Suplementi Pena Shqiptare/ Riza Çato: Interesi

Komshi u bëra me një ketër,
u bënë ca ditë jemi gjitonë.
Nga mosha unë pak më i vjetër,
ndaj dhe ka nis më respekton!

Te arra që kam në oborr,
vjen çdo ditë e qëndron gjatë.
I vogël po ngjan me një horr,
kur i ngjitet arrës lartë e më lartë.

Sigal

Me plot respekt e përshëndes,
po si u gdhive zoti ketër?
Ai ma kthen serbes,serbes,
ik or burrë shiko gjë tjetër!

I them ç’kërkon në pronën time,
s’jemi ortak,jemi gjitonë?!
Nga trupi ngren një tufë me qime,
dhe duket si të jetë balonë.

Ashtu menduar përmbi degë,
përpiqet diçka të më thotë.
Unë nga inati skuqur,shegë,
i them zotëri këtu ka zot!

Se çfarë i them nuk do t’ia dijë,
zë i çan kokrrat një nga një.
E mira është më mos të vijë,
do bëhemi hasëm përgjithnjë.

Po ik më thotë,shih punën tënde,
se ky zanat është puna ime.
S’thua shyqyr që u gjënde,
se paske ngelë si një jetime.

E pash që s’po merreshim vesh,
dhe thashë dikush duhet tërhequr.
Fillova që t’i buzëqesh,
ashtu tamam si një i thekur.

Po mirë tani që vjen për arra,
kur të mbarohen do dalësh prapë?!
Nëse ç’ke mbledhur m’i vë përpara,
vij për tek ty vetëm me vrap!

Qershia majhoshe

(Gurra e Prodanit)

Qershia majhoshe,
rritur sa një pemë,
prisja të më thoshe,
ca vargje për penë.

Moj vetull lastare,
moj qerpik lëshuar,
të prisja manare,
diçka për të shkruar.

Se nga goja jote,
dilte vetëm mjaltë,
pse s’ma the zotrote,
atë fjalë të artë.

Atë fjalë të artë,
pse s’ma the moj nure,
t’u luta çdo natë,
mos më sill kusure.

Atë fjalën tënde,
do ta ktheja këngë,
përse nuk m’u gjënde,
moj e mira hënë.

Pse rri e menduar,
moj lule behari,
vargun ta kam shkruar,
plot me fije ari.

Po nuk të pëlqeu,
mos m’i hidh më sytë,
nëse të rrëmbeu,
falmi dashuritë.