Natasha Lushaj
Botimi dhe shkrimtaria

Botimet tona nuk trashëguan një traditë shkencore të dijes teorike dhe praktikës së botimit. Ato nisën pas një mungese akoma më të madhe: pamundësimit për një kohë të gjatë të mësimit, shkrimit dhe botimit shqip në trojet shqiptare nga pushtesit dhe shovinistët fqinjë. Në fazat e mëvonshme, kur krijohet shteti shqiptar, kësaj mungese do t’i shtohen edhe arsye të tjera, politike e ideologjike, që motivuan dukurinë e moszbatimit të kritereve filologjike gjatë përgatitjes së tekstit për botim, shfaqja kryesore e së cilës është institucionalizimi i censurës, shkaku kryesor i krijimit të falsit.
Pas 1912-ës, megjithë praninë më në fund të një shteti shqiptar dhe hapjen e shtypshkronjave në vend (në Tiranë, Shkodër, etj.), kemi një nivel ende të pazhvilluar të botimeve, si në sasi, ashtu edhe në cilësi, në kuptimin e ndjekjes së vazhdueshme gjatë botimit të kritereve qartësisht shkencore filologjike. Për të përmendur vetëm mangësitë infrastrukturore të kulturës, në përgjithësi, si shkaqe për gjendjen e pazhvilluar të botimit, kemi: një nivel modest të shtrirjes së strukturave arsimore, vendi i pakët që zë të lexuarit e letërsisë në jetën kulturore të popullsisë, pamjaftueshmëri e infrastrukturës dhe e resurseve njerëzore që e mbështet studimin dhe botimin (arkivat, bibliotekat, institucionet shkencore dhe universitare; numër i pakët i studiuesve dhe përkthyesve të mirëfilltë, apo edhe një rrjet i pazhvilluar i medias në përgjithësi dhe asaj të specializuar letrare e filologjike në veçanti). Për pasojë, sapo nisin të vihen në veprim rrugët e komunikimit me kulturat dhe letërsitë e tjera, por ka mundësi të pakëta për shfrytëzimin e teknologjisë bashkëkohore në funksion të politikave kombëtare të botimit shqip si dhe të arritjeve të shkencës letrare e filologjike botërore. Nuk po ndalemi posaçërisht në vështirësitë ekonomike, por duhet theksuar se prapambetja në përgjithësi e ekonomisë shqiptare reflektohet dukshëm edhe në sektorin e botimit, sepse, në thelb, botimi është biznes dhe u nënshtrohet rregullave dhe ligjësive tregut në kuadrin e zhvillimit ekonomik.
Shumë shpejt erdhën njëra pas tjetrës dy luftëra botërore dhe gjithë ç’u ndërtua pothuaj u shemb. Shqipëria nuk kishte trashëguar ndonjë sistem të konsoliduar financiar vendas, as ndonjë rrjet të fuqishëm të biznesit botues vendas, për t’i përballuar sfidat e luftërave të tilla, siç ndodh me ekonomitë e pasluftërave në vendet e zhvilluara. Nuk mund të pritej që ajo ta rimerrte veten shpejt nga katastrofat njerëzore e materiale me përmasa të tilla, megjithatë, ndërmjet dy luftërave, periudha e mbretërisë filloi mbarë me krijimin e një qendre studimore të kulturës dhe letërsisë kombëtare dhe shtimin e organeve të shtypit dhe shtypshkronjave. Arritja më e madhe e kësaj kohe është botimi i serisë së Visareve të Kombit. Ka një rritje të numrit të botuesve, të librave, revistave e gazetave (kryesisht me kapital të huaj), por kryesore është hapja ndaj mendimit bashkëkohor në fushën e kulturës dhe qëndrimit ndaj librit si dhe hapja ndaj mendimit estetik dhe rrymave letrare moderne.
* * *
Krahasuar me nivelin e botimeve dhe studimeve letrare të vendeve të tjera, botimet në shqip nuk njohën të tilla kushte të përshtatshme historiko-sociale dhe ekonomike, që do të mundësonin mendësi dhe praktika shkencore gjatë botimit dhe do të frenonin dukuritë e dëmshme ndaj kërkesave të shkencës letrare. Një zhvillim i tillë do të krijonte specialistët filologë dhe traditën përkatëse, të cilat do ta formatonin që në fillesë procesin e botimit shqip mbi kritere filologjike, tashmë të sanksionuara në Evropë.
Botimet tona nuk trashëguan një traditë shkencore të dijes teorike dhe praktikës së botimit. Ato nisën pas një mungese akoma më të madhe: pamundësimit për një kohë të gjatë të mësimit, shkrimit dhe botimit shqip në trojet shqiptare nga pushtesit dhe shovinistët fqinjë. Në fazat e mëvonshme, kur krijohet shteti shqiptar, kësaj mungese do t’i shtohen edhe arsye të tjera, politike e ideologjike, që motivuan dukurinë e moszbatimit të kritereve filologjike gjatë përgatitjes së tekstit për botim, shfaqja kryesore e së cilës është institucionalizimi i censurës, shkaku kryesor i krijimit të falsit.

Problemi që ngre studiuesi S. Hamiti, ai e quan mungesë, është mosdokumentimi i origjinalit të teksteve të letërsisë sonë, si mangësi serioze për studiuesin e historisë së letërsisë shqipe, që do të duhej të shënonte fillimin e shkencave tona letrare. Studiuesi nga Kosova e vë theksin te rëndësia e publikimit/botimit të “dorëshkrimeve të hershme”, por mospublikimi i dorëshkrimeve origjinale dhe botimi i tyre i censuruar, pra, “mungesa” është shumë problematike edhe lidhur me krijimtarinë letrare të shekullit XX. Në botimet brenda kufijve shtetërore të Shqipërisë, për shkak të mosbotimit ose botimit të censuruar (si tekste false) mori formën e mungesës një pjesë e letërsisë shqipe, ngaqë konsiderohej si e papërshtatshme për politikat e shtetit të një kohe të caktuar: a) një varg veprash të autorëve të letërsisë së të shkuarës, të ndëshkuar politikisht nga shteti shqiptar, por edhe botime të foklorit etj.), b) një varg veprash të autorëve bashkëkohorë shqiptarë, po për shkaqe politike, e quajtura “letërsi e ndaluar”, c) një pjesë e letërsisë së huaj, sidomos ajo bashkëkohore, e quajtur moderniste, po për të njëjtat arsye politiko-ideologjike.
Si opinioni i lexuesit të zakonshëm, ashtu edhe një pjesë e kritikës dhe e studimeve tona letrare, kanë vepruar në kushtet e pamundësimit për t’iu referuar tekstit origjinal. Në kohë të ndryshme arsyet kanë qenë të ndryshme, por rëndësi ka thelbi: në një vështrim tërësor, shkenca jonë letrare ka mbijetuar në kushtet e një mungese. Mënyra se si kërkohet të plotësohet sot kjo mungesë shpesh paraqitet gjithashtu problematike, për shkak të lehtësisë së hershme me të cilën pranohej cënimi i tekstit origjinal gjatë ri/botimit; kjo vazhdon t’i lërë shkencat tona letrare nën ndikimin e asaj që e kemi quajtur “kulturë të falsit”.Në këto kushte, trajtimi sa më i plotë teorikisht i koncepteve të arketipit / neoarketipit të veprës letrare, si dhe ballafaqimi me problematikën e falsit, është i rëndësishëm për studimet shqiptare. Ai vjen në kohën e duhur, madje, duket se do të mbetet po kaq problematik për një kohë të gjatë në tryezat e punës së filologëve, historianëve, teoricienëve dhe kritikëve të letërsisë shqipe.
Problemi që ngre studiuesi S. Hamiti, ai e quan mungesë, është mosdokumentimi i origjinalit të teksteve të letërsisë sonë, si mangësi serioze për studiuesin e historisë së letërsisë shqipe, që do të duhej të shënonte fillimin e shkencave tona letrare. Studiuesi nga Kosova e vë theksin te rëndësia e publikimit/botimit të “dorëshkrimeve të hershme”, por mospublikimi i dorëshkrimeve origjinale dhe botimi i tyre i censuruar, pra, “mungesa” është shumë problematike edhe lidhur me krijimtarinë letrare të shekullit XX.

Natyrisht, puna vetmohuese e atdhetarëve dhe njerëzve të shquar të kombit, që botuan libra shqip edhe në kushte tërësisht të pafavorshme (disa me alfabete jo shqip, si Mitkoja etj), vlerësohet pa kufi, por që herët vihen re edhe pasaktësitë filologjike, për të cilat jemi të interesuar në temën tonë, pra, mostransmetimi autentik i tekstit origjinal gjatë ri/botimit.
Deri në mesin e shekullit XX, ruajtja e origjinalit gjatë ri/botimit do të vijë si vlerë relative e tekstit të botuar. Për një kohë të gjatë vlerësimi dhe fati i një botimi varej nga fakti nëse ishte libër në gjuhë shqipe (apo latine, turke, arabe, greke etj.) ose nga lloji i alfabetit të përdorur (faza e “shkrimit të gjuhës”). Kjo cilësi e tekstit origjinal bën vetëm evidentimin e kodit kombëtar të komunikimit dhe ende jo të kodit gjuhësor autorial të veprës letrare (ideolektit), kusht konceptual për t’u përqendruar te ruajtja e identitetit të tekstit origjinal gjatë ri/botimit. Vetë secifikat individuale të shprehjes estetike të autorëve janë pak të dallueshme nga njëra-tjetra, më fort dallohen diferencat dialektore të gjuhës së veprave të botuara letrare, ngaqë në pak prej tyre gjuha veçohet stilistikisht si ligjërim individual.
Gjuha e letërsisë shqipe, sipas S. Hamitit, i cili i referohet F. Konicës, në këtë fazë karakterizohet si kalim “nga shkrimi i gjuhës në gjuhën e shkrimit”. Ai thotë se “kalimi në sintagmën “gjuhë e shkrimit” i përgjigjet plotësisht asaj që e quajmë gjuhë e letërsisë”, se realizimi i plotë i kësaj faze kalimtare sjell transformime të mëdha në të gjitha kulturat, pra edhe në kulturën shqipe dhe “transformimet më të mëdha i sjell në komunikim, ç’është më e rëndësishmja, në krijim: duke e shpënë një kulturë nga realiteti kolektiv në shkrimtari individuale”. Më tej ai shton se “kalimi nga realiteti kolektiv në shkrimtari individuale në shqip është ende në fazë kalimtare, qoftë si fenomen i gjallë shoqëror, qoftë si trashëgimi e gjallë shkrimore”. Kjo gjendje e papërcaktuar ekzistence e veprës letrare në gjuhë shqipe, midis të folurit dhe ligjërimit, midis gjuhës amtare dhe gjuhës kulturore, midis shprehjes së brendësisë së individit përballë botës dhe shprehjes së aspiratës si pjesë e një komuniteti të rrezikuar, midis fshehjes “romantike” të autorësisë dhe censurës së stërzgjatur të botimit, reflektohet edhe në fatin e veprave të botuara të shumicës së autorëve, pa bërë përjashtim këtu as për gjenitë e njohur të shqipes.
Ka një lidhje të natyrshme mes koncepteve për botimin me mendimin kritik të secilës kohë. Gjatë Rilindjes, por edhe gjatë shekullit XX, gjejmë një mënyrë të kuptuari karakteristike edhe të mendimit letrar e kritik të kohës, i cili theksonte dhe kërkonte fuqizimin e funksionit emotiv të veprës letrare mbi lexuesin (marrësin), duke nxjerrë në plan të parë autorin dhe biografinë e tij, jo thjesht si figurë aktive e kontekstit historik e politiko-social të veprës, por si figurë e fuqishme e mesazheve të saj. Ky qëndrim i kritikës dhe opinionit letrar e kishte burimin te konceptet romantike për rolin dhe marrëdhëniet e autorit / poetit me kombin e tij, në kuadrin e ideologjisë kombëtare (më vonë ky raport shihet në një plan më të ngushtë klasor, politiko-social e ideologjik), që sillte dobësim të vëmendjes ndaj funksionit thjesht poetik të veprës. Shpeshherë vlera e veprës matet pikërisht me angazhimin e hapur të figurës autoriale në komunikim me lexuesin, duke mbivlerësuar referencat biografike në receptimin e mesazheve të saj.
Shtrirja e këtyre koncepteve teorike në politikat dhe praktikat e botimit sillte një dëmtim afatgjatë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore autentike të teksteve të shkruara në gjuhën shqipe, sepse (ajo që na intereson filologjikisht) motivoi politikën e censurimit.






















