Suplementi Pena Shqiptare/ Shpendi Topollaj: Burri i fisit Kaloshi

207
Sigal

 

Më falni or burra, po a mund të vi dhe unë në tavolinën tuaj? U dëgjoja me vëmendje kur bisedonit dhe u bëra kurreshtar t`u njoh. Jam nga fisi i Kaloshëve të Dibrës.

Këto tha një burrë i gjatë e i thatë dhe me sytë bojëqielli që ishte ulur i vetëm, te tavolina aty pranë.. Urdhëro e mirëse erdhe! – i tha Xhemali, ish pedagogu im që kishte studiuar dikur në Kiev, por pastaj e kishin ndëshkuar ngaqë i ati ishte vrarë duke luftuar me Hysni Lepenicën në kazermat e Gërhotit kundër italianëve. Burri i gjatë qeshi me dashamirësi dhe zuri vend – Do pish një kafe? – e pyeta unë.     Faleminderit! por sapo e piva. Veç desha t`u dëgjoj se më tërhoqi biseda juaj. Kam vuajtur shumë për biografinë, ndaj aq sa më vjen inat kur dëgjoj që ende disave u ka mbetur ora tek komunizmi, aq dhe ngazëllehem kur shoh që e shajnë atë. Epo ne të katërt që jemi ulur këtu, e kemi pësuar vetë nga ai sistem. Edhe pse ishim me të dhe i shërbyem me korrektesë. Ama edhe të mos qe kjo, njeriu me mend duhet ta kuptojë se si na katandisi si popull.  Nga Kaloshët, the? – pyeti Bedriu që deri tani s`kishte folur. Kam një histori interesante me një djalë nga fisi i tyre. Pa hë… – e nxiti Mehdiu, bashkëfshatar dhe shok i vjetër i Xhemalit, edhe ai dikur oficer, por i nxjerrë në lirim fare i ri, pasi një baxhanaku i tij, ministër, ishte cilësuar armik dhe qe pushkatuar.   Para se të hyja në burg, – filloi të tregojë Bedriu – kam qenë gazetar te “Zëri i Rinisë”. Shkonim shpesh me shërbime rretheve. Si rregull lëviznim me makinën e redaksisë, por kur ishte larg dhe do vonoheshim, ia hipnim autobusit. Një herë së bashku me një shok tjetër, na dërguan në Veri, në Kukës, ku duhej të shihnim nga afër punën e të rinjve në një fshat të thellë. Jam i sigurtë se para nesh, atje s`kishte shkuar ndonjë gazetar tjetër. Ndenjëm një natë, ku na pritën si jo më mirë, megjithë fukarallëkun që dukej sheshit dhe të nesërmen, pasi udhëtuam nja dy orë në këmbë, dolëm në rrugën automobilistike që të çonte për Peshkopi. Ishte korrik dhe bënte një vapë e paduruar. Por s`ishte vetëm vapa, që na mundonte. Më shumë të lodhte mendimi se mese do venim atje, pasi aty thuajse nuk kalonin fare makina. Të djersitur e të pluhurosur, u ulëm në hijen e një gorrice dhe po prisnim. Hapëm atë që na kishin mbështjellë të zotët e shtëpisë, ku kishim bujtur dhe filluam të hanim pulën e pjekur që na kishin vënë e diçka tjetër. Nuk kaloi shumë dhe na u afrua një djalë i gjatë dhe shumë i pashëm. Na përshëndeti dhe na tha se edhe ai shpresonte të gjente ndonjë makinë për Peshkopi. Punonte diku andej, s`më kujtohet… dhe i thamë se e paskemi rrugën bashkë. E ftuam dhe atë të hante me ne. Edhe ai na zgjati paketën e cigareve. Shoku im e ndezi, kurse unë nuk e pija. Dukej që ishte shumë i edukuar dhe bujar. Nisëm të flasim për gjëra të rëndomta, siç flitet në këto raste, kur papritur, për fatin tonë u duk një “Gaz – 69”. I zgjatëm dorën dhe makina ndaloi. Të gëzuar u afruam dhe në vend të parë, vumë re një burrë pak si të shëndoshë, që m`u duk si fytyrë e parë diku. Na falni! – i thamë – Ju jeni  Kryetari i Degës së Brendëshme të Peshkopisë. Tani u binda se ai kishte qenë gjeneral në Ministri dhe e kishin emëruar në Peshkopi, si rreth me probleme, që donte dorë të fortë.   Por a mund të na merrni dhe ne, se jemi me shërbim? – foli shoku im. Hipni – tha autoritar ai. U futëm të tre, duke e falenderuar Kryetarin. Kur shoferi po bëhej gati ta ndizte makinën, krejt papritur, Kryetari u kujtua të pyeste duke u kthyer nga ne: Po ku punoni ju djema? Ne i thamë se jemi korrepondentë të gazetës “Zëri i Rinisë”, kurse ai tjetri tha se punonte diku andej rrotull. I pakënaqur si duket nga përgjigja e tij, Kryetari vazhdoi: – Po nga ç`fis je ti?  Nga Kaloshët – u përgjigj ai. Sikur ta kishte pickuar gjarpëri, Kryetari sa dëgjoi këtë mbiemër, urdhëroi prerë:  Ju qëndroni, ti zbrit poshtë! I habitur, por dhe i fyer, ai djali dibran pyeti:  Përse duhet të zbres unë shoku Kryetar? E di vetë ti, më mirë se unë. E ke të qartë se nga ç`fis reaksionar vjen? Mua më erdhi shumë turp. Faqet më shponin, por s`kisha ç`të bëja. Kurse ai djali, me zë të ulët por të vendosur, nuk u tërhoq:  Ju mund të më zbrisni, se makinën juve ua ka dhënë qeveria, por mua mos më ofendoni. Pse jam reaksionar unë? Ngaqë jam i fisit Kaloshi. Epo mësoje një herë e mirë, shok i nderuar: Im atë ma ka rrënjosur qysh në djep dashurinë për vendin tim dhe atë nuk ma lëkund asnjë fyerje, asnjë cilësim dhe asnjë trajtim i padrejtë. Unë jam njeri i ndershëm dhe nuk kam përse ta vuaj faktin që ndonjë fis i largët i imi, nuk i ka pëlqyer pushtetit. Kryetari, mbeti pak ngushtë dhe e pyeti përsëri: Po pa më thuaj se ku do të vesh në Peshkopi?  Tek e fejuara dua të shkoj shoku Kryetar. Ku e ke marrë të fejuarën? Në Peshkopi pra. Jo, desha të them në ç`familje e ke bërë krushqinë?  Aha! Tek familja e N.  Epo e sheh!? Edhe ajo familje e deklasuar është. Familje armiku. Prandaj, të na falësh, se u bëmë vonë.  Dhe i dha të kuptojë shoferit që t`i fuste marrshin makinës e të nisej. Djali i gjatë e pa dhe një herë dhe më i vendosur ia ktheu si për herë të fundit:  Pse, ku duhej të kërkoja nuse? Ja! Ju keni dy vajza të mira. Po t`ua kërkoj e të ma jepni njerën, jam gati ta le atë që kam. Por ju nuk e bëni këtë, apo jo? Makina u nis. Kryetari nuk u përgjigj. Ne u ndjemë shumë keq, por nuk folëm. Kur makina u largua, duke lënë një re pluhuri nga pas, Kryetari, si për të thyer heshtjen, na foli pa na parë në sy: Më vuri në pozitë shumë të vështirë shejtani. U ndjeva shumë keq. Por s`mund ta merrja. Kurrë nuk e harroj këtë histori dhe krenarinë e atij djali simpatik që Kryetari pa asnjë faj e turpëroi. Burri që sapo ishte ulur në tavolinën tonë dhe që kishte dëgjuar me shumë vëmendje, e mori fjalën me sy të përlotur: Nuk thonë kot, se mali me malin nuk takohen, por njeriu me njeriun… Ju atë ditë ishit ulur aty te ajo gorrica, pranë një tabele buzë rruge ku shkruhej “Lufta e klasave, forcë e madhe lëvizëse”. Të kujtohet apo jo?  Bedriu u çudit: Po ti mos vallë je?…  Po, ai djali nga fisi Kaloshi, jam. Ai që takuat ju, kur po hanit mëngjesin që u kishin dhënë me vete ata të fshatit ku kishit qenë me shërbim dhe që më ulët edhe mua atë ditë të nxehtë, ku prisnit makinë për Peshkopi. Kanë kaluar pesëdhjetë vjet… Nuk e harroj pulën që më gostitët. Dhe pastaj, ti nise të diskutoje me atë shokun tënd se ç`duhej ajo parrulla në atë humbëtirë. Flisnit me ironi, por unë vetëm dëgjoja…  Edhe Bedriut iu mbushën sytë me lot. U ngrit në këmbë dhe e përqafoi atë tjetrin.   Sa paske ndryshuar or vëlla.  Kam qenë internimeve shumë vite. Oh! Sa kam hequr, pa bërë asgjë. Vetëm pse disa mendonin si ai gjenerali që përmende ti.  Jo si mendonte ai gjenerali, – ia ktheu Bedriu – por se ashtu thoshte ajo parrulla buzë rruge. Burri nga fisi Kaloshi, duke zgjatur si atë ditë paketën e cigareve, shtoi: E kuptoj, mor e kuptoj. Por ajo që nuk kuptoj është: mirë me ne, se na quante kundërshtarë, këlyshë të armikut, po me ju ç`pati ai që ju shoftë emri ju shoftë?!