Suplementi Pena Shqiptare/ Sami Milloshi: Pesë vjet në moshën time

249
Sigal

Nuk e mbaj mend se sa herë më kishte pyetur Josh se ç’moshë kisha, por sa herë që më pyeste i përgjigjesha me një kundërpyetje: Sa thua ti Josh?  Ai zakonisht m’i ulte nja pesë vjet, por unë asnjëherë nuk e mora vesh arsyen se pse m’i ulte vitet e moshës: donte të më bënte qejfin apo vërtet ashtu i dukesha. Pastaj , si e mësonte të vërtetën ,me një tis të mjegullt trishtimi në sy më bënte një pyetje tjetër:  Çfar do të bëje ti me këto pesë vjet që t’i ula unë, sikur ta fillojë jetën nga e para? Varet se ku është ky pesë vjetësh – i thosha unë.- Po të isha pesë vjeç do t’i lutesha babait të m’i tregonte përrallat më mirë, sepse për çudi nuk e mbaj mend plotësisht asnjë nga përrallat që më tregonte ai. Po pse ,nuk t’i tregonte mirë përrallat babai? Pikërisht.Atëhere unë nuk e dija arsyen. Tani e di.  Dhe cila ishte? Ngaqë ai kishte mbetur jetim. Ia kishin vrarë babain. Atij nuk i kishte treguar përralla babai. Dhe, ato që më tregonte ai mua , më shumë ishin sajime të tij , se sa ishin përralla. Kjo është arsyeja që edhe unë nuk dij të tregoj përralla. Dhe gjithë këtë gjëmë unë e gjej tek plumbi që i mori jetën gjyshit.  Dyshoj – thoshte Josh si filozof i lashtë- Je i sigurtë ti që po të mos qe vrarë gjyshi yt, yt atë do të dinte t’i tregonte përrallat? Po – i gjegjesha unë – Së paku jo të gjitha përrallat që më tregonte do të kishin një fund të lumtur. Ato fundet e përrallave, ishin njësoj dhe për mua prandaj ishin edhe të mërzitshme. Në fund babai gjithnjë thoshte ” Dhe ata u martuan, bënë shumë fëmijë dhe rrojtën të lumtur”… Atëhere unë nuk e merrja vesh pse babai i mbyllte me lumturi përrallat, por tani e di arsyen. Dhe cila është? pyeste Josh.  Ai nuk donte që unë të mbetesha jetim , si ai – ishte gjegja ime. Josh është bosi im. Është nja dhjetë vjet më i ri se unë. Kapelja me strehë ia tregon moshën e vërtetë. Por , kur ai e heq kapelen i duket rrafshi pa flokë i kokës, dhe një vijë thinjash pas, që e bëjnë të duket po aq sa e kam moshën unë…Pra, dhjetë vjet më i vjetër nga sa është në të vërtetë. Dje u kujtua sërish të më pyeste se cfar do të kisha bërë unë me ato pesë vjet që më tregojnë më të ri nëse do ta rifilloja jetën në moshën njëzet vjeç.  Do të isha martuar – Josh- dhe do bëja më shumë fëmijë sepse e kam peng që nuk ia kreva amanetin gjyshes.  Po pse nuk ia kreve ti amanetin gjyshes? Kur unë u bëra me fëmijën e dytë, gjyshja qe verbuar. Nuk mund ta shihte djalin tim. Por, ajo më tha se “kur të bësh tjetrin, të tretin, do të më kthehet shikimi, dhe kur të bësh të katërtin do të shoh edhe hënën si bukë çerepi në qiell dhe do ta pres një dash për ty…” Unë u martova vonë, dhjetë vjet më vonë nga mosha që do kisha zgjedhur të martohesha me mendjen që kam sot. Dhe  gjyshja iku e verbër nga kjo Botë. – Duket sikur të ka mbetur peng- tha Josh.  Më i madhi peng që më ka mbetur- i thashë. Më dhimbset Josh se nuk ka cfar të tregojë për veten. Nuk e dij pse, po ai gjithnjë kërkon të zhytet si polumbar në moshën time, a thua se do të gjejë në fund të detit ndonjë relike nga anija e mbytur e jetës së vet. Tani që ka rënë pandemia e ka pushtuar një ankth i madh për veten. Dje më tha se kishte parë në ëndërr sikur vendi i tij i punës qe shkurtuar dhe ai kishte mbetur pa para dhe qe bërë skllav në fushat e pambukut. Brother- sheh ti endërra të këqia si këto që shoh unë? – më pyeti Josh. Shoh endërra – i thashë- por unë kam një të keqe se i tjetërsoj ato kur ua tregoj të tjerëve. Të gjitha endërrat që shoh unë kanë fund të lumtur, njësoj si fundet e mërzitshme të përrallave që më tregonte babai në fëmini. Merita është e atij , jo e imja… Çfar do të bëje ti po t’i shtoje moshës që ke ato pesë vjet që të tregojnë më të ri nga sa je?  Do të vazhdoja të punoja sepse nuk dua të shoh endërrat që sheh ti duke mbledhur pambuk për skllavopronarin në fushën ku të përvëlon zhegu…  Lum ti – tha Josh- ty të ka bekuar babai me ato fundet e lumtura të përrallave.  Ato nuk qenë përralla Josh. Ishin e vërteta e jetës së tij prej skllavi. Ai thjesht nuk donte që edhe unë të bëja një jetë skllavi… Kam shumë frikë, brother- tha Josh- unë shoh endërra të këqia. Unë nuk kam më moshë të bëhem skllav përsëri , Josh. Ti je më i ri se unë….Në u bëfsha unë përsëri skllav, gjithë enigma mbetet tek ai plumbi që mori jetën e gjyshit tim. Atë plumb kurrkush nuk e gjeti më. U ndryshk diku në shpat të kodrës me lajthi. Dhe  mbeti aty më shumë se një shekull.  Pikërisht aty ku rrodhi currili I valë i gjakut prej gjoksit të gjyshit…