Suplementi Pena Shqiptare/ Remzi Zeqja: Antonimia në romanin “LUMI i VDEKUR” 

94
Sigal

Dihet se antonime quhen fjalë me kuptim të kundërt. Antonimia shprehet me fjalë ose togfjalësha të qëndrueshëm dhe ndeshet dendur në ligjërimin gojor e të shkruar, sidomos në gjuhën e figurshme të letërsisë artistike. Ja pse jam përpjekur të trajtoj vetëm një pjesë të antonimive, që ka përdorur prozatori ynë i shquar Jakov Xoxa në romanin “Lumi i vdekur.” Janë parë ato, kryesisht në planin semantik e stilistikor, gjithnjë me synimin për të nxjerrë në pah disa raste tipike përdorimi në bashkëvajtje me emra a folje, mbiemra a ndajfolje, me frazeologji metaforike me bazë antonimike. Mjetet gjuhësore antonimike, aq të parapëlqyera nga Jakov Xoxa, gjejnë pasqyrim në disa drejtime: a. së pari, në përshkrimin e mjediseve dhe situatave. b. së dyti, në  portretizimin e personazheve. c. së treti, në dhënien e gjendjeve të ndryshme shpirtërore. d. së katërti, në krijimin e mundësive për të shpalosur humorin popullor. e. së pesti, duke i shërbyer autorit në zhdërvjelltësimin e stilit. (Paçka se ndonjë autor bashkëkohës e quan proliks, shumëfaqësh, ai mbetet i freskët e i lexueshëm me ëndje në çdo kohë.) a. Në romanin “Lumi i Vdekur”, i vëllimshëm, shumëplanësh e me peshë në letërsinë shqipe, J.Xoxa shpalos gjendjen sociale, morale e psikologjike të myzeqarit gjatë luftës për ekzistencë e mbijetesë.

Dhe jo vetëm të myzeqarit, por edhe  të një numri të madh kosovarësh, që u shpërngulën në Myzeqe në dekadat e para të shekullit XX. Për realizimin e asaj tabloje të gjerë shfrytëzimi e skamjeje të skajshme, midis figurave të shumta letrare dhe mjeteve stilistikore, autorit, sidomos gjatë kundërvënies, i jep dorë edhe  përdorimi me efikasitet i antonimisë. Duket si i pashoq në vendosjen aq pranë e pranë dhe aq natyrshëm të antonimeve, si: lindja dhe vdekja; kamja e skamja; e mira dhe e keqja; dashuria dhe urrejtja; njomësia e ndjenjave, nga njëra anë dhe patriarkaliteti,  në anën tjetër. Janë tallazitjet e jetës së Pilo Shpiragut, që, në luftën për të jetuar i duhet të përballet me fshatarët, beun e tuxharët e Fierit; madje, dritëhijet e botës shpirtërore të Vitës në atë fshat me emrin “Trokth”, që i kundërvihet fjalës “Lumthi”. Jeta me plot drama e të papritura, të gjitha së bashku, janë shtrati kryesor, serat ku do të mbillen mjetet leksikore antonimike. Pa iu ndarë një gjuhe të figurshme metaforike, ku jo rrallë gërshetohen  antonimet me antitezat, ja si jepet që në fillim një tablo e zymtë e Myzeqesë përmes syve të Sulejman Tafilit, zbritur disa javë më parë nga Kosova: “Këtu, për atë, kishte çdo gjë dhe nuk kishte asgjë; ujë plot, por asnjë pikë për të lagur gurmazin e robit dhe rrënjën e bimës; tokë sa të duash, por të mbushur grem i gjallë; diell me barrë, por asnjë pemë për të njomur gojën e për të bërë hije; dimrit- baltë gjer në gju, verës- pluhuri gjer në qiell.” Autori e shoqëron antoniminë me çifte sinonimike herë emra, herë mbiemra, herë ndajfolje, por gjithsesi pa rënë asnjëherë në përsëritje: “ Nën thojtë e beut në kënetë, nën thumbin e kunupeve në mes të ujit…të pish e të mos kesh të ngopur, të digjesh nga ethet e të mos kesh të shuar.” “Të gjallit ia pi shpirtin, të vdekurin e ruan… Këso toke kemi ne këtej, o grizarak,-i foli xha Rrapi. -Po keni parë ju? …për fshatin, ky lumi i Trokthit është i vdekur e i mallkuar, për mua grizarakun, po del i gjallë e i bekuar.” Duke i qëndruar besnik një stili  meditativ, autori J.Xoxa vazhdon bashkëshoqërimin me kundërvënien, sidomos nëpër shtegun e antonimisë. Ai e ka fare të lehtë kështu të kalojë edhe në disa përgjithësime të goditura aforistike: “Gurin e rëndë të varrit të vdekurit ia vënë, po i gjalli e mban…Siç duket, atyre të qeverisë u ardhka më tepër keq  për të vdekurit se për të gjallët! “Ēshtë e çuditshme puna e jetës: ditën të tremb heshtja, natën të frikëson zhurma… Çudi, atë që njerëzit rrahin ta largojnë me çdo kusht, ajo vjen e u ngulet në mend më keq.”

Gjatë gjithë romanit “Lumi i vdekur”përdoret dendur kundërvënia, ndaj dhe autori parapëlqen strehimin tek antonimia; ndërkohë, shkruesi i këtyre radhëve nuk e ka të lehtë përzgjedhjen: ç’të lërë e ç’të vërë. Vështirë është të zbërthesh shpirtin e robit! Shpeshherë, ai mbështillet nëpër një rrjetë të padukur pezhishke e s’të lë të depërtosh në zemrën e tij, pa e zgjuar ndërgjegjen, që, si një merimangë e zezë, me t’u prerë një fijezë, zgjohet e bëhet gati të mbrohet a të sulmojë. “Zemrat e fshatarëve janë  burime, jo puse: lëri të rrjedhin vetë; po i mbylle një herë, shterin.” Krahas pasqyrimit me vërtetësi të një kohe anemike e të skamur, ku njerëzit jetojnë sa për të mbajtur frymën gjallë, autori  gjen vend edhe për notat e një humori të hollë, që na jepen te ky roman me një gjuhë të pasur e figurative, por edhe nëpërmjet çifteve antonimike: “As e vdekura, as të gjallët nuk kishin zënë vend  mirë atje në shëllirat e Trokthit, kur, ndaj dreke, dha ballë Lip Gjanica… zija që na ra mbi kokë, na largoi nga të gjallët e na afroi me të vdekurit.” J.Xoxa e vizaton deri në hollësi kontrastin e jetës, sfondin e mugut dhe të errësirës, duke përdorur fjalët antonime dritë dhe errësirë, që përdoren bashkë me gjymtyrë plotësuese në gjinore, shoqëruar me një çift tjetër antonimik me bazë foljore e me ngjyresë stilistikore: “Qëndroi mes kasolles, por nuk dalloi njeri. Ia vuri fajin dritës së diellit, që ia kishte marrë sytë, ndërsa errësira e dhomës mezi po ia kthente dhe qëndroi një copë herë duke rrahur qepallat… Ata s’i mbledh nata, jo më dita.” Duke poetizuar pa tepri, por me logjikën e përligjshme të krijimit artistik, shkrimtari vazhdon të luajë me dritë – hijet: “Ishte gati të pyeste për diçka, kur në derë u trazua drita me hijet dhe në kasolle u fut teto Konxhja. Kandili u shua dhe errësira që mezi zuri vendin e dritës, vajti e u bashkua me blozën e zezë të trarëve e të qeprave të tymosura…Të gjithë mallkonin: mbeç thatë, o lumi i gjorë, pa një pikë ujë, siç ia thave kupën fëmijës për një pikë qumësht… Nuk di më tutje, por gjer në këtë ditë – mirë kam parë e keq s’kam gjetur nga ky lumë”.- vazhdon antoniminë autori dhe përdor përsëri antoniminë, gjuhën lakonike, duke realizuar emocionalisht të vërtetën e hidhur të jetës së përditshme: “…verës- thatë: plasa – plasa si buza jonë; dimrit – ndjell e vjell dallgët e detit.” Duke e njohur mirë gjuetinë e zonës, autori nuk mungon të përshkruajë, aty-këtu, madje, gjer me imtësi, aspekte nga jeta e gjuetisë dhe, si një gjuetar antonimesh, që mbështeten në kundërvënien e kuptimeve leksikore e jo në strukturën e tyre formale, arrin të gërshetojë me elasticitet çifte antonimike:  “Kërret në errësirë s’e kanë të gjatë fluturimin, ngrihen  këtu e bien pak më tej, duke rrahur krahët e plogët mbi ujë.” b. Antonimia  i ka shërbyer shkrimtarit edhe për dhënien e portretit fizik e moral të personazheve pozitiv e negativ. Ja për shembull, si jepet portreti i Vitës, duke përdorur çiftet antonimike: “Flokët e saj të verdhë si kurorë varaku mbi ballët e llamballes, u derdhën supeve, ndërsa sytë u ulën përdhe nën ata qerpikët e zinj, që dukeshin sikur ishin vënë aty për të endur hijen e zisë… Atëherë, mallëngjimi, dhembja dhe ëmbëltia, trazuar e bërë një me sytë e saj, i dhanë një vështrim gëzimi të përzishëm e zije të ngazëlluar.

Pranë lumit, toka rri më e thatë, pranë gojës – buzët përthahen më shumë…Këtë të kujtonin buzët mishtore, po të rreshkura të Vitës.” Me dy antonime foljore ‚ lidh‘ e ‚ këput‘, autori plotëson portretin moral të nënë Sofës, e cila, me pjekurinë e vet, i jep fund asaj situate mëdyshjeje të të birit, Pilo Shpiragut, mbetur në udhëkryq me gruan e vdekur në qerre dhe me kalamajtë të llahtarisur …Tek yt kunat, s’kemi qysh vemi, or bir…ç’na lidhte, u këput!”… Herë-herë antonimia realizohet me efektshmëri të lartë portretizuese përmes veprimeve dhe përshkrimeve në hapësirë e në kohë, duke dhënë ndryshimin dhe kontrastin e gjendjes fizike e shpirtërore edhe nëpërmjet fjalëve, që mbartin nocione konkrete e abstrakte: Në romanin “Lumi vdekur”, ndeshim, herë-herë, antonime për të theksuar konceptimin e ndryshëm që kanë për jetën dy personazhe të së njëjtës klasë, po të moshave të ndryshme. Kështu ngjet kur Dafina e shkathët dhe e rafinuar kërkon të rrëmojë e zhbirojë në jetën intime të Vitos, duke qeshur mandej me naivitetin dhe dyshimet e vajzës se mos kishte ngelur vërtet shtatzënë mbas asaj ëndrre që kishte parë: “Eh, Viçe, Viçe; mjafton një gur i vockël që të drithërojë faqen e një kënete të tërë e jo një zemër të shkretë…Zemra duket e madhe,-vazhdon Dafina,- po qenka e vogël…Vetëm një merak dhe atë, nganjëherë s’e mban dot… Mua vetëm një fjalë më hodhi ai, kuturu…Po ty, mos të ka hedhur dorën, moj korbë?!” Vita e pati dhe lehtë, dhe rëndë t’i hapë zemrën”,- e vazhdon autori: “Edhe vetë grizarakja u çudit sesi i dha kaq shkoqur mendimet e saj e kaq fshehur ngjarjen që e kishte vënë në brengë.” Cakun e formimit dhe të botëkuptimit të një personazhi, shkrimtari na e jep me një replikë të vetme e me një antonimi në mes: ” Ja, moj bijë, -thotë teto Konxheja-, kur ndërron vend njeriu në këtë botë e në tjetrën, duhet të ndërrojë edhe rrobat e të veshë të reja se s’bën…Dhe kasollja, zbrazur përnjëherë nga njerëzit, u mbush me hijen e së vdekurës dhe me frikën e së ardhmes.” Në përshtatje me sintaksën ligjërimore të gjuhës së popullit, autori pasqyron botën e brendshme të personazhit edhe nëpërmjet antonimeve të shprehura me një ose dy fjalë a njësi frazeologjike: “Kosovari sikur të paskësh pirë atë hop një kupë helm që të pik në zemër e jo raki që të ndez në shpirt, nuk foli…Ata s’i mbledh nata, jo më dita.” Përmes dialogut të ngrohtë dhe antonimisë, romani zbulon personazhet, por edhe shpalos copëza varfërie e shprese për jetë më të mirë. Plakës Konxhe, që ndien t’i trokasë vdekja dhe s’ka një fustan të zi e të ri, Vitoja e re i thotë: “E, moj teto Konxhja, sa bohça do lidhësh e do zgjidhësh ti e sa fustane do grisësh akoma, aq të mira qofshin:

Pse, gjithnjë kështu fukarenj do jesim ne, Shpiragajt, që të veshim në gjallje rrobat e prera për vdekje? Jo, moj bijë, qoftë larg!” Fjalët antonime J Xoxa i përdor me mjeshtëri, sidomos për të portretizuar një personazh negativ. I tillë është edhe prifti i fshatit. Nëpërmjet situatash komike, bie pre e ironisë dhe sarkazmës së autorit. Kështu, huqin e priftit që fliste e mendonte vetëm për vdekjen e të tjerëve, autori e stigmatizon me humor të hollë: “Eh, kështu e ka kjo botë, lindëm e do të vdisni.” c.“Baresha u kthye përnjëherësh, duke i kthyer shpatullat dhe i hodhi një bisht syri, hëm me frikë, hëm e çliruar nga ankthi i asaj ndjenje të pakuptueshme, që i riu edhe e kërkon, edhe e largon.” Vërejmë se si në kontekstin  e mësipërm, që ka në bazë antoniminë, para çdo fjale të çifteve antonimike është vënë pjesëza “hëm” apo lidhëza bashkërenditëse “edhe”, me qëllimin që të theksohen më mirë fjalët antonime pas tyre. “Dashuria i bën njerëzit të mos mbeten me kokën pas, po të shikojnë përpara: “Baresha u kthye përnjëherë duke i kthyer shpatullat dhe i hodhi një bisht syri hëm me frikë, hëm e çliruar nga ankthi i asaj ndjenje të pakuptueshme që i riu edhe e kërkon, edhe e largon. Dashuria që i jep flakë dhe mban gjallë jetën, qenka më tepër ngjitëse se zbritëse.” Ndjenja e dashurisë shprehet nëpërmjet kundërvënieve të forta. “Adili uli kokën dhe e mbështeti me një ndjenjë të trazuar sulmi dhe përmbajtjeje. Vita e pati edhe lehtë, edhe rëndë t’ia  hapë zemrën, u shpupurit në një drithërimë që i mori që nga rrëza e flokut e i shkoi deri në majë të thoit…  u shtang , se, qoftë fatkeqësia, qoftë lumturia, kur vijnë papandehur, të vrasin njësoj.” A kishte ndonjë lidhje në mes të diellit që po shuhej e vajzës që po digjej flakë? “Vitoja vuri dorën, si për të prekur puthjen e tij. Dhe iu kujtua puthja që i dha djali nën shenjëzën e gushës, puthje që të shuan e të ndez prush.”

Antonimet, sidomos në përshkrimin e situatave erotike, ku është e pranishme ndjenja, janë aq të shpeshta e aq pranë, sa të duket se do të shkapeten me njëra-tjetrën e do t’ia zënë frymën fjalisë, por autori sikur luan symbyllurazi me ato e s’bën gjë tjetër, veçse kthjellon mendimin dhe poetizon shprehjen: “Lotët e të rinjve janë si shiu i verës: zënë njërën anë të gushës, tjetrën ta lënë thatë.” …  krahët i ranë të këputur, tërbimi që u pati dhënë zjarr gjithë gjymtyrëve të tij, u shua në çast dhe iu kthye në bëlbitje të çalë.”

  1. Gjatë leximit të romanit “Lumi i vdekur” nuk të ndahet nënqeshja, sepse ligjërimi popullor tretet artistikisht përmes rrëfimit a replikave, gjetjeve e teknikave të shprehjes së figurshme. Nëpërmjet marrëdhënieve antonimike të qarta nga ana strukturore e të plota nga ana semantike shpaloset forca stigmatizuese dhe tehu i kritikës ndaj personazheve negativë. Kështu, kur tregtari dëgjon të thonë se si nxjerr Pilo karrocaxhiu rërë me lopatë nga lumi, ashtu nxjerr edhe Lip Gjanica para nga xhepat e fukaras. Me “lojëra” fjalësh, në situata komike shihni si shpërfaqet humori i të folmes së fukarenjve, përmes antonimisë në fjalitë asigmatike: “Gostia kështu e ka: mishin e ha miku, lëkura i mbetet të zot…Mos do që ti të bësh gostinë e unë të heq harxhet? …Pleqëria të shtoka nepsin e të merrka takatin.” Me një leksik të përzgjedhur e të qëmtuar hollë, me një gjuhë ligjërimore popullore, të themi, aforistike, këndon antonimia e humori bashkë në penën e prozatorit të shquar myzeqar, një gjuhë aq e lirshme e spontane, që rrezaton me ato ngjyrimet dhe nuancat fine kuptimore:- “Na pikoi në zemër zuska me lotët e na ëmbëlsoi më pas me grurë… Ti më je bërë si retë e verës, o plak, vetëtin e bubullon, një pikë shi s’lëshon. Pa beun rrohet e ç’rrohet në botë, po, pa shokë nuk bëhet.” Gjithmonë i përkorë, autori ndjek ngahera veprimet e personazheve, duke vizatuar mirë mjedisin, ku vendosen ngjarjet. “Eh, o kumbar,-zuri t’i përgjigjet plaka mysafirit kosovar, duke hedhur drutë në zjarr e duke shkuar të kërkojë në arkë për ndonjë llokum. Ata s’i mbledh nata e jo më dita. I vogli ka shkuar në Shëndelli për dru; i madhi po, si tërmon, përtej Lumit të Vdekur, me pelat „. Me qenë sa më origjinal, tërheqës e komunikativ, autori, më të rrallë, ka vënë në gojën e personazheve edhe fjalë tipike në përdorim edhe të shformësuara, si “majaft” e ”byrazer”, që i ka në majë të gjuhës Pip Kedhi, i cili i ngul mirë gozhdët e fjalëve: “ një të vetmi mund t’ia hedhin majaft kollaj, gjithë fshatit s’do t’ia shkapërxenin dot…“E folmja e Kosovës shkrihet me të Myzeqesë, duke i afruar njerëzit e duke krijuar edhe nota humori. Në pasazhin e mëposhtëm, veç të tjerash, ndeshim kundërvënien antonimike të togfjalëshave të qëndrueshëm, që përbën një tip të veçantë strukturor e semantik të antonimisë në gjuhën shqipe: “ Si me thanë, e qit nga ujt e ftoftë të lumit dhe e hedh në ujët e ziem valë të kusisë; kësisoj gatuhet, oj Konxhe, ai zogu i lumit ?” Sa mbarë mbrapsht” përzgjedh autori nga e folmja popullore antoniminë me ndajfolje dhe e vë si përgjigje në gojën e kosovarit. S’kanë si të mos zënë vend në ligjërimin e përpunuar të autorit çiftet e pranëvëna antonimike foljore, që të ngjizura e të trupëzuara, herë-herë, me mënyrën e të rrëfyerit si në gjuhën e përrallave- i japin gjallëri e dinamizëm, ngjyrim emocional fjalisë: ”Hynte  e dilte vjeshta, e zinte dhe e linte dimri, vinte e shkonte vera dhe kumbarja s’kujtohej të hapte gropën e të kërkonte rrëzë fiku…Ditë e javë erdhën e shkuan dhe e gjetën e lanë grizaraken me këtë ankth në zemër.” Sesi operon me mjeshtëri autori në fjalët e gjuhës shqipe, mjafton të shikojmë vetë thënien e urtë popullore “Lype se s’ta jep, merre se s’thotë gja”, të cilën, pa e prekur thelbin e saj e stilizon me formën ” T’ia kërkosh, s’ta jep; merre se s’të nget”, ku përftohet edhe aliteracioni në ndërtimin më të qëlluar sintaksor. Si  përfundim, në këtë 100-Vjetor të ditëlindjes së prozatorit të shquar, më vjen mirë të theksoj se shkrimtari Jakov Xoxa në përzgjedhjen dhe përpunimin që i bën ligjërimit popullor, si edhe në  përdorimin funksional të figurave letrare e mjeteve stilistikore, ia ka rritur shumë vlerat  romanit “Lumi i Vdekur”dhe letërsisë shqipe, duke e trajtuar fondin e pasur leksikor me kulturë e ndjeshmëri të thellë artistike.