Suplementi Pena Shqiptare/ Spiro Mëhilli: Kolonel Bunkeri

289
Sigal

Stavri Kola ose Kolonel Bunkeri, sikundër e thërrisnin shokët e ngushtë, i kërrusur nga dhimbjet e gjoksit, kolla që nuk kishte të pushuar e të këpuste shpirtin dhe kapota ushtarake, që i rëndonte mbi supe, e detyronin që me vështirësi të mbushej me frymë. Sklerat e syve i ishin skuqur dhe përlotur. Digjej nga temperatura e lartë. Doktor Bekimi e vizitoi dhe e shtroi në dhomën që rezervohej për kuadro të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes. Konsulta mjekësore nuk vonoi. Iu caktua një terapi intensive. Ecejaket e kolegëve nuk kishin të rreshtur sa u bënë të mërzitshme.  Ditën e tretë të shtrimit të Kolonel Bunkerit, doktor Bekimin e thirrën në zyrën e komisarit. Shefi i Sigurimit të Ministrisë së Mbrojtjes, Dilaver K* u ngrit në këmbë, i dha dorën me “përzemërsi”  dhe e pyeti: Si jeni shoku Bekim? Mirë shoku Dilaver. Ju jeni mjek, jeni oficer dhe mbi të gjitha jeni komunist, pra besnik dhe i vendosur ndaj idealeve të partisë. Doktor Bekimi për një moment shtangu, por si e mblodhi veten tha: Nuk e kam vënë ndonjëherë në diskutim qëndrimin tim dhe besnikërinë ndaj partisë. Asaj  i kam borx gjithçka. Kush kam qenë dhe kush jam. Ajo më dha  dorën, më mori nga fshati, më çoi në Shkollën “Skënderbej” dhe më dha mundësi të dalë mjek. Kjo më mjafton. Tani të futemi në temë. Përse bëhet fjalë shoku Dilaver? Për Stavri Kolën. Kolonel Bunkerin? Quaje si të duash. Ai, nga ky moment, konsiderohet armik i popullit dhe do të arrestohet. Ai ndodhet i shtruar dhe për më tepër është i sëmurë. Këtu qëndron problemi. Ç’kërkoni prej meje? Nesër ta nxirrni nga spitali, po të  ketë mundësi edhe sot. Doktor Bekimit i shkuan mornica nëpër trup. Për momentin e humbi. Ai sapo e kishte vizituar kolonelin, që vazhdonte të ishte i sëmurë dhe për më tepër etika mjekësore, e mbi të gjitha, betimi i Hipokratit, nuk ia lejonin që të bënte një veprim të tillë. Dhe po të donte, si do të shkonte tek i sëmuri e t’i thoshte “tani do të dalësh nga spitali se ndihesh më mirë”, kur ai vazhdonte të ishte me temperaturë të lartë dhe kollë me këlbazë në ngjyrën e tjegullës. U çua e tha: “të rrojë partia”, i dha dorën shokut Dilaver dhe u largua. I përhumbur nga biseda që pati, u fut në klubin e spitalit, porositi një kafe të fortë dhe u ulë në tavolinën që gjeti të lirë. Pasi e rrufiti kafen me një frymë, mendonte sesi do ta nxirrte Stavri Kolën nga spitali kur ai jo vetëm që ishte i sëmurë, por edhe kuadër me rëndësi në Ministrinë e Mbrojtjes. Në darkë, duke tërhequr këmbët zvarrë, ngjiti shkallët në ndërtesën ku banonte dhe pasi hapi derën e apartamentit u fut brenda. E shoqja, Sabrina, duke e parë në gjendje të përhumbur, u shqetësua se mos i kishte ndodhur ndonjë fatkeqësi me të sëmurët e pavionit ose me pacientë, që do t’i kishin shkuar për vizitë, i tha: Beko!  Po, Sabrina. Nuk të shoh mirë. Më lërë të qetë.  Jam gruaja, bashkëshortja jote, dua të di gjithçka. E çfarë do të dish? Gjendjen tënde shpirtërore, që nuk e kam parë asnjëherë si sot. Kam një hall të madh. Çfarë halli?  Më thirri shefi i sigurimit të ministrisë dhe më dha një detyrë ose një mision, quaje si të duash. Çfarë detyre? Të nxjerr nga spitali Kolonel Bunkerin, mikun e tim eti. Kush është arsyeja? Duan ta arrestojnë, por jo në spital, diku… Sabrina heshti për momentin dhe si u mendua disa minuta tha: Dëgjo burrë! Ti je i mençur. E kuptoj se të ka ra një hallë i  madh mbi kokë. Dëgjoje Sabrinën. Për hirë të familjes,  mua dhe  djalit, bëj ashtu sikundër të thonë. Mos kundërshto. E kam të qartë që do të shkelësh me të dyja këmbët nderin dhe betimin e mjekut, në të kundërtën, që të nesërmen, do të largojnë nga spitali, do të çmobilizojnë, do të përjashtojnë nga partia, që në popull quhet pushkatim, do të transferojnë në ndonjë humbëtirë andej nga Alpet e Shqipërisë, aty ku ha pula gurë dhe pas një muaji do të na marrin shtëpinë dhe do të na sjellin mu me djalin aty ku do të  të “transferojnë” ty, me pretendimin se “atje ka nevojë atdheu”. Pa u sistemuar mirë, do të të arrestojnë dhe do të burgosin, kurse  mua dhe djalin do të na internojnë në një fshat që një zot e di se ku. Kaq po të them. Megjithatë bëj si ta  shohësh të arsyeshme.

 

II

Të nesërmen, doktor  Bekimi u fut në dhomën e të sëmurit me një buzëqeshje  të shtirur. U ulë buzë krevatit, e pyeti dhe  e stërpyeti kolonelin sesi e ndiente veten, si e kishte kaluar natën, megjithëse dihet se në përgjithësi gjendja e të sëmurit natën rëndohet nga prodominimi i atij që quhet nervi vagus (shëtitës), e vizitoi dhe në fund shtoi: Shoku kolonel, një mrekulli! Mushkëritë sot i paskeni të qeta. Nuk dëgjohet asgjë. Duket që mjekimi ka vepruar në mënyrë të shkëlqyer.  Doktor, temperatura vazhdon, kolla po ashtu. Edhe ato do të kalojnë. Janë mbeturina të sekrecioneve që i nxjerrin mushkëritë. Do  t’ju jap një recetë për të vazhduar disa ditë mjekimin në shtëpi. Dy javë pushim do të mjaftojnë. Sot duhet të dilni nga spitali. Doktor…? Më vjen keq! Edhe ne, në mjekësi, si kudo, kemi ditqëndrimin për të sëmurët në spital. Koloneli mbeti i  befasuar. Ai nuk mund të kuptonte sesi një kuadër i lartë i ministrisë të nxirrej nga spitali ditën e tretë të shtrimit, për më tepër në gjendje të pa stabilizuar. Ç’të bënte? U çua dhe filloi të vishej. Hodhi sytë nga dritaria dhe për çudi në oborrin e spitalit nuk pa të lëvizte asnjë qenie e gjallë: mjekë, infermierë, të sëmurë apo vizitorë. Nuk i shkoi në mendje se diçka ishte kurdisur ndaj tij. Zbriti  shkallët  dhe në korridor takoi komisarin e spitalit. Dukej që kishte hedhur ndonjë gotë se i merreshin këmbët dhe trashur gjuha. Si i dha dorën, e pyeti: Ku po shkon shoku Stavri? Në shtëpi. Shumë shpejt, si kështu? Mjekët! Ju e dini… Ta thërras … Nuk është nevoja. Të jap makinën e drejtorisë të të çojë në shtëpi? Të faleminderit! Megjithëse dhjetor, koha ishte e bukur. Asnjë re në qiell. Dielli i afrohe  zenitit  dhe rrezet e tij ngrohnin mjedisin. Me çantën në dorë, Stavri Kola  kaloi mes pishave  dhe ullinjve, iu afrua derës kryesore, një derë hekuri  që herë hapej e mbyllej me anën e një motorinoje dhe herë shtyhej me dorë nga portieri. Sapo kaloi pragun e derës, rrugën ia preu drejtori i drejtorisë së dytë. Për ku kështu shoku Stavri? – e pyeti “i habitur”. Për në shtëpi. Ku e ke BÇ-ën? Duhet të jetë në park. Nuk të dhanë makinë? Nuk e pashë të arsyeshme. Çudi. Unë tek ju isha nisur. Më fal, duhej të kisha ardhur që pardje, por punët… Nuk ishte nevoja. Megjithatë më mirë vonë se kurrë! Atëherë do t’ju çojë unë në shtëpi. Katër-pesë metra më tutje priste BÇ-ja ngjyrë jeshile të errët, ngjyrë e preferuar e ushtrisë.  Shoferi qëndronte pranë timonit. Drejtori i drejtorisë së dytë hapi derën dhe tha: Urdhëroni shoku Stavri! Faleminderit, ai vend ju takon juve. Ndërkohë u hap dera e pasme nga ana e djathtë.    Një oficer i ri me buzëqeshje të stisur e ftoi të futej në makinë. Brenda ishte një oficer tjetër, i cili lëvizi për t’i bërë vend. Zullum, nisu! – urdhëroi drejtori shoferin. BÇ-ja lëvizi dhe mori rrugën  për në qendër të qytetit. Makinat ishin të pakta si gishtat e  dorës. Në përgjithësi njerëzit lëviznin më këmbë ose prisnin autobuzin e rradhës. Tek rrethrrotullimi, në vendin e quajtur “Zogu i Zi”, BÇ-ja preu majtas. Shoku…? Mos u shqetëso. Sa të lemë shokun Namik diku dhe më tej drejt e te shtëpia juaj. Makina pasi bëri  dy-treqindë metra, preu përsëri majtas. Jo më larg se 50-60 metra ndodhej burgu i famshëm 333. Kolonelit i shkuan të rrënqethura në trup. Makina  qendroi  para derës s madhe. Kanatat e rënda të saj u hapën me shpejtësi. Drejtori u kthye nga  Stavri Kola dhe prerazi tha: Zoti Stavri, në Emër të Popullit je i arrestuar! Për ç’arsye? Do ta marrësh vesh kur të pyetesh. E prangosën. Dy rrathë çeliku ju vendosën në kyçet e duarve. E futën në mjediset e paraburgimit, i morën disa të dhëna dhe e përplasën në një qeli të errët, që kutërbonte nga ajri i rëndë me erën e mykut. I mbyllën derën e hekurt, e cila kishte vetëm një dritare të vogël nga ku ai do të vrojtohej dhe do t’i jepej ushqimi, një copë bukë shoqëruar me supën e ujëshme. Mjedisi i ftohtë i provokoi një kollë të tejzgjatur, të zhurmshme dhe të lodhshme. Nuk  mbushej me frymë. Trokiti në derë me sa fuqi që kishte. Asnjë reagim nga jashtë. Për çudi, pas pak, dera u hap. Koloneli ishte shtrirë  sa gjatë-gjërë në dysheme. Sulo, o Sulo, shpejt tek qelia 12! Kolonelin e  tërhoqën zvarrë dhe e çuan tek infermieria e burgut.  Doktor Ludoviku  edhe  ky i burgosur, në saj të profesionit kishte privilegj të vizitonte të sëmurët deri sa të shkonte Shefi i Shëndetësisë ose mjeku i caktuar nga Ministria e Punëve të Brendshme. Klinikisht ishte më se e qartë. Iu fillua mjekimi. Kaluan dy javë dhe gjendja e tij u përmirësua. Interesi e donte që ai të shërohej sa më shpejt, pasi e prisnin marrjet në pyetje. Dhe ajo ditë nuk vonoi. E çuan në një dhomë  ku kishte një tavolinë dhe dy karrige. Mbi të, një dosje me disa fletë të daktilografuara.  Kolonelin e shoqëruan dy policë. Duart i kishte të prangosura pasi “mund të arratisej”. Pas pak u fut hetuesi, dhe më këmbë tha: -Hiqiani prangat!Koloneli sapo e pa e njohu. Ai ishte shoku Loni, personi që javë më parë kishin pirë kafe. Nuk e kishte të qartë pse e kishin arrestuar dhe ku donin të dilnin. Mendime të ndryshme vërshuan turbull në trurin e tij. Zoti Stavri! Urdhëro! E di pse të  kemi arrestuar? As e di dhe as më intereson ta di. Sa para bën kur më keni prangosur dhe njëkohësisht burgosur. Ta them unë. Për sabotim! Sabotim? Si të duket. Kemi kohë që të ndjekim. Kemi studiuar gjithë veprimtarinë tënde që nga tunelet e  deri tek bunkerët. Çdo gjë është bërë më së miri. Për ato ka punuar një grup i tërë inxhinierësh. – Po ju keni qenë shefi i tyre. Partia ju pati dhënë post me rëndësi, jo shaka. E kam justifikuar. E thonë tunelet. Për ç’tunele e keni fjalën, sepse malet dhe kodrat e Shqipërisë janë mbushur me të tillë. Në to kemi futur pothuaj të gjithë armatimin dhe teknikën, tanket, avionët e deri anijet. Ka ankesa për vendstrehimet kryesore. Ato të Shtabit të Përgjithshëm apo ato midis ministrive. Këtu po, kini të drejtë, janë vrarë dy ose tre punëtorë dhe jo për fajin tonë. Pati shkarje dheu dhe qe një fatkeqësi. Kush përgjigjej?  Ai që ishte përgjegjës. Di që u arrestua. Ikën koka njerëzish dhe nuk janë të vetmit. Keni të drejtë. Edhe në tunelet që hapëm te kodrat pranë Pallatit të Brigadave patëm një viktimë. Dhe e dini se kush ishte? Ushtar! Po! Ishte nipi i Ministrit të Mbrojtjes, djali i motrës së tij. Nipi i armikut të popullit. Djalë nëne! Ashtu të takon të thuash se yt vëlla ka qenë me funksion pranë  tij dhe partia nuk të dënoi, por të la në atë post të rëndësishëm, sepse pati besim. Por ti, ja si ia shpërbleve. E keni gabim. Ashtu të duket? Po të tjerë të vdekur nuk ka pasur?  Patjetër. Tunele e tunele pa fund. Mos harroni zonën e Skraparit. Për t’u futur avionë janë çarë malet dhe ndonjë viktimë ka pasur. Ju thashë, nuk kemi lënë mal e kodër pa çarë. Në Ndroq,  kemi pasur një të vdekur. I ra balli i tunelit. Ndryshuam rregulloren duke marrë shkas vetëm nga kjo ngjarje tragjike.  Kolonel, kolonel, sabotimi yt është i madh. Ai nuk ka kufi. Zoti Loni! Më fol me zoti hetues e jo me emër. Zoti hetues  më akuzoni për faje që unë nuk mund t’i mbaj në ndërgjegjen time. Ke studjuar në Bashkimin Sovjetik, me sa kam informacion, në Moskë. Nuk gaboheni. Mos…? T’ju vij turp për të tilla mendime që keni ndaj meje. Qendrat e zjarrit. Ç’të të them. Janë ngritur me mijëra, mos të të them numrin e saktë. Ja, aty qëndro. Sasia e hekurit dhe cilësia e betonit nuk  dolën sipas  standarteve të miratuara. Kemi qëlluar me predha topi mbi ato dhe asnjë cifël betoni nuk u shkëput. Pllakat e çelikut i sollëm nga Japonia, e dini mirë dhe ju. Edhe në Suedi kemi marrë. Në qitje ka marrë pjesë vetë Kryeministri. Lëreni atë. Janë bërë  studime shkencore dhe dëmtime ka pasur më shumë brenda në bunkerë sesa në transhe dhe në hendeklidhje. Mos u futni aty se nuk i kuptoni. Ato thuaja tjetëkujt dhe jo mua. Për këto sabotime je këtu. Unë dhe shokët e mi… Mos u ngatërro me shokët. Kam shërbyer me  besnikëri  e përkushtim sipas mësimeve të partisë. Kam derdhur djersë e mund dhe ju më akuzoni. Është më se e qartë. Do të  jepni llogari kur të jeni në bankën e të akuzuarve. Hetuesi u çua dhe pas tij u futën dy policë që pasi e prangosën, Kolonel Bunkerin e morën me vete. Ishte viti 1975, vit  nga më të vështirët për ushtrinë shqiptare. Ai duhej dënuar pasi ishte vala e goditjeve, vala e   spastrimeve masiv, kohë  internimesh dhe pushkatimesh të kuadrove drejtues të ushtrisë, ashtu sikundër kishte bërë Josif Stalini në vitet 1937-1938 në Bashkimin Sovjetik. Ai u mor vazhdimisht në pyetje: pyetje nga më të ndryshmet. Kolonel Bunkeri nuk dinte si të përgjigjej, pasi asnjë nga akuzat që iu  ngritën nuk qëndronin. Hetuesi urdhëronte të paraqitej dhe më pas të largohej. Të nesërmen, të pasnesërmen, e kështu me rradhë, e merrte në pyetje. Qëllonte që e merrnin në pyetje natën, në mes të natës ose në të gdhirë. Ai nuk mund të thyhej e të pranonte  broçkullat që i thoshin. E kishte të qartë. Atëherë tortura kaloi në çnjerëzim. Në qeli sollën një arkivol. Ja, aty e shtrinë të prangosur në duar dhe në këmbë, me kokore në kokë. Pranë i vendosën një abazhur që do të ndriçonte ditë e natë dhe së fundi një karrigë ku do të qëndronin gardianë ose oficerë me shkop në dorë, që vazhdimisht do ta qëllonin në kokë që atë mos ta zinte gjumi. Çuditërisht koloneli vazhdonte të rezistonte. I zgjidhnin duart dhe e lejonin të qëndronte ndenjur kur i çonin ushqimin dhe këmbët kur duhej të shkonte në banjo. Një natë, në qelinë e tij u fut “shoku Loni” i shoqëruar nga katër gardianë dhe tha: Merreni dhe çojeni te makina. Kolonelit i rrodhën lotë nga sytë. E ngritën peshë me gjithë arkivol. Nga qelia  dolën në korridor  dhe më tej në oborr. Shijoi për pak kohë aromën e ajrit të freskët të natës, pa qiellin e zi me  vezullimin e miliona yjeve dhe hënën të strukur diku  në një cep. E futën në makinën varrezë dhe morën udhën. Për ku? Nuk dihej. Diku e çuan dhe pasi e zbritën nga karroceria u dëgjua një urdhër: Futeni në gropë! Tmerr psikologjik. Arkivolin, pasi i vendosën kapakun dhe e gozhduan, e futën në një gropë të hapur më parë. Ai luftonte me veten, me ndjenjat, me jetën e tij. Dheu që hidhej me lopata mbi dërrasën e arkivolit, ishte nga më mizoret që kishte shpikur makina e  diktaturës. Po i merrej fryma. Kalonte ndoshta çastet e fundit të jetës. Asnjë nga familjarët nuk do ta dinte se ku  do ta kishin  varrosur. Kishte dëgjuar që zakonisht armiqtë e klasës i groposnin pa arkivol diku nga bregu i lumit. Aq dhe jo më shumë. Kur ai po luftonte me jetën, u dëgjua zëri i “shokut Loni”:    Nxirreni! Hedhja e dheut u ndërpre dhe arkivolin pasi e nxorrën nga gropa ku e kishin futur, i hoqën kapakun dhe e hipën në makinë. Çojeni ku e morët! Kjo torturë  çnjerëzore u përsërit edhe dy herë të tjera gjatë gjashtë muajve të parë. Ai tashmë e kishte të qartë që varrimi dhe zhvarrimi ishin një mjet psikologjik torture, një lojë e tmerrshme denatyralizimi për “armiqtë anonim” të klasës. Ai qeshte me  vete pa u dhënë atyre të kuptonin  që vazhdoni se mirë e keni ,por përsëri në qelinë  time do të  më çoni. Gjithçka bëhej për ta vrarë moralisht e fizikisht. Më në fund e nxorrën në një palo gjyq. Asnjë argument shkencor. Kolonel Bunkeri u akuzua për sabotim në ndërtimin e veprave ushtarake, armik dhe agjent i agjenturave  të huaja. Në fund u dha pretenca dhe e dënuan me 10 vite burg. Muajt e vitet kalonin. Kolonel Bunkeri bëri kërkesë për rishqyrtim të vendimit, por në vesh të shurdhët. Pasi kreu deri në fund dënimin, u la i lirë.  I dërrmuar fizikisht shkoi në Spitalin Onkologjik të takonte të bijën që vuante nga kanceri dhe shtynte ditët e saj të fundit të jetës. E parandjente që do të arrestohej përsëri pa pasur asnjë faj.