Suplementi Pena Shqiptare/ Petraq Risto: Qershiza

524
Sigal

1.

Sot, në këtë mëngjes shtatori, sapo dola nga shtëpia dhe hyra në parkun e madh, më befasoi një qershi e vogël, e gjatë sa dy bojë njeriu, e cila ishte ende në fazën e lulëzimit, ose më saktë: gjysma e pemës lulëzonte dhe gjysma, gjethonte. Në këtë park çdo vit në muajt prill-maj organizohet Festivali i Qershive në Lulëzim… Ballë kësaj qershie po mendoj: pse ka fjetur kjo bukuroshe gjatë kohës kur motrat e tjera argëtoheshin mes dritës së diellit dhe dritës së syve? Apo vallë ky është zgjimi i saj i dytë? Apo, e hipnotizuar nga shikimet e vizitorëve të shumtë, ka ngrirë në këtë gjendje dhe tani është në letargji? Mos është e gënjyer? Mos dikur u tremb nga moti i keq dhe nuk i shpërtheu ndjenjat e saj në kohën e duhur?… Lulet pikojnë si disa pikëpyetje të bardha dhe unë largohem pa marrë përgjigje…

Branch Brook Park, 5 shtator, 2015

2.

Edhe sot Qershia duket si e shtangur në lulëzimin e saj. Duket sikur nuk ka të bëjë me qershitë e tjera që i rrinë rrotull. Edhe sa ditë do të zgjasë lulëzimi? A është ajo në gjendje ti ndjejë stinët? Mos vallë kjo kapriçio lulëzimi është një gjest rebelimi? Ka lidhur pakt me rrënjët apo vetëm me qiellin? I trembet dritës? A sheh ëndrra natën? Mos vallë, ndryshe nga motrat e saj dëshiron t’i kthejë lulet në fruta?… Të katër mijë pemët e qershive në këtë park të madh nuk japin fruta, ato lulëzojnë vetëm para syve të njerëzve. Pas lulëzimit kthehen në gjethe. Janë si ato gejshet japoneze te “Bukuroshet e fjetura” të Kavabatës, të cilat lejohen të shihen nga sytë e meshkujve pleq, po jo të preken… Mos vallë dhe këto qershi kanë ardhur nga Japonia ashtu si qershitë e Washingtonit? Mos vallë kjo qershizë kërkon të bëhet nënë? Lulet bien si pikëpyetje të bardha dhe sërish largohem pa përgjigje.

Barnes & Noble, Manhattan, Union Square, 7 shtator, 2015

3.

Sot, më 2 tetor, Qershiza ime ende s’ka hequr dorë nga lulëzimi. Nuk e di pse e bën këtë sfidë. Ashtu, gjysmëlulëzuar e gjysmëgjethuar, duket sikur ka shtangur, sikur ka ikur nga logjika e natyrës dhe mbase i duket vetja sikur jeton në një…telajo. Erdhi vjeshta, i them. Të hënën do të ketë uragan. Nuk e di si do ta përballosh erën, shiun dhe vetëtimat…Po ajo hesht si çdo narciz që dashurohet me pasqyrimin e vet në ujërat ku do të mbytet…

Libraria Barnes & Noble, Manhattan, Union Square, 2 tetor, 2015

4.

Të hënën nuk pati uragan. Nuk e di për ç’arsye Uragani qe zhvendosur në Atlantik. Mbase edhe për Qershizën që ajo të vazhdojë ëndrrën me degët e hapura si krahë përqafje. Mbase… Për të parën herë bëj selfie me Qershizën. Më duket sikur ajo këtë ka pritur: një foto me mua, vizitorin e vetëm që e ndoqi për orë e ditë të tëra fatin e saj: një fat në lulëzimin e gënjeshtërt… Po ç’rëndësi ka! Qershitë janë bërë vetëm për të kënaqur sytë e shikuesve nga bota … Dhe Qershizës sime, ngaqë ndodhet në një parcelëz të vogël që ndan dy rrugë, mbase nuk i ka mjaftuar shikimi i shpejtë e i pjerrët i njerëzve në makinat e panumërta, mbase kërkonte një vizitor të kujdesshëm këmbësor, një poet që do ta kthente në personazh… Dhe ia arriti… Tashmë ajo është Qershiza ime. Ose më saktë: unë jam skllavi i saj.

Branch Brook Park, 10 tetor, 2015

5.

Qershizës sime i vunë një matrikull, si ushtarit të rënë në fushëbetejë. Pemë e pafat e lulëzuar në vjeshtë! Pas disa ditësh e prenë dhe kujdestarët e parkut, kur panë lot në sytë e mi, ma zgjatën matrikullin si kujtim. Tani në xhep, bashkë me Green Card-ën, ruaj dhe matrikullin e Qershizës.

Branch Brook Park, 27 maj, 2016

6.

Kaloj thuajse çdo ditë në Parkun ku qershiza ime nuk është. Më merr malli për të. Ka kaluar një vit që kur e prenë dhe rrotull kanë mbjellë qershi të reja, që shpresoj të mos gënjehen. Porosis një etazher për librat e shumtë që edhe këtu, si në Tiranë, ma kanë mbushur shtëpinë. Vjen një etazher i bukur, me dru qershie…. E njoha Qershinë! Më dha të njohur mes librave! I vura matrikullin bibliotekës sime.

Branch Brook Park, 20 mars, 2017