Suplementi Pena Shqiptare/ Vullnet Mato: Fati i femrës

293
Sigal

 

Kam njohur rastësisht një femër fatkeqe,

një kanarinë vajzërie, të kapur në leqe,

lakmuar nga grabitqari për trupin perri,

mish i bardhë përfitimi, në trafikun e zi.

S’më tërhoqi për fatin e nxirë me blozë,

si zogëza të tjera, të delikates moshë,

në duar të tjera mashtruesish, kapur,

po për intelektin dhe talentin e spikatur.

Ra në kurth, në kushte të rënda trazirash,

kur tutorët rrëmbenin zogëza rrethinash,

për semaforët, në shtetin tej Adriatikut,

duke fshehur identitetin, si vajz’ e mikut.

Pasi mashtruesi, nuk ia doli me dhunë,

në prostitucion, ta përdorte për “punë”,

shpejt, me dy fëmijë e bëri të tij, qafiri,

duke e lidhur, me dy palë pranga floriri.

Ai mediokër, me padituri të pashkolluar,

kishte një zemër derri, të pa ndryshuar,

mendjen e saj të ditur, me reflekse drite,

mbylli në kënetën e tij me kallamishte.

Mos qoftë asnjë femër, si u ndje ajo grua,

pas universitetit letrar, ku qe diplomuar.

Ai grisi fletoret, të mos shkruante poezi,

i ndaloi çdo komunikim me teknologji.

Të mos kishte kompjuter, as celular,

të jetonte me fëmijët, burgun familjar.

Të mos dilte asnjë hap, nga katër mure,

Të mos takonte shoqe, të mbetej kërcure.

Përjetoi vuajtje, me zemrën copëtuar,

derisa fëmijët iu bën me këmbë e duar.

Më pas vendosi fatin e saj ta bëjë vetë,

të provonte aftësitë, në një tjetër jetë.

Bashkë me ta emigroi, në shtet së mbari,

ku punon si zonjë, e ndarë nga grabitqari.

Aty futi fëmijët të studiojnë gjuhën e huaj,

dhe librat e parë poetik, filloi të shkruaj.

Qyqari injorant, gjeti femër si veten e tij,

dhe paqja familjare ra ndryshe, në dy shtëpi.