Në vendin tim të gjithë dimë të shkruajmë,
(madje dhe libra!)
E të lexojnë po harrojmë për fare,
midis kësaj çudie, vendi im i vogël,
zvogëlohesh e zvogëlohesh
nga E Shkruara e Madhe.
Po zvogëlohen qytetet, Ministria e Kulturës,
(Lidhja e vdekur e Shkrimtarëve,
që si gjendet as fara…)
Tani popullit shkrimtar shqiptar
shteti duhet t’i bëjë një tender
të shpikim lexues nga e para…
Ç’të bëmë kështu, Shqipëria ime e vogël,
kush e kish menduar këtë gjëmë,
këtë kuje të zezë-logorí?!
Kush mendonte se do të të vinim në gjumë
me drogëra kaq të ëmbla
që i quajmë poezi…
I pari unë, në 30 e ca vite
me pesë librat e mi ndihmova
në “pushtimin” e ngadaltë poetik.
Sa herë më pllakos paniku,
mos vallë të vodha, Atdhe, një copëz
nga trupi shtatanik?
Po tani pesë libra i shkruajnë në një vit
shqipja ime, që dhemb në libra, gazeta,
botime barbare…
Si do t’ia bëjmë tani për teritoret e humbura
nga ushtria e butë e letrës vrastare?!
Si t’ia bëj unë tani,
që dhe në dhomën e gjumit
librat e dhuruar po dynden drejt krevatit.
Ku t’i gjej shtatë jetë t’i lexoj që të gjithë
të mos plas prej mëkatit?!
Në vendin tim
(Madje dhe libra!)
Po harruan të “këndojmë”!
Të “qajmë” harruam fare.
Shtypshkronjat gulçojnë
dhe bibliotekat po mbyllen!
Çfarë heshtje kanë brenda, si ajo në spitale…