Prof. Adrian Civici: Strategjia jonë përgatit studentët për tregun e punës

21
Prof. Dr. Adrian Civici Rektor i Universitetit "Mesdhetar i Shqipërisë"
Sigal

Prof. Dr. Adrian Civici

Rektor i Universitetit “Mesdhetar i Shqipërisë”

Telegraf.al / Përvjetorët, aq më tepër ato simbolikë, siç është 15 vjetori i UMSH, janë momente gëzimi e kënaqësie të një rrugëtimi plot sfida e arritje, të një angazhimi të përgjegjshëm e me vizionin e duhur akademik e demokratik, por janë dhe momente të rëndësishme reflektimi janë një përballje me 15 vite që nuk kanë qënë aspak të lehta, përkundrazi, janë vite plot sfida.

Eksperienca 15 vjeçare e UMSH në arsimin e lartë dhe mjediset akademike është gjithmonë një mundësi e vlefshme për të konsoliduar e përmirësuar projektin tonë arsimor të së ardhmes dhe për të përvijuar perspektiva të reja në misionin tonë për një edukim sa më cilësor, në funksion të zhvillimeve të reja të dijes, shkencës e shoqërisë.

Në UMSH jemi të bindur se edukimi duhet të vlerësohet dhe universitetet duhet të funksionojnë si instrumente që promovojnë zhvillimin ekonomik të çdo vendi, si një faktor i rëndësishëm që nxit produktivitetin ekonomik, zhvillon demokracinë dhe rrit standartet e jetësës.

Si mund ta vëmë shkencën dhe kërkimin shkencor, kulturën dhe demokracinë, njohuritë, dijet, informacionin, inteligjencën artificiale dhe sfidat më të cilat përballemi, në shërbim të zhvillimit të vendit dhe shoqërisë? Si mund të përballemi në misionin tonë me zhvillimet spetakolare në tregjet dhe profesionet e reja që po lindin? … mbi të gjitha me kompetencat e reja që kërkohen?

Cilësia e universiteteve dhe e kërkimit shkencor në raport me zhvillimin ekonomik e social të një vendi konsiderohen të barabarta me efektet dhe produktivitetin që japin teknologjitë moderne, inovacionet dhe format e avancuara të drejtimit e menaxhimit.

Në dekadat e fundit, analizat, debatet dhe propozimet për rolin e universiteteve po evidentojnë çdo ditë e më shumë shërbimin që ato duhet t’i japin shoqërisë, jo vetëm si qendra akademike, edukuese e shkencore, por edhe si “mjedise profesionalizuese”, në shërbim të nevojave konkrete ekonomike, financiare, sociale, teknike e teknologjike të zhvillimit. Studimet universitare në cikle të ndryshme po shihen e konsiderohen gjithnjë e më shumë si “investime të mirëfillta të shoqërisë apo individit për krijimin e një kapitali njerëzor sa më profesional, sa më të përshtatur me nevojat konkrete të çdo ekonomie apo biznesi. Universitetet dhe bizneset e kanë kuptuar se “produkti universitar” është cilësor dhe ka vlerë të lartë pikërisht kur “kërkohet e pranohet” menjëherë nga tregu i punës, institucionet dhe korporatat apo bizneset e çdo lloji.

Shoqëria e të ardhmes po ndërton universitetet e të ardhmes. Cilësia e kapitalit njerëzor është sot kryefjala e politikave dhe strategjive të zhvillimit … Universitetet duhet të jenë në ballë të këtij zhvillimi të jashtëzakonshëm …Në Raportin e tij për të ardhmen e vendeve të punës, Forumi Ekonomik Botëror (WEF) parashikon se 50 % e të gjithë punonjësve do të kenë nevojë për kualifikime e rikualifikime thelbësore. Mbi 85 milionë vende pune janë në rrezik për egzistencën e tyre si efekt i zhvillimeve teknologjike. Por në të njëjtën kohë, mbi 100 milionë vende pune të reja mund të lindin si pasojë e këtyre ndryshimeve. Në vitin 2030, mbi 70% e të diplomuarve nuk do munden të gjejnë dot një vend pune apo profesion egzistues të konsoliduar …. Por do ta krijojnë dhe zhvillojnë vetë atë.

Kjo është një përmbysje totale e konjukturës aktuale të punësimit, por dhe strukturës dhe traditave tëformimit universitar e profesional, vecanërisht modeleve e përmbajtjes së tyre.

Në gjithë punën e përditshme, por dhe vetë strategjinë e zhvillimit të UMSH, nuk bëhet më fjalë, për t’i mbushur studentët thjesht me informacione e njohuri sipërfaqësore, me lëndë, libra e programe mësimore formale, në mjaft raste të tejkaluara nga zhvillimet moderne, …. por, duke  përdorur një shprehje të bukur të nobelistit Joseph Stiglitz, ne “duhet të synojmë të krijojmë shoqërinë e dijes dhe të të mësuarit të vazhdueshëm”, për të trajnuar mendjet, për t’i formuar studentët me logjikën dhe aftësitë e arsyetimit analitik, me guximin kritik dhe inteligjencën emocionale, për t’i mësuar ata të përdorin imagjinatën dhe fantazinë e tyre kreative në mënyrë që të jenë në gjendje të orientohen dhe inovojnë sa më shumë në përballimin e sfidave dhe realiteteve të reja, në përballjen e problemeve themelore të individëve, shoqërive dhe vetë të ardhmes sonë të përbashkët.

Vlen të theksohet se dixhitalizimi dhe inovacioni nuk janë thjesht një opsion. Janë një detyrim në kuadrin e revolucionit dixhital, inteligjencës artificiale përfshirë këtu dhe perspektivat e zhvillimit të “edukimit 4.0”, si modele mjaft cilësore të univesiteteve të së ardhmes.I gjithë ky ndryshim radikal që po ndodh “në jetën reale”, kërkon me urgjencë “ndryshime radikale dhe në sistemet e edukimit në përgjithësi dhe ato të formimit universitar e profesional në vecanti”. Ne në UMSH po përpiqemi cdo ditë të ecim në këtë drejtim e me këtë rritëm.

Ballafaqimi ndërmjet universiteteve, studentëve të diplomuar, dhe kërkesave të bizneseve apo tregut të punës në tërësi, po na evidenton dy elemente : evolucionin e shpejtë të një pjese të madhe të bizneseve e aktorëve të tregut drejt teknologjive të reja moderne në prodhim, menaxhim e drejtim, drejt thellimit të procesit të dixhitalizimit kompleks, drejt revolucionit 4.0 që tashmë duket se po ecën paralel edhe me revolucionin 5.0, inteligjencës artificiale, startup-ve, në vendosjen e strategjive dixhitale dhe robotizimit në zemër të strategjive të tyre të zhvillimit … dhe, sfidat e reja të universiteteve dhe kolegjeve profesionale për të mos u mjaftuar vetëm me “emrin e mirë” apo akreditimet institucionale pozitive, por, për të bërë një “qilizëm” të thellë në programet mësimore, sillabuset, tekstet dhe literaturën e specializuar, laboratorët dhe praktikat mësimore, kërkimin shkencor dhe botimet akademike, cilësinë e mësimdhënies dhe pedagogëve të angazhuar, procesin e ndërkombëtarizimit, etj.

Hapja e Universitetit tonë në drejtim të bashkëpunimit ndërkombëtar , krijimi dhe përdorimi me eficencë i partneriteteve me universitete nga më cilësoret në Europë e botë tashmë janë mbi 50 partneritete të tilla , kërkimet e përbashkëta shkencore … projektet e bashkëpunimit dhe shkëmbimeve të profesorëve dhe studentëve … realizimi i konferencave e botimeve shkencore e akademike të përbashkëta …. diplomat e përbashkëta dhe ato multidisiplinore … janë rruga që ne kemi zgjedhur dhe punojmë çdo ditë për ta vënë sa më mirë në zbatim….Këto janë sfidat tona kryesore …! Le ti realizojmë së bashku!