Suplementi Pena Shqiptare/ Petrit Ruka: Nëna foto nuk ka

Nëna foto nuk ka, veç të pasaportës,

që gjendet dhe në varrin e saj, ku u fal.

NOA

Shteti veç njëherë e dërgoi fotografinë,

për robërit e tij

deri lart në mal…

 

Ja të rris dhe këtë fëmijë

unë e mjera,

sa t’i ndërroj këto këpucë të vjetra.

Fotografi nuk kaloi më kurrë asaj ane,

qyteti më tej katër kilometra.

 

Kur më rriti mua, të gjashtin, rrudhat

i kishin zbritur, hartën e Shqipërisë,

nga balli tek mjekra,

Po ajo nuk qau që unë të mos e shihja;

“Ç’e dua një foto tani… Unë e zeza!”

 

E u nis një ditë pa foto për Andej,

ku nuk bëhen dot shkrepje

në errësirën e Hadit.

Dhe unë u bëra kineast, që tallja të fekste,

ta filmoja të plotë ironinë e fatit.

 

Mijëra foto në jetë i bëri Vjosa e kaltër

dhe kroi i fshatit

të bukurës sime,

po unë si t’i mbledh, se ato shkuan në det,

i bëri kripa e lotit cipë e thërrime…

 

Një aparat dymijë euro

tani mbaj në studio

dhe netëve kur dremis, besoj si i marrë,

mos më shfaqet në ëndërr e i bëj një foto;

një foto nga ato që bota s’ka parë…