Suplementi Pena Shqiptare/ Prof. Dr. Bardhosh Gaçe: Armenida Qyqja ose të frymosh poetikisht çastet jetësore…

181
Sigal

Poezia femërore dhe gjithë veprimtaria letrare, që për një vend të caktuar vjen në çdo kohë përbën një fondament të rëndësishëm për kulturën e atij vendi. Kultura dhe spektri kulturologjik apo shpirtëror që krijimtaria femërore i afron letërsisë përbën një brendësi të nevojshme për të cilën kultura moderne bashkëkohore ka nevojë gjithmonë, pasi poezia është një lloj pasqyre ku shpirti lirik i popujve dhe kombeve sheh fytyrën e vet. Këtë element të rëndësishëm, një ind i gjelbëruar gjithmonë nga raporti që poezia femërore krijon dhe vendos me jetën, thelbin lirik dhe shpirtëror, pavarësisht vjetërsisë që poezia si akt komunikimi iu shfaq shoqërisë njerëzore, kulturës së popujve ka qenë e mangët, pikërisht për shkakun e mungesës së poezisë femërore.

Një çështje tjetër që sjell vëmendja që krijon poezia femërore lidhet dhe me angazhimin dhe tendencën sociale të emancipimit, dhe pse kjo poezi është në thelb një komunikim personal, por gjithësisht ajo lidhet me kontekstet, shoqërinë, mjedisin, rrethanat si shprehje zhvillimi apo pasqyrimi, por dhe me atë që ajo aspiron dhe kërkon të thotë.

Poezia mbart kohën në vetvete, qoftë të natyrës lirike, sociale, epike, epiko-lirike, balada apo të ndonjë natyre tjetër, dhe si e tillë ajo përmbush ngjyra dhe frymë, vlerësim dhe ndjesi të kohës dhe të shoqërisë. Natyrisht këto vlera duhet të zbulohen nga lexuesi, kritika dhe studiuesit e saj, për shkakun e thjeshtë, ajo duhet të përbëhet nga vlerat, një kod i brendshëm që e ruan poezinë nga harrimi dhe përkohësia që ajo zakonisht mund të ketë.

Shfaqja e profileve poetike përbëjnë gjithmonë një mundësi për qasjet estetike të poezisë së kohës, pavarësisht në forma ato shfaqen, qoftë përmes poezisë strofore dhe rimore, qoftë, për rëndësinë që ka materia poetike. Armenida Qyqja meriton një moment meditimi lidhur me qasjen bashkëkohore të poezisë femërore. E në këtë rast, një arsyetim tjetër mbi poezinë e femrës është edhe ai, se poezia femërore e emancipon shoqërinë duke qenë tregues i saj në njëfarë mënyre. Veçmas poezia e natyrës lirike përbën thelbin e një emancipimi të tillë social, pasi poezia lirike reflekton dhe përmes saj shfaqet një komunikim i brendshëm e jetik, një zë i brendshëm çliron një univers ndjenjash dhe marrëdhëniesh, siç ndodh edhe në artin poetik të kësaj poeteje.

Dilemë

Të leckosur engjëjt zbresin,

thonë se zemrat tona vënë në provë,

Po Krishti a s’e puthi në ballë Judën,

a nuk i tha vetë “dorëzomë”?!

 

Të qesh më vjen me “zengjinët”

lëmoshën kur plot zhurmë lëshojnë,

Dhe prapë më vjen në mendje Krishti,

një ditë të nxehtë në sinagogë…

 

Shtyhet bota, grindet njerëzimi,

se kujt qytetërimi Zoti i takon!

Prej Golgote vështron Krishti,

vetëm hesht dhe gjak pikon…

Funde të gënjeshtërta

Limonat e zhgënjimit

s’u bënë dot kurrë limonatë…

E gënjeshtërt ishte dhe thënia,

mashtrimi i radhës…

 

Në pranverë të gënjeshtërt

ishin shtruar lëndinat e ëndrrave!

Pranverë që lulet pa mëshirë

ngriu në heshtjen e ftohtë brenda zemrave…

 

Të gënjeshtërta na dolën moralet e përrallave!

I miri u mund tashmë në fundet e tyre.

Kohët tharmin e brumit ,

në magjen e botës tinëz ndryshuan…