Sa herë fjala na ka vrarë, as më thoni o të mirë?!
Copa-copa na ka ndarë, siç të çan një egërsirë.
Në çdo cep të jetës tonë, nga do shkojmë edhe vemi.
Fjala na gjurmon gjithmonë, na sulmon me brirë demi.
Dikush të vret për dy lekë, ca me thashetheme koti.
Dikush si dallga në det, dikush me dy pika loti.
Pa u ndjerë të vret ekrani, plot me mburrje, krenari.
Orë e çast psherëtin xhani, ç’ndodh me ty moj Shqipëri?!
Më barbare për të tërë, është bërë politika.
Trupin ta shpon me gjilpërë, orë e përditë të ngul thika.
Eh, sa të vret pushtetari, në çdo zyrë gjuan një top.
Kaq nuk vrau as barbari, pa një shkak, kot fare kot.
Po ku ta çoj shpirtin tim, që pushtuan mëkatarët.
Kjo rrugë më duket pa kthim, se drejtohet nga të marrët.
Ja po iki në një mal, po i mbyll veshë edhe sy.
Dhe atje bie në hall, se thonë ç’kërkon këtu ky?!
Edhe ajërin se ke tëndin, ndaj të vrasin pa mëshirë.
Në fillim zënë e të çmendin, pastaj vrasja shitet lirë.
Edhe ëndërrat na i vranë, shpresat i dogjën në furrë.
Po më tej me ne çfarë kanë, këtu vrasja s’ndalet kurrë.
Ku ta qetësoj shpirtin pak, ku vallë do më adresoni.
Një ditë vdekjen e kam hak,ditë për ditë mos më mundoni!
Dikush flet me zë të mekur, shpirti këtu s’gjen qetësi.
Nëse ke plan për të vdekur, si këtu s’gjen o njeri.
Nuk po i jap dot drejtim, ku kokën do ta përplas.
Këtu shpirti s’gjen shërim, edhe vdekja s’po më qas!
Boll me kaq m’u shter fuqia, fjala vret e çdo gjë vret.
Lot po derdh që Shqipëria, ditë për ditë po shkon në det!
Dyluftim…
Unë po ndeshem me bajlozin,
po s’jam Gjergj Elez Alia.
Sado portës i vë llozin,
hallet hyjnë nga çatia.
Dyluftim tepër i fortë,
që do mbyllet me një fund.
Unë jam qershia mbi tortë,
mund të ndodhë edhe ta mund.
Mund të ndodh edhe të digjem,
dhe gjasat të tilla janë.
Sado trim që unë të hiqem,
bajlozi se njeh shakanë.