Suplementi Pena Shqiptare/ Shpendi Topollaj: Letra me fotografi

18
Sigal

Minai me Fuatin ishin rritur bashkë. Kishin qenë shokë të ngushtë, gjersa lufta i ndau. Pas pushtimit të vendit, të dy shkuan me ata që kishin filluar rezistencën e armatosur. Por, ndërsa Minai ishte rreshtuar me partizanët, Fuati kishte shkuar me ata të Ballit. Kjo kishte ndodhur mesa dukej, ngaqë Fuati rridhte nga një familje e pasur, pasi i ati kishte qenë një tregtar i njohur, kurse Minai e kishte babanë punëtor krahu në mirëmbajtjen e rrugëve. Përveç se komshinj, ata ishin në një moshë, madje edhe në një klasë. Si fëmijë të padjallëzuar, ata ndiheshin të barabartë. Për ta mjaftonte që e donin njëri – tjetrin, luanin me shokët dhe nuk ndaheshin nga ata në prapësitë e fëmijërisë. Edhe kur u rritën dhe shkuan në shkollën e mesme, njëri – tjetrit ia besonin sekretet për simpatitë që kishin për ndonjë vajzë apo dashuriçkat e tyre. Mirëpo një ditë, dy nga ata komunistët ilegalë, e bindën Minain që të dilte malit me armë. Fuati, kur pa se tek ai nuk kishin besim, dhe me bindjen se edhe ata të tjerët për çlirimin e vendit po luftonin, nuk vonoi dhe u bashkua me një çetë balliste. Por ngjarjet morën një kthesë të papritur: komunistët qenë miqësuar me serbët, gjë që nacionalistët nuk mund ta pranonin, sidomos për faktin se në mes ishte Kosova. Pas Konferencës së Mukjes, ata i kthyen armët shoku – shokut. Kështu që kur vendi po çlirohej, Fuati e nuhati se nuk do të ndahej mirë me komunistët, të cilët ballistët dhe legalistët i kishin quajtur bashkëpunëtorë të gjermanëve. U detyrua edhe ai, bashkë me të tjerët që të largohej me dhimbje nga Atdheu. Pas shumë peripecish, përfundoi në Amerikë, ku nisi punë te një emigrant që kishte hapur me kohë një restorant. Nga disa të arratisur kishte mësuar se edhe i ati, me pretekstin se nuk kishte dorëzuar floririn, qe dënuar me pesë vjet burg. Jo se ishte keq atje, por malli po e digjte për vendin e tij. Prandaj, kur i thanë se të larguarit që nuk i kishin lyer duart me gjak, mund të ktheheshin se nuk do të kishin ndonjë pasojë, pasi qeveria komuniste kishte nxjerrë për këtë çështje një dekret faljeje, ai vendosi të vinte në Shqipëri. Por nga frika se mos e rëndonte fakti që babanë e kishte ende në burg, deshi të dinte sesi ishte në të vërtetë gjendja atje. Dhe për këtë i shkoi mendja që t`i shkruante shokut të tij të fëmijërisë, Minait. Se më mirë se atë, nuk kishte se ku të pyeste. Pa tjetër që ai nuk e kishte harruar. Adresa, do të ishte po atje, tek ajo rrugica me muret me qerpiç ku luanin me top dhe fundja nuk do t`i kërkonte ndonjë gjë të madhe. Vetëm donte të dinte që të vinte apo jo. Dhe për këtë, i thosh që po qe se gjithçka është normale dhe e qetë, t`i dërgonte një fotografi të tijën, ku të kishte dalë në këmbë dhe po qe se ndaj atyre që konsideroheshin kundërshtarë kishte gjyqe e burgosje, t`i dërgonte një fotografi ku të kishte pozuar i ulur në gjunjë. Kaq mjaftonte. E mori letrën Minai që tani punonte në Ndërmarrjen e Grumbullimit dhe u gëzua që shoku ishte shëndosh e mirë dhe qe stabilizuar. Pasi qeshi me vete me mënyrën sesi e kërkonte përgjigjen Fuati, shkoi atje te lulishtja në qendër të Tiranës ku rrinin fotografët, dhe i kërkoi njërit që ta fotografonte, të shtrirë barkas. Fotografi, një burrë i vjetër që se kishte hequr ndonjëherë aparatin nga krahu e pyeti përse barkas. Minai i tha se e kishte marrë malli për ato lëndinat ku dikur kishte qenë me shokët partizanë. U shtri mbi bar, me dorën e vendosur në faqe dhe dukej i menduar. Kur e mori foton pas nja dy ditësh e pëlqeu dhe pasi e futi në një zarf, bashkë me një letër, ku i thosh se këtu gjithçka po shkonte mirë, ia nisi Fuatit në Amerikë. Fuati sapo e pa, e kuptoi se në Shqipëri situata jo që nuk ishte e mirë, por ishte e pamëshirshme për njerëz si ai. Kështu që e ndau mendjen të vazhdonte jetën atje ku ishte. Mirëpo, nga telashet nuk shpëtoi vetë Minai. Nuk kaloi shumë, dhe në një mbledhje të kolektivit, ku kishin ardhur të deleguarit e Partisë, nisën nga akuzat se ai po kërkonte të shpëtonte nga drejtësia ballistin e arratisur që e kishte pasur shok fëmijërie dhe që kishte gjetur strehë tek armiqtë tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku është bërë dhe agjent i tyre. Minai i pyeti se çfarë gabimi kam bërë, pasi në letrën që i dërgonte shprehej se këtu gjithçka shkon mirë dhe se akoma më mirë do të bëhet. U mundua të justifikohej, por ja mbyllën gojën duke i thënë se mban lidhje me djalin e një familjeje të deklasuar, nga ata që duan të përmbysin pushtetin popullor. Në fund të mbledhjes, nja dy të panjohur, i komunikuan arrestimin dhe i hodhën hekurat. Në birucat e Hetuesisë, Minai kuptoi se ata e kishin hapur qysh më parë letrën e Fuatit, i cili priste përgjigjen jo me fjalët e tij të bukura, por me fotografi. Dhe jo, i thanë, që nuk kishe dalë të paktën në gjunjë, por ishe shtrirë fare barkas. Kjo do të thotë, se ti je më armik se vetë Fuati. Dhe pas nja dy muajsh e nxorrën ish partizanin në gjyq. Gjyqi nuk ia zgjati shumë, por e vetmja vështirësi ishte sesi do të formulonin akuzën. Se ishte dhe për të qeshur nga puna e asaj fotografisë ku kishte dalë i shtrirë mbi bar. Sidoqoftë i hëngri nja gjashtë vjet të mira burg, Minai i gjorë. Dhe do t’i; për të mos e harruar kurrë atë që i kishte ngjarë, pasi doli nga burgu, sesi e rregulloi dhe me një mikun e tij, mësoi zanatin e fotografit. Më pas hapi dhe një studio të vogël, ku ndofta edhe ju do të keni bërë ndonjë foto, por natyrisht as në gjunjë e as barkas.