Suplementi Pena Shqiptare/ Shpendi Topollaj: Romi i papunë

197
Sigal

Dita e re për Fadilin erdhi si zakonisht.  Zbardhi një mëngjes i praruar dhe i purpurt, por atij mezi i doli gjumi. Si zakonisht, kishte rënë vonë për të fjetur. Kur shkoi para pasqyrës që ishte mpirë dhe e shoqja nuk po bëhej mbarë të blinte një tjetër, ndërmend i erdhi një melodi e vjetër cigane, e cila i ngjallte shumë kujtime fëmijërie. Aso kohe banonin në një barakë buzë lumit në vendin që e quanin Lagjja e jevgjve. I ati kishte një karrocë me një kalë gërdallë dhe atje te fusha e druve vente pa zbardhur mirë. Diçka fitonte. Edhe e ëma, nuk ishte keq; shërbente si pastruese në një shkollë shtatëvjeçare. Ishin shumë fëmijë. Jo se jetonin kushediçë, por nuk vuanin për bukën e gojës. Më së shumti flinin për tokë. Aty shtronin ndonjë dyshek a jorgan të rreckosur dhe i kaplonte një gjumë i thellë. Zakonisht nuk e ndienin të atin kur vinte i dehur. Le që ishin mësuar me të. Nëna përpiqej t`u sajonte diçka të mirë duke gatuar aty jashtë tek oborri i përbashkët. Vetë Fadili kishte shumë qejf të ushqente kalin. I mblidhte për të ngrënë gjatë ditës ç`të mundëte dhe i mbushte një helmetë të vjetër që nga koha e Italisë, me ujë. Nga të tjerët, motrat e vëllezërit e tij, dukeshin më të veshur. Aty, fëmijët në përgjithësi, luanin me ç`të mundnin dhe e qeshura nuk u shteronte kurrë. Dukeshin të gëzuar dhe ashtu këmbëzbathur dhe me barkun jashtë, bërtisnin mesa kishin në kokë. Rrëmbenin nga një copë buke të zezë me vaj kikiriku e pak kripë dhe ja jepnin vrapit pas topit të leckës. Kishte shumë dashuri mes tyre.  Pastaj Komunalja kishte ndërtuar një pallat dhe atyre u kishin dhënë një hyrje në katin e parë të tij. Këtu ishte ndryshe. Fadili shkonte në shkollë dhe shokët i kishte të mirë. Ata e donin atë, se edhe ai ishte i sinqertë me ta. E shanin ndonjëherë, sidomos Keli, kur nuk shënonte ndonjë gol, “Ik mor jevg i mutit!” por gjithmonë me shaka. Kështu që ai nuk kishte arsye të zemërohej me ta. Kishte kryer një shkollë profesionale dyvjeçare dhe kishte pandehur se kaq mjaftonte. Në fillim donte të vente pas të atit, por më vonë, ngaqë atij i ngordhi kali, për të cilin u mërzit shumë, kishte filluar punë në një uzinë si farkëtar. Punonte sa i binte bretku. Me kohë, motrat dhe vëllezërit u martuan dhe shkuan në punë të tyre. U martua edhe ai fare i ri dhe qëndroi bashkë me prindërit, gjersa ata pas disa vjetësh vdiqën njëri pas tjetrit. Shtëpia i mbeti Fadilit dhe ai nga ana e tij nuk ua ndau shkollën fëmijëve. Kishte dy vajza dhe një djalë. Vajzat, ashtu papritur, krijuan familjet e tyre. Kurse djali vazhdoi gjimnazin me shokët. Dhe ja tani, ka gati një vit që askush nuk e merr në punë. Fadili mendonte se këtu ka shumë të papunë, por ndofta atë nuk e merrnin se ishte ezmer. Ndofta dhe e kishte gabim. Për bela, i pa punë është dhe vetë ai, pasi uzina u shkatërrua dhe i doli pronari tokës. Kështu që ai e bleu dhe ia dha një firme italiane për rrobaqepësi. Vetëm e shoqja paguhet, se duke ndjekur zanatin e të vjehrrës, është pastruese në zyrat e asaj rrobaqepësisë. Paga e saj është e ulët. Më shumë Fadilit i pikon në zemër për të birin që s`di nga t`ia mbajë. Me shokët del rrallë e më rrallë, pasi nuk e ka një dyshkë në xhep. Vetë atij, ndofta dhe nga stresi, çdo mëngjes, i vjen ndërmend ndonjë melodi që e shoqëron gjithë ditën e ditës. Le që raca e tyre e ka në gjak muzikën. Edhe sot ajo nuk i ndahej. E ndiqte pas ngado shkonte si një fiksim. Kur pa se po e lodhte e gati po i jepte dhimbje koke, u mundua ta harronte, por ishte e kotë. Edhe pasi u vesh e doli në rrugë, tingujt e asaj muzike i kumbonin në veshë. Që larg njohu Kelin. Ai i thirri në emër dhe pasi u përshëndoshën, u ulën për të pirë kafen e mëngjesit.

Keli, shoku i tij i shkollës, ishte njeri i mirë, megjithatë kjo nuk e pengonte të niste nga ankesat:- Mbetëm gjyqeve me vëllezërit për pronat. U bëmë gazi i botës. Kemi tallur dynjanë dhe tani… Sa turp! Nuk më ndahen ata dhe pas kaq vitesh. Edhe pse i kanë të bollshme shtëpitë e tyre, kërkojnë pjesën që u takon. Pa ç`ka se babanë e paralizuar e mbajta për vite të tëra unë dhe ime shoqe. Sikur nuk u mjaftojnë tokat që kanë marrë.

Pastaj, duke u kujtuar se Fadili kishte hall më të madh, pyeti; – Ç`bëre për punë Fadil?- Asgjë. – Po ti lëviz, mos prit të të trokasë kush në derë dhe të të thotë “Eja tek unë”. – E di mor e di, po kujt t`i shkosh. Shokët e dikurshëm bëjnë sikur s`të njohin.  – Se mos do ndonjë punë kushedi ti… – Më shumë kam problem djalin. Të paktën ai të fillojë diku. I rroftë dhe gjimnazi. Pastaj, do martohet ky njeri apo jo? Me se? Më thuaj! S`kishte ç`t`i thoshte Keli.  – Nuk i dilet me rrogën e vogël të Meremes. Ajo mezi na del për faturat. Keli mendohej. Kur u bënë gati të ngriheshin, Fadili u hodh: – Sidoqoftë, këto kafet do t`i paguaj unë. – Ç`farë kafesh do paguash ti mor budalla. Mos të të them si atëherë kur luanim futboll; jevg. Qeshën të dy. Kur dolën në rrugë, Kelit i erdhi një mendim, ndaj pyeti: – Sa dhoma ke Fadil?  – Dy e një kuzhinë – u përgjigj ai. – Po sikur ta japësh njerën me qira. Pse nuk e jep? Ti vetëm gruan e djalin ke dhe mund të mblidheni në një dhomë e kuzhinë.  – S`e ke keq o Kel, po ta bisedoj një herë me ata të shtëpisë. Se aty kanë pjesë edhe motrat e vëllezërit e mi. Ti e sheh ç`bëhet për pronat. Po e vuan vetë. Keli që nuk e dinte si qëndronte çështja, pyeti sërish: – Po ç`punë kanë në shtëpinë tënde motrat e vëllezërit? – S`i s`kanë?! Ata përfitojnë nga nëna dhe babai ynë. Janë trashëgimtarë. Unë në emër tim, një të tretën kam. Mund të kërkojnë pjesën e tyre në lekë, po ku kam t`u jap unë. Edhe ata keq janë. – Po ti pyeti njëherë… Dhe dil nesër në këtë orë po këtu ta pimë kafen. Të nesërmen Fadili u takua përsëri me Kelin. Për fat, qe i qetë dhe asnjë melodi nuk i qe ngulur në tru. Keli nxorri njëqindmijë lek të vjetra dhe ja zgjati. – Merri t`i kesh. – i tha – Nuk kam më shumë të të jap. – Të faleminderit – Do të t`i kthej sapo të kem mundësi. – Nuk t`i dhashë që të m`i kthesh or Fadil. Ne jemi shokë fëminije. Futi lekët në xhep Fadili dhe shkoi e takoi motrat e vëllezërit. U tha se i priste pasdite në shtëpi. Ata shkuan dhe ai hyri drejt e në temë: – U kam thirrur për një problem. Si unë edhe ju jeni hallexhinj. Por unë vetë i papunë dhe djalin papunë, mendoj ta jap një dhomë me qira për ndonjë zyrë a dyqan, meqë jemi në katin e parë. Ju keni të drejtën tuaj të kërkoni pjesën që u takon. Qoftë dhe në lekë. Keni trashëgiminë nga prindërit. Ata të habitur, thuajse një zëri iu përgjigjën: – Na vjen keq Fadilo. Ne asgjë nuk duam nga ti. Ta dimë se do vdesim për bukë, ty nuk të ngacmojmë. Kjo është prona jote dhe ti bëj ç`të duash me të, se fundja me prindërit ti jetove. Ti i mbajte dhe nuk u mërzitët asnjëherë me babanë sa herë pinte raki. Ta gëzosh ti me Meremen e djalin. Vimë e firmosim ku të duash ti. Edhe para noterit. – U jam shumë mirënjohës – u tha Fadili atyre dhe gati i dolën lot nga sytë.   Pas ca ditësh, me ato lekët që i dha Keli, Fadili spostoi derën dhe zuri me tulla murin. Vuri një lajmërim dhe pa kaluar as dy ditë, dikush lidhi kontratën, duke e parapaguar për gjashtë muaj. Ai tjetri, do çelte një minimarket. Me të marrë paratë, Fadili shkoi e trokiti te shtëpia e Kelit.- U rregullua çdo gjë Keli. Motrat e vëllezërit, ma lanë mua shtëpinë edhe pse vetë janë troku. Po unë erdha të të falenderoj që ma shtive ndër mend atë punën e qirasë, por edhe të të sjell lekët që më dhe. – Më bëhet qejfi o Fadil. Po unë nuk t`i dhashë lekët që të m`i kthesh. Mbaji se jemi shokë. Se unë me këtë rast edhe mësova diçka me rëndësi që nuk e dija më parë; se jevgjit e vërtetë nuk qenkeni ju, por ne që ramë sallatë për një rrip toke. Ju s`kishit gjë dhe këndonit sa tundej lagjia. Se ishit ezmerë nga jashtë, por zemrën e kishit të bardhë. Kurse ne të bardhë nga pamja, por zemrën e paskemi pasur sterrë. Po futu brenda Fadil, të pimë nga një gotë, se mbete te dera.