Suplementi Pena Shqiptare/ Theodhori Proko: “Shpirtra të shitur “

182
Sigal

 

-Shënime për romanin e ri të shkrimtarit KLEO LATI-

“Ka zemra që bëhen tempull për virtytet më të larta, sikurse ka edhe plot zemra të tjera – për fat të keq shumë më tepër se të parat – që bëhen tempull për veset më të ulëta”

Këto fjalë të shkruara që në hyrje të kapitullit të parë të romanit “Shpirtra të shitur”, janë një sentencë filozofike që të fton të vazhdosh leximin faqe pas faqe, për të mësuar për fatin e personazheve, tipave, karaktereve, sidoqofshin ata, të ndershëm apo që duhen përbuzur, të rëndësishëm apo pa vlerë, të sjellshëm apo harbutë, por të gjithë njerëz me të cilët ndeshemi në jetën e përditëshme.

Si vëzhgues dhe njohës i mirë i realitetit, falë përvojës së punës shumë vjeçare si gazetar, këtë herë shkrimtari i njohur Kleo Lati, në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Neraida”, ka zgjedhur të sjellë në duart e lexuesve një roman me një temë interesante dhe pak të trajtuar në letërsinë tonë të ditëve të sotme.

Kush e ka ndjekur nga afër krijimtarinë e Latit nëpër vite, nuk e ka të vështirë të kuptojë se ai është një autor që parapëlqen të zhbirojë në brendësinë e shpirtrave njerëzorë. Duke u “zhytur” në thellësitë e zemrave ku hedh rrënjë fara e virtytit, por edhe në “skutat” e errëta ku fshihen veset e urryera njerëzore, me kujdesin e një eksploratori, mundohet t’i mbledhë e t’i nxjerrë ato në sipërfaqe, e mandej, me majën e penës artistike, me një gjuhë të pastër e të kuptueshme, me një stil krijues të rrjedhshëm e tërheqës, ua përcjellë lexuesve të tij. Kësisoj, arrin të krijojë një galeri të gjerë personazhesh, tipash, karakteresh që jetojnë në një mjedis, por që përfaqësojnë dy botë të kundërta, të largëta nga njëra-tjetra.

Megjithëse personazhet e romanit “Shpirtra të shitur”, bashkëveprojnë në dy kohë, në atë të diktaturës së gjatë që lamë pas dhe në kohën e sotme, të quajtur “koha e demokracisë”, autori na përcjellë me shqetësim mesazhin se shit-blerja e shpirtrave, fatkeqësisht vazhdon, duke ndotur atmosferën e jetës njerëzore. Në ditët e sotme ndeshemi kudo me korupsionin material, por edhe me korupsionin moral. Shitet bukuria, shitet trupi për interesa të vogla, për përfitime të pa merituara, por shitet edhe shpirti, duke e kthyer njeriun thjesht në një “kufomë” që merr frymë.

Shumë njerëz shpirtin e trajtojnë si mall, njëlloj malli që nuk shihet me sy, nuk preket me dorë, megjithatë, si çdo lloj malli tjetër shitet dhe blihet. Për fat të keq, këta lloj “monstrash”, që s’e kanë për gjë të shesin dhe shpirtin, vazhdojnë të kenë fuqi dhe pushtet kërcënues edhe në kohën e sotme.

Ngjarjet që përshkruhen në roman, ku ata njerëz shpirtërisht të zbrazët, të boshatisur nga ndjenjat dhe morali, gjejnë fuqinë për t’u zvarritur si gjarpër dhe për të lëshuar helmin kudo që munden mbi njerëzit e pastër e të ndershëm, janë dëshmia tronditëse, se të dy kohët, ajo që lamë pas dhe ajo që jetojmë sot, nuk qënkeshin dhe aq të largëta. Jo më kot thonë që: “vesi del me shpirtin”. Figurën e një personazhi të tillë, për ta bërë edhe më të urryer për lexuesin, autori është kujdesur t’ia paraqesë atij në roman edhe me një “veshje” të shëmtuar fizike, duke e “vizatuar”artistikisht me penën krijuese si “qënie me sy të vegjël, si të gjarpërit në momentin që bëhet gati të kafshojë, me buzëqeshje cinike që ngjason me një ngërdheshje të frikëshme”, ku edhe fjalët që lëshon nga goja, shpërndajnë në ajër një kutërbim ligësie. Nëse lejojmë që shpirt- shitja të përhapet si një “sëmundje ngjitëse”, ajo do të kthehet në një dramë të vërtetë shoqërore. Në rast se ndodh kjo “epidemi”, duke thithur në atmosferën e krijuar ajër të ndotur nga kalbëzimi i shpirtrave njerëzorë, frymëmarrja e shoqërisë bëhet më e vështirë.

“Shpirtra të shitur”, është një roman ku gjithkush që jeton e punon në realitetin kësaj kohe, gjen veten dhe rrethin e tij shoqëror. Kjo është arsyeja, pse ai lexohet me ëndje dhe kureshtje deri në faqen e fundit.