Suplementi Pena Shqiptare/ Neviana Shehi: Deti në dimër

197
Sigal

Deti në dimër
është një plak me mjekër të bardhë,
që grindet me brigjet
dhe varkat e lodhura të peshkatarëve
shpërndarë gjithandej.

Sa herë që kam kaluar pranë tij
ia kam ndier sharjet dhe murmurimat
ndër dhëmbë.
Ia kam provuar inatin dhe ulërimat epike

Jam vajzë e rritur pranë tij
dhe jam zhytur në të që e vogël

Deti në dimër është një Poseidon i pamëshirë
që s’njeh gjuhë tjetër përveç egërsisë.
Mjafton të fryjë pak erë dhe tërbohet,
si egërsira pas ushqimi.

Netëve të errëta ulërimat e tij
vijnë gjer pranë dritareve të mia
duke mbjellë drithërima paniku.

Nesër mes rërës
do të zbardhin
kufoma peshqish
dhe kuajsh deti

Dje solli të mbytur dhe një peshkatar!
I gjori ish munduar të luftonte

me egërsinë e tij,
por s’ia kishte dalë.

Deti është një perëndi e madhe,
që kërkon edhe flijim.
Dhe kjo gjë gjithmonë trishton
dhe s’them asnjë fjalë të keqe:
do të ishte thjesht një marrëzi prej naiveje
para perëndive të tilla.

Unë vetëm lutem
dhe mbaj në duar një shandan të kristaltë,
për t’i dhënë pak dritë e ngrohtësi
detit në dimër …