Sali Berisha padit për shpifje Sekretarin e DASH, Blinken

207
Sigal

Ish-kryeministri Berisha: Unë dhe familja ime, kemi respektuar me rigorozitet ligjet e vendit.Vendimi për të paditur në gjykatën e Parisit, Sekretarin e DASH Antony Bliken e bëra pasi gjithçka e thënë është një shpifje, që ka cënuar rëndë nderin dhe dinjitetin. Bisedat me miqtë e mi amerikan pas vendimit dhe e vërteta e ndarjes së Kosovës. Bugajski për VOA: Ky veprim do të shihet si një hap anti-shqiptar në rajon

 Ish- kryeministri, Sali Berisha, ka vendosur të padisë Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve, Antony Blinken, pas vendimit për ta shpallur ‘non-grata’, duke e konsideruar “të korruptuar”. Berisha tha se Blinken është një shpifës dhe se do të përballet me të në gjykatën e Parisit, duke e konsideruar një gjykatë neutrale. Berisha tha se Blinken ka cënuar “nderin dhe dinjitetin e tij” dhe se ai nuk ka imunitet si zyrtar, ndaj do të përballet në gjyq. Në deklaratën e Departamentit të Shtetit, thuhej se Berisha është i përfshirë në korrupsion madhor, ka përfituar nga pushteti dhe ka përdorur pushtetin për të pasuruar familjarët dhe aleatët e tij politikë.

Deklarata e Berishës

“Jam këtu për t’ju informuar ju dhe opinionin për një vendim të pazakontë, por të rëndësishëm timin.

Kam udhëzuar avokatin tim në një vend neutral dhe të respektuar si Franca, të ngrejë ndaj zotit Blinken një padi direkte për Gjykatën korreksionale të Parisit, për shpifje publike

Për arsye të panjohura për mua, Sekretari i DASH, Antony Blinken, ka publikuar dje pa asnjë paralajmërim dhe në mënyrën më të papritur, shpifëse, vlerësime të gënjeshtërta për personalitetin tim. Dua të theksoj se, që kur kam filluar jetën time politike, ju garantoj se po të shkoni më tutje, që kur kam prekur rrogën e parë në bordero, nuk ka njeri në botë të thotë që kam qenë i implikuar në një aferë të çfarëdoshme korruptive. Kam udhëzuar avokatin tim në një vend neutral dhe të respektuar si Franca, të ngrejë ndaj zotit Blinken një padi direkte për Gjykatën korreksionale të Parisit, për shpifje publike. Zoti Blinken, mundet të pretendojë se sipas rregullave si ministër i Jashtëm, përfiton imunitet. Kjo është gënjeshtër. Imuniteti vlerësohet nga gjykatat në një mënyrë relative, ç’ka do të thotë se Blinken është i mbrojtur, kur kryen akte normale si përfaqësues i qeverisë. Por, nga momenti kur Blinken bëhet autor i një komedie dhe montazhi politik, të destinuar për të më dëmtuar mua, nuk hyn në funksionet e një ministri. Asnjë qeveri nuk mund të ketë funksion shpifjen dhe përbaltjen. Sipas avokatit që kam konsultuar, zoti Blinken nuk është i mbrojtur me asnjë imunitet, ndaj dhe do të paditet dhe dënohet nga Gjykata Korreksionale e Parisit, ku është ngritur padia e avokatit tim. Një vendim i paparishikuar në jetën time. Një adhurues i pakufijshëm i vendit të lirisë, aleatit kryesor të kombit shqiptar. Çështja e dinjitetit është më thelbësore e njeriut.

Unë kam qenë, President i Republikës, Kryeministër i Shqipërisë. Kam qenë përgjegjës për dinjitetin e këtij populli dhe jam përpjekur të bëjë gjithçka. Sot jam qytetar privat, jam përgjegjës për dinjitetin tim

Nëse i prek tjetrit nderin dhe dinjitetin, e zhvlerëson atë për veten, familjen, miqtë dhe komunitetin ku jeton. Unë kam qenë, President i Republikës, Kryeministër i Shqipërisë. Kam qenë përgjegjës për dinjitetin e këtij populli dhe jam përpjekur të bëjë gjithçka. Sot jam qytetar privat, jam përgjegjës për dinjitetin tim. Dua të sqaroj, ka qenë dinjiteti i munguar, se po të kthehemi 30-40 vite mbrapa, mua do të më gjenit një kardiolog pasionant, në klinkën e kardiologjisë, një njeri i shëtitur, që jetonte jo keq. Kishte një banesë gjithsej 30m më e vogël se kjo që kam sot.

Unë kam qenë, President i Republikës, Kryeministër i Shqipërisë. Kam qenë përgjegjës për dinjitetin e këtij populli dhe jam përpjekur të bëjë gjithçka. Sot jam qytetar privat, jam përgjegjës për dinjitetin tim

Por, kishte një problem, nuk kishte dinjitet ky njeri. Të tjera kishte këtu, të tjera thoshte në publik. Shtysa ime për të dalë kundër atij regjimi, në ato shkrime, në të cilat kam shprehur nga alfa tek omega e atyre që ka shprehur disidenca e vendeve ish komuniste. Ndaj një njeriu që pa rreshtuar, provë, fakt, argument, rendit këto akuza që nuk i ka renditur kurrë kush ndaj meje.

 Sali Berisha: Unë dhe familja ime, kemi respektuar me rigorozitet ligjet e vendit!

Shumë variante dhe hamendje mund të dalin, por besoj se hapi më i rëndësishëm është t’i drejtohem gjykatës. Gjykata të nxjerrë të vërtetën. Cila është e shoqja e Sali Berishës, 73 vjeç, që vazhdon punën me autizmin dhe cilët janë fëmijët e tij. Unë e kam çështje dinjiteti. Familjarët e mi, njëlloj si unë, kanë respektuar me rigorozitetin më të madh ligjet e këtij vendi. Ndaj tyre ka tetë vite akuza dhe asnjë proces, asnjë padi penale. Pse? Sepse kanë respektuar ligjet.

 Bashkëqeverisja PD-PS do të ishte fatalitet për Shqipërinë

Se cilat janë fantazitë apo projektet e të tjerëve, unë nuk e di. Unë shpreha këtu konsideratën time dhe ju informova për hapat që do të ndërrmarr. Një bashkëqeverisje do ishte një fatalitet për Shqipërinë dhe do ishte një fatalitet. Berisha në këtë mënyrë  i përcjell një sinjal PD-së për të mos bërë asnjë hap më tej, drejt një bashkëqeverisje me Edi Ramën.

  Berisha deshifron edhe heshtjen e Presidentit Meta për shpalljen ‘non-grata’

Heshtjen e presidentit Ilir Meta në lidhje me shpalljen ‘non grata’ nga SHBA, ish-kryeministri Sali Berisha, e cilësoi fare normale. “Fare normale. Nuk ka asnjë lloj shkaku pse të prononcohet. Unë prononcohem vetë”, u shpreh Berisha.

 Berisha: Prova të montuara në Tiranë në zyrat e Edi Ramës

 Kërkova prova, në qoftë se Sekretari Amerikan i Shtetit do të paraqiste prova unë do ta konsideroja. Por jo me këto prova të montuara në Tiranë, te zyra e Edi Ramës. Kërkova që të paraqitej një fakt i vetëm, sepse do mjaftonte një fakt, dhe do të merrja vendime krejt të tjera. Kishin 0 fakte. Le të nxjerrin prova. Unë kam hapur gjyq e t’i paraqesin para gjykatës. Ai është diplomati më i fuqishëm në botë, unë qytetar privat, por besoj tek drejtësia. Unë kërkoja që të paraqiteshin prova kundrejt meje, por një gjë e tillë nuk u bë, prandaj do të këmbëngul që të paraqiten prova në gjykatë.

 Berisha i përgjigjet kryeministrit Rama

 Ish-Kryeministri Sali Berisha i pyetur nga gazetarët, nëse ka pasur dijeni më parë për këtë vendim, pasi Kryeministri Rama i ka thënë në Kuvend “përse nuk e kalon dot oqeanin?”, Berisha deklaroi se Rama e ka sulmuar atë vetëm për faktin se ka mbrojtur kufijtë e Kosovës. Një tjetër pyetje drejtuar ish-Kryeministrit, ishte dhe për qëndrimin e Bashës. Berisha tha se si lider i Partisë Demokratike ishte normale që Basha të mbante një qëndrim.

 Pjesë nga biseda:

 Keni pasur dijeni më parë? Rama ju tha: “a e kalon dot oqeanin”?

 Problemi i zotit Rama ka pasur një tendencë, për shkak të kundërshtimit që i bëri ndarjes së kufijve të Kosovës. Jam krenar për qëndrimin që kam mbajtur. Unë gjithçka e kisha publike. Ata të cilët e inicuan, dështuan. Kjo ka qenë në dijeninë time. Që për të cilën unë nuk hiqja dorë. Do të ishte gjë që do të shkaktonte konflikt në rajon.

 Qëndrimi i Bashës?

 Zoti Basha ka shprehur mendimin e tij. PD një qëndrim do shprehë, apo jo? Dhe ai shprehu mendimin e PD-së.

 Nuk kam ndihmuar asnjë aleat, Mediut i hoqa imunitetin pas Gërdecit

Cila ishte ndërhyrja ime? Nuk kam mbrojtur asnjë aleat. S’kam ndihmuar aleatët. Jam kryeministri që hoqi imunitetet. Për Fatmir Mediun konkretisht, kam ndihmuar dhe kontribuar në heqjen e imunitetit, pas rastit të Gërdecit.

 Unë jam pjesë e PD-së

Unë mendoj se Partia Demokratike një qëndrim do shprehte, Basha e shprehu apo jo. Unë jam pjesë e asaj partie.

 Jam krenar për qëndrimin tim për mosndarjen e Kosovës

Problemi i zotit Rama, ka pasur një tendencë, për shkak të kundërshtimit që i bëra për shkak të projektit të ndarjes së Kosovës. Jam krenar për qëndrimin që kam mbajtur. Që qëndrimi im të kualifikohej si konspiracion, por një kualifikim të tillë është qesharake. Unë çdo gjë e kisha publike. Ata që e iniciuan, e dështuan, gjë për të cilën unë natyrisht s’mund të hiqja dorë.

 Isha një kardiolog pasionant, njeri i shëtitur

Unë kam qenë kryeministri i Shqipërisë, përgjegjës për dinjitetin e këtij populli. Jam përpjekur të bëj gjithçka për nderimin e këtij populli. Sot jam një qytetar privat, jam përgjegjës për dinjitetin tim. Një gjë duhet t’ju sqaroj se ka qenë dinjiteti i munguar…po të më ktheni disa vite mbrapa mua do të më gjenit një kardiolog pasionant, në një klinikë. Një njeri i shëtitur që jetonte jo keq të themi atë që është. Jetonte në një banesë që ishte rreth 30 metra më të vogël se ajo që kam tani. Por kishte një problem, nuk kishte dinjitet ky njeri, të tjera thoshte këtu, të tjera në publik, shkonte me votue, votonte fshehtas për atë që urrente. Kjo ka qenë shtysa ime.

 Berisha përgjigjet: A  do të heqë dorë nga politika?

 Kryeministri Sali Berisha zgjodhi të ç’tensiononte situatën, duke iu përgjigjur me batutë pyetjes së gazetares se, a do të hiqte dorë nga mandati i depuetetit dhe politika, pas zhvillimit të betejës ligjore për pastrimin e imazhit të vet nga gjykatat ndërkombëtare. Berisha zgjodhi të bënte sikur nuk e dëgjoi pyetjen, duke iu përgjigjur me humor gazetares: “Unë thashë se the, do ta dyfishosh…” Gjithashtu ish-kryeministri theksoi se nga dita e djeshme deri sot, jo që nuk është ndjerë i braktisur nga bashkëpunëtorët e tij, por ka pasur një mbështetje si kurrë më parë në jetën publike.

 

 Pjesë nga konferenca me gazetarët e ish-kryeministrit Sali Berisha:

 Gazetarja: A keni patur komunikime me miqtë tuaj amerikanë pas shpalljes së vendimit?

 

Berisha: Kam patur shumë komunikime, por vendosa t’i drejtohem gjykatës dhe mos t’i kërkoj ndihmë askujt.

 

Gazetarja: A ndiheni i braktisur nga bashkëpunëtorët tuaj ndër vite pas “shpalljes non grata”?

 

Berisha: Absolutisht, solidaritet më të madh nga dje deri sot, nuk mendoj të kem pasur deri sot. Nuk kam asnjë lloj ndjesie braktisjeje të tillë.

 

Gazetarja: Pasi të vendosni në vend nderin dhe dinjitetin tuaj, do të hiqni dorë nga politika dhe mandati i deputetit?

 

Berisha: Unë thashë se the do ta dyfishosh…

 

 ‘Zëri i Amerikës’/ Janusz Bugajski

  Ky veprim do të shihet si një hap anti-shqiptar në rajon

Analisti Janusz Bugajski i Fondacionit ‘Jamestoën’ nuk kupton se pse është përcaktuar pikërisht Sali Berisha dhe pse tani. “Nuk e kuptoj se përse veçohet një ish-udhëheqës politik, i cili nuk mban më poste. Kjo është diçka që mund të bëhej nga brenda vendit; nëse ekzistojnë prova të forta, ata duhet të kërkojnë një gjyq, një hetim e të tjera, por të ndalosh dikë të udhëtojë, kjo duket si një standard i dyfishtë, diskriminim, apo ato që përmenda. Pra, nuk mendoj se është një ide e mirë dhe koha kur merret ky vendim nuk është e përshtatshme”, i tha ai ‘Zërit të Amerikës’.

Sipas zotit Bugajski, nëse do të përfshihen edhe njerëz të tjerë nga rajoni, “do të mbeteshin shumë pak udhëheqës politikë të Ballkanit, ose të një pjese të mirë të Evropës Lindore, që do të lejoheshin të hynin në Amerikë”. Ai druhet se ky veprim do të shihet si një hap anti-shqiptar në rajon. “Bashkimi Evropian qysh tani po e mban në distancë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Kosova ende nuk e ka marrë liberalizimin e vizave dhe jam i sigurt që do të ketë njerëz të cilët do të thonë se ky diskriminim kundër shqiptarëve, tani po praktikohet nga administrata e re në Uashington”,- thotë ai.

Zoti Bugajski shtron pyetjen nëse në këtë kategori do të përfshihen figura të tjera politike. “Ka patur mjaft debate për qeverinë e tanishme të Shqipërisë, nëse do të përfshihet edhe Kryeministri, Presidenti, opozita. Po vendet fqinje? Mali i Zi, Kosova e kështu me radhë? Kjo i ngjan gati-gati hapjes së Kutisë së Pandorës, pra se cilët udhëheqës nuk do të lejohen në Shtetet e Bashkuara”, thotë zoti Bugajski.

Zoti Bugajski e pranon që ideja ka qenë që të dërgohet një sinjal i fortë në rajon, por shton se mund të bëhet fjalë për një sinjal të fortë të gabuar.

 Ish-zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, Thomas Countryman, thotë se nuk është i befasuar nga vendimi për ndalimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të zotit Berisha. “Nuk mendoj se audienca në Shqipëri nuk është në dijeni të shkallës së korrupsionit publik që ka prekur politikanë nga parti të shumta, kështu që ekziston një bazë faktike për përcaktimin”, tha ai për ‘Zërin e Amerikës’.

Zoti Countryman, i cili si zëvendës/ ndihmës sekretar për Evropën, mbulonte Ballkanin, thotë se megjithëse nuk i di argumentat që përbëjnë bazën për këtë vendim specifik, autoriteti që Kongresi i ka dhënë Departamentit të Shtetit, ushtrohet me kujdes. “Ai ushtrohet vetëm nëse ekziston një bazë e fortë faktike për identifikim korrupsioni të konsiderueshëm. Vihet në përdorim vetëm nëse korrupsioni është i rëndësishëm dhe veçanërisht në ato vende ku korrupsioni është një problem serioz dhe i përhapur. Për fat të keq, Shqipëria është në atë kategori”, tha zoti Countryman. Ai shton se, shpreson që ky përcaktim, të nxisë Shqipërinë dhe vendet e rajonit, të luftojnë me forcë korrupsionin.