Suplementi Pena Shqiptare/ Petrit Ruka: Fjala shëron shpirtin

541
Sigal

Atdheu u shit, ankandi u mbyll!

Atdheu u shit, ankandi u mbyll,
të gjithë e dimë, po lajm nuk ka,
miliona letra me vlerë votimi,
tani do të bëhen thasë me para…!

U vumë në radhë si mijëra dele,
kopenë e ujqërve e zgjodhëm sërish,
dhe shpresën e re në mijëra blegërima
e mblodhën Ata në vatha partish.

Në vend të zinxhirëve – karta krediti,
skllevër të lirë, me bukë e makina,
për ankthin, miliona tableta kimike
nën bluzat firmato, zemra me vrima.

Në mbrëmje ziftin e shpirtit të plasur,
ekranet me ngjyra e bëjmë limonadë,
të dyja palët numërojmë çdo mbrëmje
ne parainfarktet, dhe ata… paratë.

Atdheu u shit, ankandi mbaroi,
këtej rrjedh vreri, andej veç gaz,
i huaj po ndjehem çdo orë, këtu,
po s’kam më fuqi, as për maraz.

Unë kam fuqi veç për këtë këngë,
me të cilën ata do qeshin… me lot,
do thonë; “…po ky si s’vuri pak mend?!
Poet i mirë, po mbeti idiot…!”

Nëna foto nuk ka

Nëna foto nuk ka veç asaj të pasaportës
që gjendet dhe në varrin e saj, ku u fal.
Shteti veç njëherë e dërgoi fotografin 
për robërit e tij
deri lart në mal…

Ja sa ta të rris dhe këtë fëmijë 
unë e mjera,
sa t’i ndërroj këto këpucë të vjetra,
fotografi nuk kaloj më kurrë asaj ane…
qyteti më tej katër kilometra…

Kur rriti mua, të gjashtin, rrudhat
i kishin zbritur hartën e Shqipërisë 
nga balli tek mjekra,
po ajo nuk qau që unë të mos e shihja;
“Ç’e dua një foto tani… unë e zeza?!”

E u nis një ditë pa foto për Andej,
ku nuk bëhen dot shkrepje
në errësirën e Hadit.
Dhe unë u bëra kineast, që tallja të fekste,
ta filmoja të plotë ironinë e fatit…

Mijëra foto në jetë i bëri Vjosa e kaltër
dhe kroi i fshatit 
të bukurës sime,
po unë si t’i mbledh, se ato shkuan në det,
i bëri kripa e lotit cipë e thërrime…

Një aparat dymijë euro 
tani mbaj në studio
dhe netëve kur dremis, besoj si i marrë,
mos më shfaqet në ëndërr e i bëj një foto
një foto nga ato që bota s’ka parë…!

I PAARRITSHMI – POPULLI

E gjeta diku, e lexova dhe mu duk sikur mbi kokë më ranë miliona petale lule bajamesh. Çfarë mrekullie në tetë vargje!…

Në krye të lagjes
stisur tri bajame
Cilën nga të trija
do ta marr për fare
Bora nuk ka shkrirë
ato plot petale
Ç’i gënjen të shkretat
era gënjeshtare…

populli

P.s
Përqasja poetike midis bajameve dhe vajzave adoleshente në vallen e paspjegueshme të fuqisë së jetës. Të përtëritjes së pandalshme… Një paralelizëm kozmik dhe elegant deri në mahnitje. Gjithë fuqia e poezisë ngërthehet në një fjalë të vetme; “STISUR.” Autorit i duket një ëndërr, sepse ky “realitet” është shumë drithërues per nga bukuria që të besohet si i vërtetë e prej toke. Hiqi këtë fjalë poezisë dhe rrëzohet e tëra në një prozë të rëndomtë egzistence. E po ja, këtu është gjenia popullore. Gjen të vetmen fjalë të duhur në planet dhe ta merr mëndjen…