Basha: Qeveria ka lëvruar vetëm 32% të fondit të 2 paketave

243
Sigal

Pesë muaj pas mbylljes nga pandemia, është fakt që paketat ekonomike të qeverisë rezultuan gjysmake, të pamenduara, dhe pa asnjë efekt për të lehtësuar krizën për qytetarët dhe bizneset. Ndihma reale për ekonominë nga qeveria Rama,  nuk arriti as në 1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto,  duke u renditur e fundit në rajon. Faktet sot tregojnë se është lëvruar vetëm 32% e fondit total të dy paketave të premtuara nga qeveria. Shqiptarët janë sot më të varfër se kurrë këto 30 vitet e fundit, qindra biznese të vogla kanë mbyllur dyert, mijëra qytetarë kanë humbur vendet e punës, qindra studentë e kanë të pamundur të perballojnë jetën studentore. Këtë vit shumë familje do ta kenë të pamundur të çojnë fëmijët në universitete për shkak të pamundësisë ekonomike. Ndërsa qeveritë në mbarë botën po vazhdojnë mbështetjen ekonomike dhe sociale për bizneset, qytetarët e veçanërisht të rinjtë,  qeveria e Shqipërisë ofron vetëm video 3D dhe propagandë. Punësimi mbetet prioriteti im kryesor dhe për ta garantuar këtë,  ne do të marrim vendimet dhe veprimet e nevojshme. Lehtësimi i barrës fiskale, përgjysmimi i lejeve dhe liçencave dhe ulja e taksës së punës,  janë disa nga masat e para që do marrë qeveria jonë. Ne do të krijojmë kushtet ekonomike dhe sigurinë e nevojshme që investitorë të huaj me potenciale të mëdha punësimi,  të vijnë në Shqipëri. Çlirimi i ekonomisë nga monopolet dhe oligarkët do t’i hapë rrugë tregjeve të lira, zhvillimit dhe punësimit të njerëzve. Një raport i Bankës së Shqipërisë  thekon se mbyllja e ekonomisë për gati tre muaj, me qëllim frenimin e përhapjes së koronavirusit ka dhënë një efekt të fortë në ekonomi. Sipas saj, shqiptarët po kërkojnë borxh për të shlyer borxhet. Qeveria pret që rënia këtë vit të jetë 4.3%, ndërsa pritshmëritë e institucioneve financiare variojnë nga -5% për FMN dhe Bankën Botërore, deri në -9% nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).