Sulejman Mato
Poet, shkrimtar, studiues
Një poemë surprizë!
Sapo e mbarova së lexuari, më kujtoi thënien e poetit grek T. Patrikios: “Poezia është një kombinim i zemrës me mendjen”. Poema për heroin legjendar, Tafil Buzin. përjetëson jetën dhe figurën e tij, jo në bronz, po në vargje. Me një cilësi të lartë artistike dhe sintaksë të rrjedhshme poetike.
Feti Zeneli e njeh shumë mirë teknikën e vargut dhe veçanërisht atij të rimuar, i cili duket i thjeshtë për disa të tjerë, por nuk është aq i thjeshtë. Për krijuesit seriozë, që nuk bien në grackën e rimave foljore dhe e njohim mirë sekretin e poezisë sonë të mirëfilltë, metaforat imazhiniste vezullojnë si brilante margaritar mes vargjeve. Dhe këtë aftësi ua jep “instikti i poezisë”, që ka një vend të veçantë në koren e shpirtit dhe trurit të tyre, jo të zakonshëm.
Për figurën e Tafil Buzit kam pasur njohuri të pakta… Më joshnin vetëm tri vargjet lapidare të dala nga kënga popullore: “Tafil Buz mustaqeziu,/ nga grykë e Kuçit arriu,/ me treqind pasë vetiu”. Një trim i çartur, mustaqezi, duke drejtuar një kavaleri prej treqind luftëtarësh, në mbrojtje të trojeve shqiptare dhe popullit të vet. Trim, i cili ka mbetur në memorjen e popullit tonë si një nga figurat më të spikatura të luftës në periudhën e Tanzimatit.
Tafil Buzi ishte nga Buzi i Tepelenës dhe poetit Feti Zeneli që është nga ajo zonë, natyrisht, i takonte atij të parit, ta ngrinte në art këtë figure historike, ashtu siç e ngriti në vargje figurën e Selam Musait poeti tjetër tepelenas Agim Shehu, kur shkruan: “…Ja kështu në bronz,/ ty të ka liria,/ Lule Selam labi,/ Selam Salaria”. Ndërsa Feti Zeneli e portretizon kështu kordhëtarin tjetër, Tafil Buzi:
Udhëve të historisë,
fati dritë e terr,
Tafili në Qafë të Gris’
bronz përmbi mermer.
……….
Valiu i Rumelisë,
drejt e tek Sulltani:
“S’bëhet jo, mik i Turqisë,
Tafil Kapedani!”
Është koha e kryengritjeve shqiptare kundër Tanzimatit, kur mbi kurrizin e popullit rënduan edhe më tepër taksat e Dovletit. Koha kërkonte trima, që popullit tonë të varfër t’i dilnin për Zot. S’vonon dhe nga Korfuzi, brof trimi Tafil Buzi, “sikur brof vigani”:
Çoi lajm e tundi vend,
thellë në Labëri,
dhjetëmijë e ca levendë,
mblodhi një ushtri.
Pastaj u bënë zë trimave Zenel Gjolekës, Çelo Picarit, Zylyftar Podës, Rrapo Hekalit, Hodo Nivicës e kështu me radhë, të cilët populli ynë i strehoi në këngë: “Kush do na mbrojë nashti,/ që iku Gjoleka ynë…” “Hajde mor Rrapo Hekali,/ kur thërret sa tundet mali,/ Lumthi ti ç’bilbil që zure,/ Një pasha me shtatë tuje”.
Për Tafil Buzin, këngët e ngritura për të nuk kishin mundur të kapërcenin kufijtë lokal e të buçisnin anë e mbanë vendit tonë. Aq më tepër, të portretizohej figura dhe të përshkruhej jeta dhe bëmat e tij, në një poemë me vlera të larta artistike, mbushur me fakte të panjohura historike. Tafili ishte një figurë e shquar dhe mik i Mehmet
Aliut, shqiptarit të famshëm që themeloi shtetin e Egjiptit.
Në Bagdat e në Messunë,
ç’e sëmbonte ijëve,
derisa haber i prunë,
për fatin e bijve!
Nga kjo strofë marrim vesh se Tafili ka jetuar në emigrim, me mallin që e brente për dy djemtë e tij, të cilët ndoqën rrugën e të atit: luftë pa kompromis me turqit osmanllinj.
Më poshtë, Tafil Buzin e shohim në Egjypt, te Mehmet Aliu:
E zgjidh unë, u çoj Tafil
të flasin me vete!
…..
Me një të shkelur të syrit,
hopa Kapedani,
Ali Pasha i Misirit:
bir e soj luani.
Tafil Buzi nuk ka qenë njeri dosido. Ai është rritur “në oborre pashallarësh, me tituj dhe grada”. Tafili vjen në ndihmë të kryengritësve shqiptarë nga Korfuzi dhe mbërrin në Berat, ku do takohet me Çelo Picarin dhe Veiz Vasjarin, të dy kapedanë të kohës të lidhur në besë për t’i dhënë një mësim të mirë Perandorisë turke. Trimat që do t’i pasonin, nuk ishin pak. Sipas poemës ishin dhjetë mijë luftëtarë, trima me besë. Poeti përmend edhe masakrën e Manastirit:
Hamid Pashës i çon letër,
Tafil Buzi vetë:
-Neve s’na le zgjidhje tjetër,
Besëlidhja nuk pret!
…….
Dymijë tyta hapin zjarr,
tej në Manastir,
një mijë vetë në një varr,
fute mor qafir!
Njohuritë e shumta që ka autori për këtë luftë jepen me detaje dhe me personazhe të kohës, por Fetiu nuk bie rob i historisë, kamera poetike ndjek vetëm figurën e Tafil Buzit, të atij burri të shkurtër mustaqezi. Poema është ndërtuar mbi vargun gjashtërrokësh,
që të jep mundësi për të ruajtur kadencat poetike në mënyrë që në vargje të ketë melodikë, por edhe imazh, histori, personazhe, ngjarje, peizazhe. Është shumë e vështirë që në poezi të ndërthuren të gjithë këto elemente, por intuita dhe mjeshtëria e një poeti qëndron pikërisht te kjo ndërthurje, e cila në pak rreshta konfiguron tablo të tëra lufte dhe personazhesh historike. Është një mësim nga historia e letërsisë botërore, e cila nis qysh nga Homeri ynë i madh. Vendasit nuk harrojnë kujtimin e këtij heroi:
Mblidhemi rreth bustit tënd,
çdo fillim tetori,
i bekuar qoftë ky vend,
ç’kapedan që nxori!
Kanë kaluar shtatë breza, por emri i Tafil Buzit nuk shuhet. Emri i tij trashëgohet në Buz nga njeri brez te tjetri. Në këtë poemë, autori cek shkarazi dhe Buzin e braktisur nga emigrimi, por vetëm kaq. Pasi kujtimi i heroit i mbledh të rinjtë e Buzit çdo tetor në qendër të krahinës, rreth bustit të tij.
Këto shënime të shkurtra për këtë poemë me vlera të larta artistike po i mbyll me këto vargje të autorit, të cilat vijnë si një betim para bustit të heroit:
Verbërisht ty të besojmë,
dhe pse s’je Mesia,
por je drita që kërkojmë
nga anët e mia.