jeni të sigurt! Pasi mori letrën e shumëdëshiruar dhe i lehtësuar se do t’a linte atë zyrë asfiksuese, Spiroja u drejtua nga dera për të dalë… 

-A…dhe diçka tjetër, -i tha shefi i degës duke e bërë tjetrin të dridhej edhe një herë. -Ç’thamë këtu, të mbeten këtu. Vetëm ne të dy i dëgjuam. Besoj më kuptove… 

-Të kuptova shoku shef, si nuk të kuptova. Doli dhe shkoi në shtëpi. Nuk priti shumë , por veshi rrobat më të mira që kishte. Ato që ruante për ditë feste. Përqafoi gruan dhe të dy fëmijët, mori valixhen e vjetër me disa qëndisma që gruaja kish përgatitur për shtëpinë e vëllait, një valixhe që kush e di se që kur kishte në shtëpi dhe nuk dihej kush e kish përdorur i pari, dhe u nis. Rruga nga shtëpia drejt postës kufitare ishte një ëndërr e pambarimtë për Spiron. Mendimet e torturonin. “Si do ta takoj Spiron, vëllain tim, kur as nuk e njoh? Si do të jetë ai? Si do të më presë?”. Ishte një ditë e bukur pranvere. Një erë e ftohtë që frynte, sidomos në atë pikë kufitare, e përmendi. Mbërtheu xhaketën dhe eci drejt asajë godine që vetëm me një leje të posaçme mund ta vizitoje. Nja dy policë dhe një civil, me sa duket ishin me shërbim, dolën nga një dhomë e godinës kufitare. E ndaluan dhe i kontrolluan pasaportën dhe valixhen me qëndisma. Zemra e Spiros filloi të shtojë ritmet e rrahjes. Më shumë se mos nuk ia linin qëndismat që gruaja i kish përgatitur enkas dhe mos të vinte duarbosh tek i vëllai. Sytë e policëve e gozhduan. E panë me zili dhe dyshim njëkohësisht. Kaloi zonën neutrale. Përpara një ndërtesë tjetër. E vështroi. Për herë të parë shikonte një flamur kaq të madh të valvitej majë kullës së godinës. Ai që mamaja e tij mbante të fshehur në sëndukun e pajës, por ai ishte i vogël. U hap porta e madhe prej hekuri. Iu duk se u hap para tij porta e parajsës. Deshi të thërriste, të qeshte, të ulërinte…Ndjente se disa sy e ndiqnin. Kujtoi dhe fjalët e shefit në atë dhomën e ftohtë e të errët. U përmbajt. Lart nga kodra, atje ku ishte pika kufitare, po vinin tingujt e zërave që ushtarët e vendit të tij këndonin këngë revolucionare. Kaloi portën kufitare. Një polic i gjatë, me mustaqe të vogla e të zeza dhe me një buzëqeshje të çiltër, e priti në zyrë. I kontrolloi dokumentet dhe i foli me një dialekt që ndryshonte nga ai i fshatit të tij: “Mirë se erdhe patriot”! Sa dëgjoi fjalën”patriot” e pushtoi një ndjenjë e ëmbël. Krejt ndryshe nga çka i kishin servirur ishte realiteti. Falenderoi policin mustaqezi dhe hodhi një vështrim rreth e rrotull…”Ku është vëllai im? Pse nuk erdhi? Ç’do të bëj unë tani? Ku të vete? Të kthehem? Ky do të ishte një turp i madh. Teksa qe me këto mendime, pa që drejt tij po vinte një çift. Një burrë me trup të shëndetshëm, me gjatësinë trupore të tij, me flokë kaçurrele e të kujdesura, me sy të kaltër. Si sytë e tij. Kishte veshur një pulovër përmbi këmishën e kollarisur. Afër tij një zonjë elegante dhe, me gjithë moshën, shumë e bukur. Nga mënyra e veshjes dhe e sjelljes linte përshtypjen se vinte nga një familje intelektuale. Ndërkohë çifti i qe afruar Spiros. Ishte i vetmi vizitor në atë postë kufitare. -Mirë se erdhe, byrazer!,-i tha sykaltri dhe hapi krahët për ta përqafuar. Spiroja shtangu. Ishte gati të rrëzohej. “Ky është vëllai im, -mendoi, -Vëllai im, Jorgo?!” Më shumë belbëzoi dhe ra në krahët e të vëllait. Maria, tek i shikonte ashtu të përqafuar e të përmalluar, fshiu një lot që zuri vend në sytë e saj të bukur. Përqafoi dhe ajo kunatin. E vunë në mes dhe ecën disa hapa më poshtë, atje ku kishin lënë makinën e tyre. Makina rrëshqiste shpejt në rrugën e asfaltuar e të rrethuar me gjelbërim të shumtë. Me lëvizjet e shkathëta të Maries u fut një rrugicë të ngushtë, edhe ajo e asfaltuar, për t’u drejtuar drejt një vendi malor, aty ku dukej se natyra takohej me zogjtë dhe zogjtë me natyrën. Një parajsë e vërtetë. Tamam si ajo që kishte lexuar në një libër të verdhë, libër që i kishte rënë në dorë fshehurazi. Arritën në një shtëpi dykatëshe, e futur midis pemëve, duke pasur si hapësirë një kopësht të bukur. Spiroja fërkonte sytë. Ai kishte të ngulitur në mendjen e tij atë shtëpi përdhese me një dhomë e guzhinë që kishte rritur familjen e tij prej pesë vetash. “Kjo s’është shtëpi, mendoi, -por vilë e vërtetë. Dhe pastaj të thoshin…Lere më mirë, Spiro, se do çmendesh. Shiko të shmallesh me tët vëlla dhe të shërohesh nga sëmundja që të rëndon prej vitesh” Do të qëndronin tek shtëpia jashtë qytetit për dhjetë ditë dhe pastaj do të zbrisnin në Athinë. Thjesht të çlodheshin, të kënaqnin edhe mysafirin që e shihnin për herë të parë. Nuk kishte lindur Spiroja kur kishte ikur në Greqi Jorgoja. Vetëm kur lexonin letrat e njëri-tjetrit parafytyronin me fantazitë e tyre tiparet e njëri-tjetrit. * Ditët kalonin shpejt. Dhe kur do që t’i shijosh sa më mirë, të duket se ikin më shpejt, thua se dikush i telekomandon. Ishte dita e fundit në shtëpi. Ditën tjetër do të zbrisnin në Athinë. Morën mëngjesin dhe shijonin kafen e bërë nga duart e Marisë. Gjethet e pemëve orkestronin me gjethet e tyre përkundur nga flladi mëngjesor, një melodi ngacmuese. Një kanarinë të dehte me cicërimën e sajë. Ishin të gjitha aq bukur në atë harmoni natyrore. Botë përrallore. Vetëm Jorgoja kishte rënë në mendime. Diçka e mundonte. Kishte gjithë ato ditë që qarkullonte brenda tij i njëjti ngulmim. Donte ta thoshte, ta shprehte, por nguronte. Dilema që fshihte në brendësi të vetes, u kthye në shtrëngim dhe e mbyste. Ankth dhe makth. Nuk duroi dot më. Piu dhe gllënjkën e fundit të kafesë si për të marë guxim dhe forcë, la filxhanin e kafesë mby tryezë dhe u kthye nga Spiroja: 

-Të të pyes për diçka, Spiro? -dhe e vështroi drejt e në sy të vëllanë,- Por dua të më thuash vërtetën! 

-Ç’të duash ti, vëlla. 

– Je me të vërtetë vëllai im, apo dytësori (sozia) i vëllait tim dhe të ka dërguar sigurimi shqiptar? Nuk arriti të përgjigjej Spiroja, kur u hodh Maria: 

-Ç’janë këto që thua, Jorgoooo?! Nuk shikon para teje portretin e babait tënd? Jorgoja e humbi fare toruan për momentin, u hutua. Kjo ndjenjë hutie i erdhi ca nga ndërhyrja e të shoqes e ca nga pyetja që bëri. Por edhe Spiroja e humbi. Në këtë gjendje e mori fjalën përsëri Jorgoja: 

-Të më falësh vëllai im. Që ditën që ika, hija e ndjekjes më është kthyer në fantazmë. Lere pastaj që kisha dëgjuar kaq shumë për sigurimin tuaj. Më fal! 

-Nuk u habita, vëlla, nga dilema juaj. Të tilla çudira neve përjetojmë përditë… Atë ditë folën gjerë e gjatë. Për prindërit dhe farefisin. Për fshatin dhe jetën atje. Kur Spiroja deshi të lexonte letrën që do dërgonte në familje të nesërmen, Jorgoja dhe Maria u përlotën. U përqafuan dy vëllezërit fort. Ishte përqafimi i parë vëllazëror i ngrohtë dhe i ëmbël në krahët e njëri-tjetrit. Ditën tjetër zbritën në Athinë. Lart, në fshatin malor, bashkë me kujtimet, lanë edhe dilemën. 
Sigal