Suplementi Pena Shqiptare/ Ben Blushi: Ismail Kadare, pasdite

159
Sigal

Duke i uruar Ismail Kadaresë ditëlindjen, po botoj bisedën që kam bërë me të si pjesë e librit tim “41 Sekrete”.

Alda Bardhyli, Ismail Kadare dhe unë u gjendëm një të diel pasdite në një kafene në bllok.

Ata morën nga një kafe dhe ndezën një cigare. Unë mora një ujë.

Del shpesh, Ismail?- e pyeta.

Mundohem të dal sa më shpesh, -tha Ismaili.

Lexon?

Nuk lexoj më asgjë.

Po televizor shef?

Shof ndonjë film, po nuk e mbaroj.

Pse e thua këtë, ti shef shumë filma,- tha Alda Bardhyli.

Ashtu? Po çfarë filmi kam parë, ma thuaj pak, -tha Ismaili.

Mos ma thuaj emrin e filmit, -thashë unë, s’ka problem.

Ismaili takon pak njerëz, -tha Alda.

Kam përshtypjen se të japin bezdi njerëzit, Ismail, -thashë unë.

Ashtu mendon?- pyeti Ismaili.

Po, mendoj që ke malaise, bezdi nga njerëzit,- thashë unë.

E lodhin njerëzit,- tha Alda.

Ti duhet ta dish më mirë, -tha Ismaili.

Po ti mua m’i tregon të gjitha,- tha Alda.

Më thuaj pak, a ishte dje ky pallati pas teje?- pyeti Ismaili.

Ismail, jemi në Tiranë,- tha Alda,- këtu ndërtohet çdo ditë.

Pse, nuk jemi në Paris?- pyeti Ismaili.

Pimë një cigare, -tha Alda.

Unë nuk pi më cigare,- i thashë.

Edhe unë do pi një, -tha Ismaili.

Pi shumë cigare?-e pyeta.

Shumë rrallë,- tha Ismaili.

Dje, takova një të çmendur, që pinte cigare të përdorura, -thashë unë.

Ku e takove?- pyeti Ismaili.

Në Prezë, aty ku duken avionët mbi Rinas.

Kemi qenë para gjashtë muajsh në Prezë,- tha Alda.

Ismail, a i jep makinës?- e pyeta.

Nuk i jap,- tha Ismaili, i jepja kur isha i vogël.

Kur ishe i ri, -tha Alda.

Po ti i jep makinës? – pyeti Ismaili Alda Bardhylin.

Po pse, sa herë ke hipur në makinën time, nuk e mban mend? -tha Alda.

Po, e vërtetë, tha Ismaili, je shofere e kujdesshme.

Ku keni shkuar me makinë,- e pyeta.

Ku më ke çuar?- pyeti Ismaili.

Gjithandej, -tha Alda, kryesisht shkojmë në vende afër Durrësit.

Po në Tiranë, ku shkoni? -e pyeta.

Dalim nëpër kafet e Bllokut dhe shohim njerëzit, -tha Alda.

Shiko kush po kalon!-tha Ismaili.

Kush?- tha Alda.

Gruaja e vëllait tim, Shahinit.

Nuk është ajo,- tha Alda.

Ajo është, -tha Ismaili.

Ua, vërtet ajo qenka!- tha Alda,- si e njohe?

Ismaili i njeh gratë,- thashë unë.

Po,- tha Alda. Ismaili ka shumë qejf të shohë gratë.

Kur ke dashuruar për herë të fundit?- e pyeta.

Kur kam qenë i vogël,- tha Ismaili,- dashuroja shpesh.

Kur ke qenë i ri,- tha Alda,- i di unë, m’i ke treguar.

Ashtu? -pyeti Ismaili.

Ismaili e ka pasur shumë qejf fotografinë,- tha Alda, ka shumë foto nudo të të dashurave të veta në Moskë.

Ke bërë vërtet foto nudo?- pyeta unë.

Kjo i di, -tha Ismaili.

Ja, i kam këtu,- tha Alda.

Na i trego, -tha Ismaili.

Nuk qenka nudo, thashë unë, por është fotografi shumë e bukur.

E di kush është kjo, Ismail? -pyeti Alda.

Kjo është Zhana,- tha Ismaili.

E mban mend, e shef, -tha Alda.

Moska ishte e mërzitshme, -tha Ismaili, -por njerëzit na donin shumë.

Kush e fiton luftën,? -thashë unë.

Nuk e fiton Rusia, por as Ukraina nuk e fiton,- tha Ismaili.

Po dikush do fitojë- thashë unë.

Po ti, pse bën kaq shumë pyetje?- tha Ismaili.

Kam qejf të bisedoj për luftërat,- thashë unë.

Po pse mendon kaq shumë,- më pyeti Ismaili.

Pse, ti mund të jetosh pa menduar? -e pyeta unë.

Fjala “jeton” është fjalë e madhe,- tha Ismaili.

Pra, ti ke momente kur nuk mendon fare, e pyeta.

Kam,- tha Ismaili.

Ta kam zili, thashë unë.

Vërtet?- pyeti Ismaili.

Kjo është e vetmja gjë që kam zili tek ti,- thashë unë.

Ndoshta, duhet të ikim në shtëpi, -tha Alda Bardhyli.

Jo, rrimë dhe pak,- tha Ismaili.

Duhet të hamë drekë, -tha Alda.

Çfarë ha më shumë, Ismail? -e pyeta.

Ismaili ha shumë lehtë,- tha Alda.

Nuk jam hamës, -tha Ismaili.

Po me gjumin, si e ke raportin Ismail?- e pyeta unë.

Unë fle,- tha Ismaili.

Kohët e fundit fle shumë, -tha Alda.

Më pëlqejnë shumë njerëzit që flenë mirë, -thashë unë.

Pse të pëlqejnë njerëzit që flenë,- tha Ismaili.

Sepse vetë nuk fle dot pa u zgjuar dy-tri herë, -thashë unë.

Po edhe unë nganjëherë zgjohem,- tha Ismaili.

Ismail, ke ftohtë?- e pyeta.

Kam gjithmonë ftohtë,- tha Ismaili.

Sot është ngrohtë,- thashë unë.

Nuk më duket, -tha Ismaili.

Po këtë shallin e mban se ke ftohtë apo për modë?- e pyeta.

Për të dyja,- tha Ismaili.

Po në verë mban shall?

Nuk e di, -tha Ismaili. Si thua ti Alda, a mbaj shall unë në verë?

Hiqe atë shall, Ismail!- tha Alda.

Nuk dua ta heq!- tha Ismaili.

Po hiqe, se Beni do të të fotografojë,- tha Alda.

Mos e hiq, Ismail!- thashë unë.

E shef që nuk duhet ta heq, -tha Ismaili.

Po hiqe, që të dukesh më bukur,- tha Alda.

Moj nuk e heq, po të them,- tha Ismaili.

Ismail, ke frikë nga vdekja?- e pyeta.

Nuk kam frikë,- tha Ismaili,- unë dua të rroj deri 90 vjeç, pastaj mund të vdes.

Ke pak frikë nga vdekja, ke, -tha Alda,-ma ke thënë mua.

Po atëherë më thuaj, çfarë kam bërë unë kur isha 50 vjeç, meqë ti di çdo gjë,- tha Ismaili.

Unë e di çfarë ke bërë, -tha Alda.

Ma thuaj, -tha Ismaili.

Nuk mund ta them këtu,- tha Alda.

Kemi pesë vjet që jemi miq me Aldën,- tha Ismaili.

Ju keni një raport të pabalancuar, -thashë unë.

Pse mendon kështu?- tha Ismaili.

Sepse Alda bën pyetje dhe ti përgjigjesh, ndërsa kur ti bën pyetje, ajo nuk përgjigjet.

Ndoshta kështu kam dashur unë të jetë, -tha Ismaili.

E shef si më mbron, është shumë i mirë,- tha Alda.

Dukesh në humor, Ismail,- thashë unë.

Është shumë më mirë se gjithë moshatarët e vet shkrimtarë,- tha Alda.

Ashtu?- pyeti Ismaili.

Sigurisht, tha Alda Bardhyli. E ke parë Kunderën si ka përfunduar?

Pse gjallë është Kundera?- pyeti Ismaili.

Gjallë është, po ka mbaruar me atë grua që ka.

Pse, ti mendon se gratë kanë ndikim në jetëgjatësinë e burrave?- pyeta unë.

Mendoj se po, tha Ismaili.

Kanë shumë ndikim, -tha Alda.

Po ti je e martuar, pyeti Ismaili

Ta kam thënë që nuk jam më e martuar,- tha Alda.

Po pse nuk je më e martuar,- tha Ismaili.

Edhe dje më pyete dhe ta sqarova, tha Alda, edhe Elena ta ka sqaruar disa herë.

Ismail a ke telefon? e pyeta.

Kam,- tha Ismaili.

Nuk e përdor si ne, për të lexuar lajme, -thashë unë.

Ismaili ka një telefon të vjetër, tregoja Ismail, -tha Alda.

Ja, ky është, -tha Ismaili.

Këtë telefon, vetëm dy veta e kanë në botë,- thashë unë.

Kush e ka tjetër?- pyeti Ismaili.

Vetëm ti dhe ai që e ka shpikur, thashë unë.

Ismaili ka shumë qejf kur e marrin njerëz në telefon, -tha Alda.

Ku e di ti,- tha Ismaili,- ti nuk më merr fare në telefon.

Po a folëm sot, -pyeti Alda.

Je shoqe e mirë, tha Ismaili, po s’më the pse nuk je e martuar.

Mbaj mend që njëherë ke ardhur në shtëpinë tonë,- i thashë.

Ashtu! Po pse erdha atje, -tha Ismaili.

Ishe për vizitë, thashë unë, isha i vogël dhe e vetmja gjë që mbaj mend ishte se flisje për boksin.

Më ka pëlqyer boksi,- tha Ismaili.

Çfarë të pëlqen tek ai sport,- pyeta unë.

Më pëlqen vetmia e boksierëve,-tha Ismaili, -mënyra si sillen kur humbin.

Ndoshta e ke nga Xhek Londoni, -thashë unë, ai ka shkruar shumë për boksierët, që humbin.

Nuk e kam nga ai, sepse nuk e kam lexuar, -tha Ismaili, por boksierët e mundur janë të vetmuar.

Ke frikë nga vetmia?- e pyeta.

Vetmia është si vdekja, -tha Ismaili.

Është më keq,- thashë unë.

Pse është më keq,- tha Ismaili.

Sepse kur je i vetmuar, e kupton që je i vetmuar, kurse kur vdes, nuk e di që je i vetmuar, sepse ke vdekur.

Ndoshta, -tha Ismaili, po ti, je i vetmuar?

Sa më shumë mendoj, aq më shumë jam vetëm,- thashë unë.

Kurse Ismaili nuk është i vetmuar,- tha Alda.

Ismail, ti nuk shkruan më, e pyeta.

Nuk shkruaj më,- tha Ismaili.

Ke frikë se pas 100 vjetësh nuk do lexohet më gjuha shqipe?

Ç’do të thuash,- tha Ismaili-, gjuha shqipe është shkruar që në shekullin e 15-të.

Por në të ardhmen mund të zhduket dhe ti nuk do lexohesh më,- thashë unë.

Nuk e kam menduar këtë,- tha Ismaili.

Fëmijët konsumojnë gjithçka anglisht, thashë unë, dhe pas shumë vitesh, gjuha shqipe mund të kthehet në gjuhë shtëpiake.

Ç’do të thuash me gjuhë shtëpiake?- pyeti Ismaili.

Gjuhë shtëpiake është një gjuhë që përdoret vetëm në shtëpi, por jo në punë dhe jo në komunikimin shoqëror e kulturor.

Nuk dua të mendoj për këto gjëra,- tha Ismaili,- po ti pse mendon kaq shumë?

Beni është shkrimtar, -tha Alda.

Ke emër të bukur,- tha Ismaili, nga vjen mbiemri Blushi?

Blush është emri i fshatit tonë të origjinës në Kolonjë, thashë unë.

Kurse unë kam një emër shumë të shëmtuar, -tha Ismaili.

Nuk të pëlqen emri Ismail?- e pyeta.

Fare, tha Ismaili, duket si një emër i lagësht.

Prandaj ke gjithmonë ftohtë, -thashë unë,- e ka fajin emri.

Ndoshta,- tha Ismaili, po ty si të duket emri im?

Më duket si emri i një tregtari arab, -thashë unë.

Po ty të njohin si Kadare,- tha Alda, dhe unë të them zoti Kadare.

Më adhurojnë si Kadare, por jam Ismail,- tha Ismaili.

Çfarë emri do doje të kishe, -e pyeta.

Nuk e di, një emër tjetër,- tha Ismaili.

Ramazan, -thashë unë.

Nuk më pëlqen,- tha Ismaili.

Rexhep, -thashë unë, në osmanisht do të thotë qershor. Është emër i thatë dhe nuk ke asnjëherë ftohtë.

As ky nuk më pëlqen, -tha Ismaili.

Ismaili do donte të quhej Rudjan,- tha Alda Bardhyli.

Po pse Rudjan,-? -pyeta unë.

Kjo e tha,- tha Ismaili.

Ma ke thënë vetë, -tha Alda.

Çfarë është ky Rudjani, -thashë unë.

Është një personazh i Ismailit në librin “Hija”, -tha Alda. Është emri që Ismaili i ka vënë vetes në letërsi.

Nuk e kam lexuar këtë libër, -thashë.

Unë jam njeri i mërzitshëm në bisedë,- tha Ismaili.

Ismail, njerëzit rrinë me ty për ato që shkruan, jo për ato që flet,- thashë unë.

E vërtetë,- tha Ismaili.

Ismaili është madhështor,- tha Alda.

Më kishin thënë që ti bën grevë fjale herë pas here, -thashë unë.

Ç’do të thuash?- pyeti Ismaili.

Që refuzon të flasësh me ditë të tëra.

Ka ndodhur,  tha Ismaili, por nuk e bëj me qëllim.

Tani duhet të ikim të hamë drekë, -tha Alda.

Çfarë do hamë, -tha Ismaili.

Do ketë bërë patjetër diçka Elena,- tha Alda.

Tani do jetë ftohur -thashë unë.

Njëlloj është, e ftohtë, e ngrohtë, -tha Ismaili.

Fute telefonin në xhep dhe ikim, -tha Alda.

Çudi, thashë unë, Ismaili ka shumë xhepa, po telefonin e futi në xhepin nga e nxori.

Ismaili nuk harron asgjë, -tha Alda, si mendon ti?

Edhe unë mendoj se ai nuk harron asgjë,- i thashë.

Po atëherë, pse bën sikur harron?- pyeti Alda.

Ismaili luan, thashë unë, bën sikur harron, për të vënë njerëzit në lojë.

Po pse e bën këtë?- tha Alda.

Duke qenë shumë i madh, do të sillet si i vogël,- thashë unë,- është një tekë e tij.

Vërtet beson se Ismaili nuk harron asgjë,- tha Alda.

Harroj, harroj,- tha Ismaili,- më thuaj dhe njëherë, a je e martuar?

E shef,- thashë unë.

E shof, -tha Alda.