Suplementi Pena Shqiptare/ Rexhep Shahu: S’po di a ta mbaj për vete a për vlla

128
Sigal

(fragment nga libri im në proces “Lufta ime për Kosovën)

Dy ditë pasi trupat gjermane kishin hyrë në Prizren përmes Kukësit, në qershor 1999, një komandant UÇK-je dhe tre kuksianë po shkelnin për herë të parë në Kosovën e lire.

Në sedilen e parë të makinës rrinte ulur komandanti i UÇK-së, që ishte bërë komandant jashtë Kosove. Si udhërrëfyes po hynte në Kosovë me miqtë e tij kuksianë, për herë të parë që kur kishte ikë prej saj në verën e një viti më parë me organizue luftën.

– A pe shihni këtë vilën e madhe këtu anash bre dajë, a po e shihni, – po i pyet komandanti miqtë. U thoshte dajë, pasi shumë prizrenas dhe banorë të rrethinave të tij, janë dajë e nip me banorët e Kukësit e të rrethinave të tij.

– Po, dajë, po e shohim, – iu përgjigjën me një gojë të tre.

– S’po di a ta mbaj për vete a ta za për vëlla…

– Si the dajë, se nuk të mora vesh, – ia priti njëri pasagjer, që nuk i kishte mendtë në vend, pasi po shihte i hutuar e i mrekulluar njëherësh për herë të parë Kosovën dhe ishin afër qytetit të Prizrenit.

– Na bëjmë për vlla bre dajë…

Hynë në qytet. E kush nuk mrekullohet në Prizren. Komandanti aty ulur në sedilen e parë, foli prapë, edhe pse e shihte se miqtë e tij ishin hutuar tek e shihnin për herë të parë qytetin e Prizrenit.

– Shiqoni aty në shpat bre dajë, a pe shihni atë villën dy katëshe me oborr…

– Shumë e bukur, – foli njëri nga miqtë.

– Eh pra, nuk po di a ta mbaj për vete a për vlla. I kam në dorë të dyja villat dhe duhet me ia dhanë njanën vllaut. Na bajmë për vlla… Diqysh po duhet me ba…