Suplementi Pena Shqiptare/ Skënder Rusi: Nuk i njoh ekuinokset

37
Sigal

Kur isha fëmijë!

 

Kur isha fëmijë

desha të isha këpucë përmbi akuj:

Të isha gur

mbi xhamat e fqinjëve,

të isha kapsolle

që hidhej për të plasur

në këmbët e vajzave prej ulërime!

 

Çdo gjë që bëja

më pëlqente të kriste!

 

2-

Kur isha fëmijë

desha të isha Tom Sojeri i klasës.

Të isha shkaku

për të më vënë prangat,

të isha dhimbja

për shoqen time të bankës,

Kur të më shihte

si po m’i hiqnin “gradat”!

 

 

Çdo gjë e bëja

Që të më pëlqenin vajzat!

 

3-

 

Kur isha fëmijë

desha të isha orë e mbetur në mur,

ku koha të kishte ndalur,

akrepat të kishin vdekur,

që fëminia të zgjaste

sa një moshë e pafund,

ose, të paktën sa një shekull!

 

Eh! Përveç fëminisë

asgjë s’më ka mbetur!

 

 

 

 

Dorë e dashur

 

Po bëhen 100 vjet

që ke nisur e dridhesh,

si të ishe fluger që tregon

drejtimin e erës!?

Aq sa tani,

unë kam krijuar bindjen

që s’je pjesë e krahut,

por je pjesë e zemrës!

 

 

Se vetëm brenda saj

gjithnjë fryjnë erëra,

e vijnë ca dimra

që nuk duan të ikin!

Po ti, e vogla ime,

mos u fshih nëpër xhepa,

e mos ki turp

nga sy që të bezdisin!

 

 

Se je dorë poeti

dhe kjo nuk është pak!

Gjithnjë veç ngrohtësi

u ke falur njerëzve.

Gjithnjë e ke urryer

dashurinë fals,

dhe shtrëngimin fals

me duart e të tjerëve!

 

Dorë e dashur,

e di që të kam lodhur,

Në 100 vjet kam bërë

1000 marrëzi!

Por asnjëherë

në dimër s’jam ndodhur,

se sa kur dridhesh ti!

 

 

 

 

                   Rrizgjim

 

 

As që më duhet kjo e puthur,

që ti ma jep se të vjen keq!

Në ç’pjesë të zemrës më ke futur,

që sapo ta shoh, menjëherë ta heq!?

 

 

As që më duhet kjo pikë loti,

që ti më thua se për mua rrjedh!

Unë jam një lumë,

që s’e ndrron shtratin,

që gjithë ç’kam në det e derdh!

 

 

As që më duhet kjo drithërima jote,

që ti e bën t’më torturosh!

Dy sytë e mi do mbeten ishuj,

por asnjëherë dy zero bosh!

 

 

 

 

Në ke perëndi

 

 

Si ta shtyj tërë këtë ditë pa të,

Që më ka ngelur si kjo orë në mur!?

Penduli i saj,as majtas,as djathtas,

Jo se nuk do,por se nuk  mund!

 

Po ndërsa me orën e kam fare të lehtë,

T’i ve në lëvizje akrepat pa faj,

Me ty si t’ia bëj moj ditëz memece,

Që të kurdiste veç e qeshura e saj!?

 

 

Epo,bëji një zë,në ke Perëndi!

Si mund të vritet,kaq kot,një njeri!?

 

PA DASHJE

 

 

Pa dashje kam plagosur një grua.

(S’e dija që më desh aq marrëzisht!)

Ajo ishte një yll nga qielli larguar,

E zbritur në tokë rastësisht!

 

 

Pa dashje kam fyer një grua.

E putha në faqe,

në një natë pa drita!

Pastaj dhe në ballë

një puthje të dytë,

Ia shtypa pak hundën me gisht edhe ika!

 

 

Pa dashje kam vrarë një grua.

(Eh,gratë u vrakërkan aq shpejt!)

Ajo iku në qiell,prej nga ish larguar,

Të vuante zhgënjimin e vet!

 

NDONJËHERË

 

“Kur ndihem e vetme,e trishtuar,e zhgënjyer

dhe e braktisur,shkoj të ec në pyll,në mes

të pemëve.Ato s’më kanë zhgënjyer asnjëherë.”

Romi Shnajder

 

Ndonjëherë më pëlqen të bisedoj

me një pemë të vetmuar,

T’i pëshpëris shumë gjëra

sikur ta kem një të dashur!

T’i them se pemët prandaj janë krijuar,

Të na e bëjnë jetën edhe më të pasur!

 

 

Ndonjëherë më pëlqen të përqafoj

një pemë të vetmuar,

Pa e çarë kokën

se mund të na shohin të tjerët!

E ku ka gjë më të natyrshme

se sa të jesh i dashuruar,

Jo sidomos me vajzat,

po sidomos me pemët!

 

 

Ndonjëherë më pëlqen të vdes

pranë një peme të vetmuar,

Gjersa të bëhem blu

të jem në krahët e saj!

Sepse e di që me gjethe

ajo ka për të më mbuluar,

E jo me dhe` që të më rëndojë

sikur të kem bërë faj!

 

Le të thonë që vdekja

S’është e bukur,

Pastaj…

NUK MUND TË QESH

 

Ti më thua:qesh,

por unë s’mundem!

Kjo nuk bëhet dot me urdhër,

Nuk.

Jam ky shelg lotues

buzë rruge,

Në çdo degë timen

varen murgj!

 

Edhe nga një fllad

ata lëkunden,

Jo pastaj nga erëra

prej dimri!

Nuk di pse pëlqej më tepër

muzgjet,

Edhe diellin,në çast

perëndimi!?

 

 

Ti s’ke faj që më kërkon

të qeshur,

Por as mua,fajin,

mos ma lerë!

Nëse jam,kështu,me re

i veshur,

Kjo më ndodh, se ka pa re,

të tjerë!

KALI I GJELBËR

 

 

Bie shi i pjerrët.Bie.

Pjerrtaz dhe kjo ditë po ik!

Do rrëmbej një vetëtimë në qiell,

Kalin tim të gjelbër ta lidh!

 

 

Ja që,më pëlqen të më bindet,

Veç trishtim më sjell liria e tij!

Jam në moshën që vuan nga trillet,

Si kjo ditë e mbytur në gri!

 

 

Bie,bie shi i pjerrët!

Unë s’e ndal dot.S’mund!

Kam në dorë veç kalin e gjelbër

Dhe me të nëpër humnera humb!

 

NDOSHTA KOT

 

 

Ne të dy jemi njohur

ndoshta kot!

Ndoshta kot i jemi dhënë

njeri-tjetrit!

Njëmijë vjet brenda meje

që diellon,

S’e ke shkrirë dot

dimrin e poetit!

 

 

Ne të dy jemi puthur

`           ndoshta kot,

Ndoshta kot njeri-tjetrin

kemi gjetur!

Shtrirë jam,brenda teje,

si në morg,

Nuk mbaj mend as çastin

kur kam vdekur!

 

Ne të dy jemi gënjyer

ndoshta kot,

Ndoshta kot,të dy,

jemi mashtruar,

Se nuk është e vështirë

të dashurosh,

E vështirë është të jesh

i dashuruar!

NUK I  NJOH EKUINOKSET 

-për tim atë-

 

Sa herë që  shkoj e shoh

nis përlotet,

Mbi supet e mi i harron krahët,

Nëpër klithmat e ngrira

të syve,

Veç fëmijë të verbër

tani luajnë!

 

 

Ndoshta kot që vështroj

brenda tyre,

Drita ime  atje më, nuk arrin!!

Është një portë që

veç një herë mbyllet,

Siç hapet veç një herë në fillim!

 

 

 

Dhe s’ka ndodhur asnjë lloj

ekuinoksi,

Unë s’i besoj kësaj here

as shkencës(!)

Janë sytë e tim eti

që po ikin,

Ndaj kanë nisur

të zgjaten edhe netët!

DITA, NATA, NJERËZIT DHE UNË

 

Jam shndrruar

në lakuriq nate,

Ditën nuk shoh,

si të jem i verbër!

Ngado që shkoj

me siguri do përplasem,

Me hije që lëvizin,

që quhen njerëz!

 

Dita më ik,

sikur mos jetë imja,

Shmanget prej meje,

sikur të jem një lebroz!

I bie ajrit me grusht,

ai ulërin nga dhimbja,

Unë bëhem pastaj

vërtet skandaloz!

 

Kam filluar të bredh

veç me natën,

Që vjen pas meje,

si  prostitutë e vogël,

Me të nuk jam më

lakuriq i varfër,

Po një shpend i madh

që ka pushtuar botën…

 

  DUKE  BREDHUR

Më iku jeta duke bredhur,

Dhe prehjen nuk e njoha dot!

Gjithë hapat,po t’i kisha mbledhur,

Do të rrethohej krejt,ky glob!

 

Sa shumë ditë më hëngrën rrugët,

Edhe sa ëndrra,gjithashtu!

Në se kam qenë shpesh i muzgët,

Shkak keni qenë edhe ju!

 

Në se kam qenë shpesh,i dehur,

S’kam bërë sherr,jo,me askënd!

Kobure vjershash veç kam shkrehur

E natyrisht dhe emrin tënd!

 

Më iku jeta duke bredhur,

Gjersa ta gjej të artin fund!

Në më kërkofsh s’ke për t’më gjetur,

Se varri im s’do jetë askund!

 

S’do jetë askund,këtu mbi dhe,

Po lart në qiell,përmbi re…