Suplementi Pena Shqiptare/ Fatmir Minguli: Refleksione përtej një kopertine letrare të Agim Bajramit

22

(Shënime mbi krijimtarinë e poetit dhe kritikut Agim Bajrami)

Sigal

“Do thoni ju, si ndihesh kur një revistë e njohur dhe prestigjioze si “Hejza”, të nderon në këtë farë feje? Natyrisht që ndihesh mirë, por provon edhe një lloj droje nga vetvetja, nëse ke arritur t’i përgjigjesh drejtë gjithë atyre pyetjeve, në ato pak faqe, që ke në dispozicion! Sidoqoftë ” Hejza” dhe stafi i saj janë mirëkuptues dhe dashamirës ndaj kujtdo prej nesh.”

Agim Bajrami

Ishte pikërisht një takim i stafit të studios 2M me shkrimtarë të Sarandës kur poeti dhe tregimtari Hekuran Halili na foli me mjaft entuziasëm për poetin Agim Bajrami. Se mos vetëm ai. Në takime të ndryshme emrin e tij do ta përmendin shkrimtari i Malit të Zi Dimitrov Popoviç, vetë Sulejman Mato si dhe shkrimtari Arben Kondi gjatë një konference shkencore në Pejë. Këto janë vetëm disa takime të rastësishme, por ajo që është më e rëndësishmja është jehona që ky poet e ka tashmë pjesë të jetës së tij. Poezia është pjesa më nazike e letërsisë dhe Agim Bajrami e ka kapur Pegasin aty ku duhet, me qetësinë e tij tashmë proverbiale, me vrullin rinor, me guximin që frymëzon poezitë e tij sidomos kohët e fundit.

Me të drejtë, studiuesi durrsak Pol Milo konstaton që shumë poezi të postuara nga Agim Bajrami, se ç’kanë disa tingëllima ndryshe, si një jehonë përsëritëse, që vjen në ngritje, një melodi e fshehur në zemrën e vargjeve. Tingëllimat e tij janë si notat e një kënge, që rrezaton një ndjesi duke shpërfaqur thellësinë dhe pasionin e shpirtit. Ky vështrim poetik me nota respekti dhe admirimi është një muzikalitet i shpirtit që prek dhe mbetet në mendjen e lexuesit.

Por le të kthehemi te magjia që një kopertinë reviste letrare të sjell në qenien tënde e për aq më tepër kur është fjala për një portret tejet të njohur, të një bashkëqytetari të Durrësit, të një poeti që ka vite që përcjell me vargjet e tij jetën urbane të këtij qyteti.

Por kopertina flet më shumë se sa shumë fjalë që mund të shkruajmë, sepse vetë ajo ka forcën sugjestionuese dhe të çon në mendime, të cilat nuk janë më mendime, por skica për ese apo proza të shkurtra. Kjo kopertinë me portretin e Agimit nuk është rastësi. Ajo vjen mbas botimit të dhjetra shkrimeve që Agim Bajrami ka përcjellë idetë e veta mbi letërsinë në faqet e revistës letrare “Hejza”  që në numrin e saj të parë. Nuk është rastësi, sepse poezitë e Agim Bajramit i kanë kaluar kufijtë e Shqipërisë dhe tashmë unë do ta quaja poetin e trojeve shqiptare, falë famës që vetë poezia ia ka dhënë. E tillë është dhe kopertina e revistës elektronike prestigjoze “Hejza”.

Shkrimet kritike të botuara jo vetëm te kjo revistë të Agim Bajramit kanë historinë e tyre, histori që filloi me botimin e librit me kritika letrare “Kthimi i gjeneralit” në vitin 2017 dhe që vazhdoi me botime në gazetat nacionale të Tiranës, Shkupit, Prishtinës.duke krijuar këtë fizionomi të re, Agimi tregohet një poet i vërtetë edhe në shkrimet kritike duke sjellë një frymë të re në mënyrën e të shkruarit, një mënyrë ku brendë reshtave regëtijnë filiza të poezive, që në fund të shkrimit gonxhja ka dalë me madhësinë e lules dhe kritika nuk është më kritikë, por një buqetë me mendime të freskëta dhe të këndshme, pra që nuk të mërzisin.

Kështu është dhe intervista e botuar në këtë numër të fundit të “Hejzës” ku Agim Bajrami me një qartësi të kthjellët jep mendimet e veta edhe kur pyetjet në këtë intervistë janë disi të vështira. Ai ka koncepte të drejta për një letërsi kombëtare kur thotë se: “ajo është hallka që di të bëjë lidhjet mes të shkuarës dhe të sotmes, duke parë më qartë se të tjerët me syrin e saj vizionar të ardhmen.”

Ai kritikon me të drejtë institucionet përgjegjëse të shteteve përkatëse që nuk kanë strategjinë e një unifikimi në forma standarde të letërsisë kombëtare. Agimi pasi jep disa shembuj me emra shkrimtarësh të huaj dhe shqiptarë që kanë realizuar letërsi kombëtare ai i bën skanerin disa antologjive poetike, që nuk dalin dot nga kufijtë e provincialitetit, apo siç e quan intervistuesi  Shkëlzen Halimi “kufijtë e mëhallës”.

Nuk është e thënë që në këto shënime të bëjmë anamnezën e kësaj interviste, por ajo që duhet theksuar është konstatimi me eksperiencë vetjake, qoftë për problemet e financimit me sponsporizime të botimit të veprave letrare, qoftë organizimet nga organet ministrale të konkurseve, apo tubimeve kombëtare, apo edhe mes Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Kjo intervistë ka vlerat e një studimi shumë planesh, një lloj abstrakti për një zhvillim  të mëtejshëm të ideve të shprehura aty.

Poeti Agim Bajrami me poezitë e tij, po arrin caqe të pamenduara. Sot, ai jo vetëm si poet i Durrësit, por mbarë kombëtar, jo vetëm si poet me origjinë çame, po poet i Shqipërisë, ka ndërtuar kështjellën e tij të kristaltë poetike. Me një perifrazim metaforik do të thoja se Agim Bajrami është si mjeku Norman Betyn, mjek i tre kontinenteve, dhe Agimi tashmë është poet i njohur në tre shtete Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, që me poezitë e tij shëron shpirtrat njerëzorë. Si pak kush i ka dhënë poezisë një pelerinë transparente, ku metaforat dhe maksimat marrin tjetër formë, e reflektimi i tyre i ndryshon ngjyrat vargjeve magjishëm.

Me këtë rast të këtyre shënimeve po sjell disa nga komentet që kam bërë për disa poezi të fundit të Agimit, të postuara në faqet e mediave letrare. Për poezinë “Mesditë në ikje” kam shkruar se “Bota e shqetësuar e poetit përmes metaforës dhimbëse të ikjes së mesditës, pra ikjes së vetë ditës, është dhënë me ngjyra bodleriane, është një poezi që nderon madhështinë e poetikës së Agim Bajramit.” Dielli, simbol i jetës dhe energjisë, bie në hije për t’u mbuluar nga këto ndjenja të errëta dhe të thella, ndërsa neonet, simbole të dritës moderne, duket se janë të ndjeshme ndaj shpirtit të trishtuar.

Ja disa strofa të kësaj poezie:

Seç ka një panik këto çaste

tek pemët që drithërojnë në erë.

Konturet e tyre, pas pak do të shkrihen,

si gjithë anonimet e mjerë.

 

Mjafton veç kaq, që ato të trishtohen;

mërzia t’iu ulet mbi sy.

Ato janë krijuar me diell të mbulohen,

neonet i kanë alergji.

 

Këto çaste si ato dhe unë

do hyj mes territ pak nga pak.

Afrimi i natës mbjell kaq dhunë

në trup, mendime dhe në gjak.

 

Ndërsa në poezinë “Gosti maskarenjsh”, që ka marrë karakter të theksuar socio-politik, ka një vrag grotesk, por nga mesazhi që ai sjell nuk duket më i tillë. Në poezinë “Vetmi peme”, ka ditur të skicojë botën e vetmisë së njeriut përmes vetmisë së pemës, ku e quan si një skenë lëvizësë të ekzistencës së njeriut. Edhe sikur kjo poezi të jetë ese, apo skicë poetike nuk do të mundte të shpaloste tërësisht hiret e poezisë së tij. Këtu bashkohem me komentin e Pol Milos, i cili thotë se: “kjo është një skenë lëvizëse e një transformizmi përherë e në perfeksion, si dhunti nga universi.”

Në poezinë me titullin shekspirian “Ofeli!” paralelja me heroinën e mesjetës është dhunti e poetëve të fuqishëm ku empatia e poetit e zbërthen atë që të tjerët nuk e kapin dot, atë të keqe të partnerit të Ofelisë ëngjëll shqiptar.

Po i mbyll këto shënime me një koment për poezinë “Ndonjëherë”, e cila shquhet për një ekzistencializëm të veçantë, i cili rrezaton jo vetem me poezi:

Ndonjëherë më ndodhin ca gjëra të çuditshme!

Dashurohem me lulet, por gjithmonë u rri larg .

Të gjithë dashuritë mbajnë aromat e tyre,

dhe aroma të tilla, jo kushdo i ka hak.

 

Simboli i filozofisë së jetës, përbën një pjesë të rëndësishme të zhvillimit personal dhe shpirtëror. Nëpërmjet këtij procesi, poezia jep një mesazh të fuqishëm për vlerën e përmirësimit personal dhe gjetjen e paqes nëpërmjet vullnetit të brendshëm dhe përkushtimit ndaj vetes. Aroma është privilegji i atyre që kanë kuptuar thelbin e vargut të jetës, një përgjigje ndaj thirrjes së fshehtë që vjen nga zemra.

Nga ana ime, kjo është vetëm një përqasje fillestare për ekzistencializmin e tij poetik, por e ardhmja është pranë!

 

Monteçhio Maggiore

03 mars 2024