Një plakë e heshtur si në ëndërr,
çdo ditë e shoh të vetme fare.
E ulur rri tek pragu i derës,
si një qetësi që fle në varre.
Nuk do t’ia dijë se ç’bëhet rrotull,
kush lind, kush vdes e kush jeton.
E vetme rri atje në strofull,
e s’dihet me kë bisedon.
E rrudhur krejt dhe e kërrusur,
sa mjekrra mund ti prekë në tokë.
I kalon ditët vetullngrysur,
e ndoshta e shan këtë botë!
E hap e mbyll të drunjtën portë,
sikur përkëdhel një fëmijë.
Duket se diçka do thotë,
por prapë pendohet s’do t’ia dijë.
Shpesh gishtat zë i nemuron,
nuk ja kuptoj këtë veprim.
Dikujt kujtimet i tregon,
dhe pse e di që nuk ka kthim.
Të vetmen shoqe në shtëpi,
një kanarinë e përshëndet.
As hyn, as del asnjë njeri,
i thellë mendimi sa një det.
Dy sytë e saj si akullnajë,
i duket jeta shkretëtirë.
Një rreze hëne nisi ta lajë,
një rreze dielli lamtumirë.
Një plakë të lodhur, të munduar,
shikon çdo ditë ky syri im.
Pse vallë ndihet e harruar,
kush ja ka dhënë këtë dënim.
Më çmendi zemra; më çmendi
(Tekst kënge Gurra e Prodanit)
Më çmendi zemra më çmendi,
kur pash një fshat të braktisur.
Bukuritë e atij vendi,
në greminë qenë rrokullisur.
Rrugët, lëndinat të shkreta,
ferrat hipur përmbi mure.
Si një gur i shkulur mbeta,
si një me njëmijë kusure.
Hodha sytë anë më anë,
mbi faqe rrëshqiti loti.
Limar pse kështu të lamë,
të kishim njëlloj si Zoti.
Ngado që kulloste syri,
çdo gjë dukej si vrastare.
Dielli që sapo hyri,
la pas errësirë të madhe.
Më dhembi zemra, më dhembi,
kur ika nga kisha ardhë.
S’më kishte lezet kuvendi,
u largova si i marrë.


















