Thuajse të gjithë pleqtë e fshatit kanë vdekur,
kanë mbetur vetëm dy apo tre.
Ca manushaqe qajnë buzë përrroit,
dhe unë e di përse.
Janë tharë hardhitë nëpër oborre,
asnjëra nuk çeli, edhe pse po troket prilli.
Ca çezma kanë mbetur ende hapur,
se s’ka kush t’i mbylli.
Por edhe në shtëpitë e braktisura,
dallëndyshet u kthyen prapë,
veçse në porta nuk troket më askush,
s’ka kush të trokasë e s’ka kush t’i hapë.
Megjithatë, nëpër kodrina
po çelin sërish kumbulla dhe qershi,
ta veshin vendin me të bardha,
sepse për pleqtë nuk mbahet zi.
Thuajse të gjithë pleqtë e fshatit kanë vdekur,
kanë mbetur vetëm dy apo tre.
Ca manushaqe qajnë buzë përrroit,
dhe unë e di përse.