Suplementi Pena Shqiptare/ Luan Rama: Atje ku filloi tragjedia e Edipit

251
Sigal

Këtë detaj të vogël nuk do ta tregoja po të mos lexoja dorëshkrimin e piktorit francez Louis Dupré, i cili në vitin 1819, pasi zbarkoi në Korfuz bashkë me dy miq anglezë, shkoi në Butrint ku pati rastin të pikturonte jo vetëm dy nipat e Ali Pashës, Ismailin dhe Mehmetin, por dhe vetë pashain e Janinës gjatë një gjuetie shpezësh në liqenin e qytezës antike, çka ishte një spektakël madhështor për nga përshkrimi e organizimi. Por Duprè, që pikturoi aq bukur suljotët, si dhe fshehurazi portretin e Aliut tek drekonin mbi liqen, shkoi në Athinë dhe që andej u nis për të shkuar në Tebë (Thiva), duke kaluar në Arashova, vend ku dy vjet më parë do të kaloja dhe unë e pikërisht në vendin që përshkruante Dupré, aty ku dikur, në antikitet, siç tregon Homeri, takoheshin rruga e Korinthit dhe ajo e Tebës.

Sipas Homerit, Edipi kishte pikëtakuar aty babain e tij, Laios. Dupré shkruante për vendin dhe në veçanti për vallen e arvanitasve që ishin banorët e atyshëm si dhe këngët e tyre të rënda që atij i dukeshin disi barbare, ndërsa unë, duke shkelur mbi atë tokë të Arashovës që i ngjitej disi më tutje një kodrine, sillja ndërmend tregimin homerik apo dhe të tragjedianëve të tjerë (Sofokliut dhe Senekës mes të tjerëve) dhe imagjinoja se si kishte ndodhur kjo histori. Nëse udhëtari i sotëm mëson se çka ndodhur në atë vend, atëherë padyshim që ai nis të përjetojë një histori përtej antikitetit. Cili ishte Edipi? Po Laios? Ç’kishte ndodhur mes tyre?… Homeri tregon se Laois ishte biri i një mbreti në Tebë dhe meqë ishte ende adoleshent, mbretërinë e drejtoi xhaxhai i tij. Kur u rrit, Laios kërkoi mbretërinë që i takonte, por xhaxhai i tij e përzuri nga Teba dhe ai shkoi në oborrin e një mbreti tjetër, biri i të cilit i kërkoi t’i mësonte mjeshtërinë e drejtimit të kaloshinave me kuaj. Dhe ai e mësoi, por djaloshi i pëlqeu dhe në fund e përdhunoi. Nga turpi djaloshi vari veten dhe Laios u detyrua të largohej me shpejtësi. Vitet kalojnë dhe Laois u martua me Jokastën. Një ditë orakulli i Delfit iu shfaq Laois-it dhe i tha profecinë e tmerrshme: “Nëse Jokasta do të lindë një djalë, ai do të vrasë ty dhe do të martohet me nënën e vet”. Pas pak kohe Jokasta lindi dhe Laois e mori fëmijën dhe e la në majë të malit Citera. Rastësisht atje e gjeti një bari, i cili e rriti si djalin e vet. Por një ditë, Edipit iu shfaq orakulli që i tha profecinë se do vijë ditë kur ai do të vrasë të atin dhe do martohet me nënën e tij.

Atëherë, i tmerruar nga kjo profeci, Edipi u largua nga Korinthi për të ardhur në Tebë dhe pikërisht në Arashovë, atje ku pikëtakohej rruga e Tebës dhe Korinthit. Meqë rruga ishte e ngushtë, ai u zu me udhëtarin plak dhe pas pak e vrau. Por ai plak në të vërtetë ishte Laios, ati i tij. Kështu u përmbush profecia e parë e orakullit të Delfit. Dhe pikërisht në atë kryqëzim, në dhimbjen e madhe, Edipi do të vazhdonte rrugën, por profecinë tjetër dhe vazhdimin e kësaj tragjedie më mirë ta lexoni tek Homeri apo Sofokliu, një nga tre tragjedianët më të mëdhenj të Greqisë së lashtë bashkë me Eskilin dhe Euripidin… Unë thjesht pashë vendin mitik dhe kaq më mjaftonte të fantazoja vazhdimin e asaj tragjedie, për të cilën është shkruar shumë në kohërat moderne…