Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Izet Shehu

574
Sigal

Emblema ime

 

Ku është Emblema ime?
Toka ime,
Fisi im?
Bërë copa e thërrime,
Ndaj thërras e jap kushtrim.

 

Ku është Emblema ime?
Trup e shpirt e gjymtuar
Mjaft me përralla
Dhe premtime,
Ky mashtrim na ka kushtuar.

 

Ku është Emblema ime
Tempulli i të vdekurve
Dhe i të gjallëve?
Vëllai im, bjeru borive,
Mbaje nderin e të parëve!

Ku është Emblema ime
Shqip u flas a më dëgjoni?
Shihni si zemra më dridhet
Po më çahet kraharori.

 

Era

Në dhomën time krejt papritur
U fut një erë si kusare.
Lëpiu muret e dremitur,
Lëpiu xhamat në dritare.

Pastaj u ngjeth: pa në pasqyrë
Ca preka hijesh në fytyrë.

Në dhomën time krejt tinzare
U fut një erë e athët, e hollë.
Aspak s’u tut, as ndjeu marre,
Kur krokëriti si një sorrë.

Dhe diçka tha e shkroi në mur
Kumtime që s’i kapa kurrë.

Në dhomën time,
E lakuriqtë
U fut një erë transparente,
Dinake dhe me sy të trishtë,
Krejt me përçmim po më vërente.

Dhe u vërtit si rrokullimë
Në ëndërr dhe në shpirtin tim.

Në dhomën time u fut një erë.
Nuk e mbaj mend:
Dimër qe a verë?