Suplementi Pena Shqiptare/ Timo Flloko: Hëna dhe një Yll

172
Sigal

E panë hënën me një yll.

Në qiell pa rënë mbrëmja…

Kur u bë terr
dolën yjtë të tërë
dhe i panë të dy…

Zunë të vezullojnë
e të ndizen zjarr,
thellë të ndjejnë zili!

Hëna u trazua
tek i pa në ethe
t’egër e tërbuar.

U zbeh në fytyrë:
ra përtej, u fsheh
pas yllit harruar!

Muzgu me përtesë
vonoi të zbresë.
Ajo ndjeu frikë.

Keq do ta pësojë
ky i dashuruar
dritën do t’ia fikim!

Kur pa hënën lart,
ylli u ndez zjarr.
Asaj iu afrua…

“Mos më eja pas
unë ndjell maraz…,
se unë ty të dua…!”

Ylli i dashuruar,
në shpirt i lënduar
mbet’ me kryet pas.

E ndoqën ata
tutje në thellësi
nata mend u zbraz.

“Atë” kush lakmon
qiellit mëkaton.
Është një i pabesë…

Turren aq të marrë,
si një kyqëzatë,
natës pis të zezë!

Përtej kësaj bote
u ndje një lëngatë
dhe mbeti mister!

Vringëllima thikash
vrasës të pashpirt
nginjen si në ferr!

Zbehur në fytyrë
nga ajo mënxyrë
hëna q’e plotë ish

Nga tmerri që pa
atë natë prilli…
U ça, u bë dysh!

Si e panë ata
të dashuruar
klithën si të marrë:

“Rrëmbyes, kusar
ti, yll, imoral…
Kokën në hanxhar!

Shpejt kapën yllin
e linçuan qiellit
Ndriçimin ia shuan

Ai zu të bjerë
gjaku i tij ndezi
verbërine me dritë…

Por, u shua shpejt
gremisjes, në rënie
si meteorit…

Hëna e vrerosur
errur e brengosur
klithi në lëngatë:

“Të desha, o yll
i ndritshëm agimi
katila, pse ma vratë?!”

*

Pareshtur në netë
bien meteorë…
zgrofit t’qiellit fiken

Ndrisin veç një çast
kësaj botës sonë
në ikje tragjike!

Qielli sovran
shpërfillshëm atje
mbretëron mbi re…

Ndizen yje, shuhen
bien e më s’kthehen
porsi efemerë…

Hën’ e re rishtaz
e ndjekur prej yjsh
endet skaj më skaj

Tjetrin yll gremis
gjithësisë pa fund
për trillet e saj