Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Valter Dauti

465
Sigal

KALTËRIM

Pa, ç’më je si mbrëmje, moj ezmerkë!
Kur s’më qesh…si murgu muzgut rri,
Kaltërore, mbrëmjet në Ersekë,
Nusërijnë mes pishash, porsi ti!

Hënërime – rrjedhka qeshja jote,
Ç’det prej vjeshte tund nën erën gri…?
Ti, ç’i vjedh ca ëndrra kësaj bote…
-Përrenj me diej mbi buzë e marrëzi…

Pa, ç’të kam si mbrëmje ëndërrtare!
Mbushur-jetë-mister-e-gjumë të ri…
Ky pyll pishash ndrin e çmendet fare,
Që e ka një mbrëmje… siç je ti!

Dhe e di? Ti hera-herë më shpërfaqesh,
Si zjarr fryme që askush s’mundet ta prekë…
Bien zogjtë mbi pyll si trumba vargjesh,
Flenë, të kaltra… mbrëmjet në Ersekë…

SKULPTURË- KOHË

Pa, nisa të gdhendja një shkëmb, me cmilar,
Vetvetes t’i bëj një skulpturë,
Do ik’ nga kjo botë, me vete çdo mar?
Ca lavde që lindur s’janë kurrë?

Në bllok të shkëmbinjve, i ashpri ngjyrë gri,
Luftonte me xixat gjithë mllef…
Kush je te kjo botë, askush nuk e di,
Veç fati, me zell, lapsin mpref.

E desha fytyrë- një shkëmb natyror,
përditë gdhendja veten nga pak,
Të isha një valë në lumë skëterror,
Kaq kohë…e po… kaq kisha hak…!

Veç, netëve mbi të seç derdhej… në gri,
-Fytyra e murrmë, si sfungjer!
Të ngrysesh i bardhë, të gdhihesh mavi!
Patjetër, që ndjell ca mister…

Ca ngjyra vesore në copat që hiqja,
-Sy yjesh lotonin, trishtim,
Ç’mëkat do më ndiqte nga pas, kur të ikja,
dhe mbyllte në gur shpirtin tim?

Të gdhendesh diku, në shkëmb a në dhe,
S’u dashka lopatë a cmilar…
Ke qenë në botë? -Sërish je atje!
S’ka koha, as vdekje, as varr…