Angjelina Xhara: Art shekspirian në skenën e Teatrit Eksperimental, Kujtim Spahivogli,Tiranë!

204
Sigal

 

“Domino në Burgator” me interpretimin brilant të  Nderit të Kombit, Xhevat Limani, të ndjekur nga  dy yje skenike, Alfred Trebicka dhe Rozi Kostani. Dashuri, dhimbje, hakmarrje, falje, hutim, të drejta njerëzore të përshkelura…Luajnë vetëm tre aktorë,  një skenë  e ndërtuar fare thjeshtë…por që nuk i mungon asgjë, për të dhënë”dominonë” e zhvilluar në Purgator ose Burgator, me fatet njerëzore, që përplasen, si me kamxhik nga njëri tek tjetri! Në ballë të skenës është projektuar një lisharse fëmijësh, me kujisjen vajtuese të hekurave të ndryshkura! Mbi një tavolinë poshtë saj , do rreshqasë me lëvizje skenike aq preçize dhe emocionale, trupi i vajzës e gruas të dashuruar, të bërë nënë, por të mbetur pa fëmijë, nga aksidenti tragjik dhe ligësia  njerëzore… Dy silueta burrash ,pa  lëvizur fare,  të gozhduar në tragjeditë personale, janë pikat e referimit të  jetës të saj të sakatuar…

 Një treshe klasike shpreh marrëdhënie kontradiktore, deri në  vdekje!

Dy të rinj të dashuruar që në gjimnaz kanë një histori   sa imagjinare, aq edhe konkrete me fryt dashurie , një fëmijë! Një fëmi , që ka qënë dhe nuk ka qënë…Thotë teksti i naratorit të padukshëm…Ai  trondit tre shpirtra,  të ëngjëllit femëror , të të riut  të burgosur, pa faj, por i damkosur me emrin “ burgaxhi” dhe të hetuesit, të bërë baba i fëmijës , me një martesë, si në skëterrë…

Të tre këta personazhe kanë ngjyrimet e tyre dramatike e tragjike!

Ata vijnë me  shkallëzim e zbulim të vazhdueshëm,  me heshtje e thirrje, me iluzione e pështjellime fjalësh, muzash kaq të papritura, sa spektatori e mban frymën pezull, për të dëgjuar historinë e te mbijetuarve, në çaste tërmetesh të mëdha sociale! Asnjë  nuk është në vendin e duhur! Të tre janë të alarmuar…Të tre mbajnë kryqin e mundimeve  të tyre, duke ja perçuar spektatorit me një gjuhë regjizoriale dhe aktoria!e të përsosur! Sikur zhvillohet një gjygj modern…Vajza ëngjellore do të ruajë ekujlibrin e saj e gjithmonë, sa prek një kujtim të dikurshëm, të dhimshëm, preferon të shkëputet e të fshihet në dëshirën e saj te vetme…”Unë po shkoj të fle, nuk mundem më”…Të kujton Dezdemonën e Shekspirit! Përleshja bëhet e fortë dhe me gjuhë të zgjedhur artistike  falë gjetjeve dramaturgjike e regjizoriale të Armando Borës, por edhe lojës se mrrekullueshme të treshes se zgjedhur aktoriale.

Le ta nisim me aktoren femër, Rozi Kostani!

Ajo është një bjonde e bukur, me flokët e verdha kaçurela, si e pakrehur por çuditërisht aq shumë e bukur , tërheqëse, me sy, të shndritshëm si xixëllonjë. Ajo kërkon të gjejë pajtim me të dy personazhet e jetës së saj, duke luajtur, naiven e të pafajshmen, të dashuruarën apo të sakatuarën në shtratin martesor të detyruar!  Ajo luan me shpirtin e saj ,që i dhemb shumë, me sytë e ngulur tek lisharsja ,që i dha fëmisë së saj, argëtimin dhe vdekjen. Në një çast, ndërsa ajo ngjitet e zbret si e çmëndur në lisharsen ku përjetësisht shikon frutin e saj të dashurisë së  vetme…me episode të plota skenike, kur ndërkohe gjatë shfaqjes, flasin herë njëri , herë tjetri personazh…e pikerisht, kur  dëgjon zërin e të jatit ,që i lutet fëmisë , te bëjë kujdes dhe cdo gjë hesht, ajo përplaset e pajetë, në dysheme…Një skenë, që të shokon  e keqardhja ngrihet furtunë! Një vajzë qe mbeti e dashuruar vetëm me një vallzim, në një ditë me shi, në një lokal modern me drita vezulluese…Spektatori do te donte , ndoshta ta shihte edhe vizualisht, këtë skenë romantike…Por regjia i shënon kamxhikut të jetës! Ajo është e përdhunuar deri në palcë, në çdo qelizë  të jetës së saj dhe përsëri diçka kërkon…Monologu i saj fillon me batuten aq te dëgjuar, si thashethemnajë , me sy të zgurdutlluar…,se ky vend nuk bëhet më!  “ kuja e hekurave të lisharsit, që shkaktoi tragjedinë e fëmisë, mbahet si lejtmotiv dramturgjik dhe regjia ndërkohë zbulon dramat e të tre personazheve….Një tabllo shekspiriane apo migjeniane shploset para nesh, duke ndjekur edhe lëvizjen më të vogël, në qepallat apo sytë, nën gjyslyke të kryeartistit të njohur me famë në gjithë diasporën e shqiptarëve , Mjeshtrit të Madh, Xhevat Limani…Ai hyn i heshtur në rolin e tij… I ulur pranë një tavolinë e lexon diçka pranë  një këpuce, me lidhse të zgjidhura mbi tavolinë… Kujton gruan, që nuk e ka më…Ajo është aq e pranishme, pranë tij, edhe në çastin kur i lidhte lidhset e këpucëve?! Ndërsa në jetë kish mbajtur të burgosur, një dashuri me tre pjestarë…

Ajo ishte dhe shumë e bukur…

‘”Si ju nuk e njihni atë?! “  E provokon ish të dashurin e saj në cepin tjetër të skenës…Dhe Alfred Trebicka, me një lojë të mrekullueshme, na jepet përmes mendimeve apo dhe dialogut në tramundanën e tij të tmerrshme! Të tre janë në Burgator, sikur të thotë në Purgator,…Para spektatorit jepet  një jetë, ku është rrëzuar gjithshka! Djali i ri i dikurshëm, mbas burgut, kërkon të qetësojë shpirtin vetëm me thirrjen që i bën herë pas here, fëmisë së tij në lishars…. Me mjete të kursyera skenikë jepet si në një film të metrazhit të gjatë  një tragjedi njerëzore e padëgjuar.! Dy burrat vuajnë secili dramën e vet, vdesin, zgjohen, hakmerren, përleshen me lloj lloj mënyrash, me dyzime, me ulërimaë ,përshperima të lemerishme! Ndërsa ëngjëlli mes tyre bën aq shumë lëvizje skenike, me një interpretim mjeshtëror të aktores së re, Rozi Kostani! Përballë saj është silueta e figurës djallëzore, që aq shumë e ka torturuar gruan e vajzën e mjerë në të gjitha situatat, në jetën e parë, të dytë…e të dhjetë… Ajo ndrron vetëm flokët nga të verdha, në flokë të zinj, të gjatë, të lëshuara mbi sup me gërshet…kur ishte e re…Ndërsa një herë vë një parrukë me fije të drejta, që si iriq i mbulojnë gjithë fytyrën…Ajo ka frikë të përballet me sytë djallëzorë, që  i ngjallin panik të tmerrshëm, në ëndërr e në zhgjandërr…Ajo luan përballë artistit te madh, Xhevat Limani, i cili paraqitet edhe në këtë rol , me aftësi të fuqishme aktoriale, i  papërrballueshëm në forcën e tipit  demonjk, me një zë që i ka të gjitha ngjyrimet e personazhit negativ, ku  ai  luan natyrshëm, si diçka të përjetuar në atë çast, në skenë, ku Ai rilind e rilind gjithmonë si aktor i madh!  Duartrokitjet e gjata që vazhduan me minuta te tëra në fund të shfaqjes në Tiranë  ishin falenderim për emocionet e shkaktuara nga një punë me nivel të lartë artistik , me një bashkpunim të vërtetë krijues me mjeshtër arti.

 Angjelina Xhara, kineaste e kritike arti