Suplementi Pena Shqiptare/ Shpendi Topollaj: Për Vladimir Muçën dhe veprën e tij shumëplanëshe

9
Sigal

Kushdo që do të marrë mundimin për t`i hedhur, qoftë edhe vetëm një sy, historisë të letërsisë shqipe, pa tjetër që do të konstatojë jo vetëm numrin e madh të autorëve ushtarakë në të, por edhe kontributin e rëndësishëm që ata kanë dhënë për letërsinë, për të cilën strukturalisti bullgar Tzvetan Todorovi thosh se “i lejon secilit t`i përgjigjet më mirë thirrjes për të qenë njeri”. Ne kuadrot që shërbyem gjithë jetën tonë në radhët e ushtrisë, kemi arsye të ndihemi krenar që nga gjiri ynë kanë dalë qindra poetë, prozatorë, dramaturgë e kritikë letrarë me emër, të cilët me veprat e tyre kanë nderuar veten dhe Atdheun. Oficerët, para se të ishin luftëtarë në mbrojtje të interesave të paqes, lirisë e pavarësisë të popullit e vendit të tyre, janë ndier qytetarë si gjithë të tjerët, që edhe atje në transhe apo marrshimet e gjata e stërvitje me armë në dorë, mes ushtarëve, kanë shpërfaqur shpirtin e tyre të ndjeshëm, dashurinë për të mirën, të ndershmen e të bukurën. Dhe i kanë konceptuar ato sipas formimit të tyre kulturor, njohjes së artit, shkencës apo librave të shumtë që lexonin. Në punën e tyre plot vështirësi, synimi ka qenë përcjellja e kësaj fryme dhe edukimi i efektivave me vlerat më të larta të trashëgimisë tonë të pasur. Ju e dini se nuk kishte repart që të mos kishte bibliotekën e vet plot me libra dhe nuk kishte ditë që të mos i trajtonim ato në orët e kulturës masive. Kjo e bëri librin shok të pandarë dhe një arsye më shumë për të nxitur tek ata më të talentuarit, dëshirën për të shkruar. Se ashtu sikurse shprehet nobelistja Nadine Gordimer: “E vetmja shkollë për shkrimtarin është biblioteka: lexim, lexim, lexim”. Dhe njëri nga ata oficerë që nuk e lëshoi asnjëherë librin nga dora, ishte dhe miku ynë Vladimir Muça, dhe që më pas, me krijimtarinë e tij shumëplanëshe, pra me librat e shumtë që shkroi e botoi, arriti të bëhet një poet, prozator, eseist dhe kritik letrar mjaft i njohur. Andrrallat e pafund gjatë kohës që ai punoi si oficer, nuk e favorizuan e mundësuan që të botonte mirëfilli nga krijimtaria e tij, ndaj e nisi këtë rrugëtim pak me vonesë. Por “Nuk është kurrë vonë për të qenë ai që duhet të ishe”, mendonte George Elioti. Madje, sot më shumë se kurrë, shoqëria jonë, në të cilën po lulëzojnë vese dhe fenomene aspak dinjitoze, mundet të ketë më shumë nevojë për thënien e Camus se vepra e shkrimtarit do ta mbrojë qytetërimin nga vetëshkatërrimi. E parë kështu, qënia shkrimtar, veç të tjerash, e bën një autor edhe misionar të popullit të tij. Ja pse në të dhjetë librat e Vladimirit me poezi gjejmë: delikatesë, ndjenjë, emocion, mall, nostalgji, dashuri, reminishenca për vendlindjen, miqtë, shokët, prindërit; Ostrenin e babait, Libohovën e nënës, apo edhe trishtim për ikjen në emigrim të shqiptarëve. Ja si shkruan ai te poezia “Kokën kthej pas”, ku të kujton diçka nga stili i pavekshëm i Eseninit: “Nderim dhe lavdi s`kam kërkuar, / Zhurmërinë fëminore e njoh, / Ndaj stepem e shumë i menduar, / Vendin ku linda e shoh. / Shikoj portokallin te dera, / Të plakur, pa lule që mot, / Brigjet me brugat e blerta, / Marsiakët të trembur pa zot. / Të desha shtëpi ku linda / Në lagjen Erzen at` Shëndre, / Ndaj veten time e binda, / Me ëndrra të bukura, pa fre. / Buzë brigjeve me shkurre rakitash / Duart i gjakosa çdo ditë, / Vështrimet zhbirues petritash, / I ngjita lart mbi selvitë.” Në tregimet, novelat dhe romanin “Në gjurmët e ëndrrave”, Vladimiri materialin e merr nga jeta, me të mirat dhe të këqiat e saj, me bukuritë dhe shëmtitë e saj, por gjithmonë me besimin se e nesërmja do të jetë më e mirë. Kurse shpirtin e tij të madh dhe mendjen analitike, rrethuar nga një erudicion letrar, ai e shkrin teksa analizon krijimtarinë e të tjerëve, në të pesë volumet e tij. Ezra Poundi ka thënë dikur që “Mos ia vër veshin kritikës së atyre që nuk kanë shkruar asnjë vepër të mirë”. Kurse Ladi e ka vërtetuar se di të shkruajë vepra të mira, ndaj dhe është tërësisht i besueshëm në ato që shkruan për libra dhe shkrimtarët tanë. Shkrimtari Sazan Goliku për “Kaleidoskop” – in e tij thotë: “Duke lexuar shkrimet e kritikat letrare të Vladimir Muçës bindesh se vullneti i duhur, përkushtimi e pasioni për letërsinë arrijnë që për një autor (edhe pa shkollimin e specializuar akademik), të krijojë tekste që i përgjigjen kërkesave e niveleve serioze të letërsisë së një vendi e një kohe, duke dhënë ndihmesë me vlerat që përmbajnë”. Kjo aftësi e tij, ka bërë që autorë të ndryshëm, brenda dhe jashtë Shqipërisë, ta kërkojnë dhe mirëpresin mendimin e tij kritik. Kjo ka bërë që ai të ketë miq ngado, si në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Itali apo Greqi dhe të jetë i ftuar në veprimtaritë që ata organizojnë. Në çdo event letrar, Vladimir Muça shkon i përgatitur seriozisht me shkrim. Punon për këtë pa u lodhur edhe pse duhet pohuar se kjo do kohë, mund, dije e shfletime pa fund, gjë për të cilën dikush vërente se “Nevojitet një mendje shumë e pazakontë, që të marrë përsipër analizën e së qartës” (Alfred N. Whitehead). Por Ladi ia del me sukses, pasi veç mendjes së qartë, ka edhe shpirtin e pastër. Dhe pikërisht për këtë, i bën nder si vetes, ashtu edhe shokëve të tij, me të cilët ndau vitet e bukura dhe të vështira, si kuadër i ushtrisë tonë.