Akademik Anastas Angjeli: Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë, lokomotivë e dijes me mbi 13 mijë të diplomuar

24
Sigal

Akademik Anastas Angjeli

President i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë

Nuk munda dot të fsheh as emocionin, as krenarinë e as entuziazmin në këtë ditëlindje të 15-të, të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë. Ndonëse vitet kanë ikur symbylltazi, teksa kthej kokën pas, dëshiroj të jem tërësisht objektiv në progresin që ky Universitet ka bërë gjatë një dekadë e gjysmë, që prej ditës kur materializuam me besim e përkushtim vizionin tonë për të udhëhequr të rinjtë në rrugëtimin e dijes.

Prandaj, në këtë përvjetor, unë dua të pohoj me bindje të plotë se : Ne ja kemi dalë!

Ka qenë një rrugëtim jo i lehtë, i mbushur me sfida, por gjithnjë e më i bukur dhe përmbushës, ditë pas dite e vit pas viti! Një rrugëtim frymëzues që na bën të mos ndalemi dhe të vijojmë të shohim nga e ardhmja! Kjo falë besimit që mijëra të rinj dhe prindër na kanë dhënë duke na lënë në duar përgjegjësinë e edukimit të tyre.

Ky besim, ka qenë shtysa më e madhe që Universiteti Mesdhetar të jetë sot pas 15 -vitesh një lokomotivë e pandalshme e dijes, me mbi 13 mijë të diplomuar, duke pasur si synim parësor, përmirësimin brenda vetes, në mënyrë që t’i ofrojë të rinjve, jo vetëm garancinë se e ardhmja e tyre është në duar të sigurta, por një ofertë akademike, që i bën ata të denjë e të pregatitur për tregun e punës.

Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë, ka ditur të përshtatet jo vetëm me atë çka kërkon sot ky treg, por edhe duke i ofruar studentëve të tij ato kurrikula dhe programe me njohuri nga me bashkëkohoret, që i formojnë me dije më të reja të nevojshme e që i japin vlerë diplomave të tyre, duke i kthyer ato në “pasaportat” e punësimit të tyre dhe karrierave të suksesshme.

Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë, sot ofron gamën e plotë të programeve të studimit, me 4 fakultete duke mbuluar të gjithë spektrin e studimeve në fushën e Ekonomisë, Teknologjisë, Drejtësisë, Shkencave Humane dhe Shëndetësisë. Ky spektër i plotë programesh, jo vetëm që ka rritur përvojën tonë akademike, por gjithashtu ka kontribuar në progresin social dhe ekonomik të vendit si edhe në ndërlidhjen e shoqërisë shqiptare me atë rajonale dhe globale.

E gjithë bota po shkon drejt një koncepti të ri Universitetesh, që kanë të bëjnë me revolucionin 4.0, revolucionin dixhital, inteligjencën artificiale, të cilat kanë efekte madhore për ekonominë, punësimin, sigurinë e gjithë shoqërinë.Universiteti i së ardhmes vendos  qasje të reja mësimore innovative.Ai trajnon qytetarët,  përmes ndërkombëtarizimit të dijes dhe mobilitetit të studentëve e pedagogëve

Në botën e sotme të globalizuar, shkëmbimi i njohurive, kulturës dhe ideve përtej kufijve është thelbësor për avancimin e arsimit të lartë. Universiteti Mesdhetar i Shqipëri,  duke e njohur këtë rëndësi, ka ndërmarrë hapa solidë drejt ndërkombëtarizimit, duke u veçuar si një institucion i përsosmërisë akademike dhe integrimit kulturor në Shqipëri. Në zemër të kësaj nisme qëndron angazhimi ynë ndaj programit Erasmus+,i financuar plotësisht nga Bashkimi Europian, një gur themeli për nxitjen e bashkëpunimeve ndërkombëtare, zgjerimin e horizonteve dhe më shumë mundësi për studentët e pedagogët tanë.

Më duhet të përmend se Universiteti Mesdhetar në sajë të programit Erasmus plus, ka  marrëveshje bashkëpunimi për shkembime studentore dhe staf akademik me 34 Universitete Europiane, ku dhjetra studentë e pedagogë marrin eksperiencat më të mira. Gjithashtu që nga koha e themelimit Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë numëron 54 marrëveshje bilaterale nëpërmjet të cilave aplikohen partnerite në fusha të ndryshme  dhe sot është partner ose lider në 15 projekte të mëdha ndërkombëtare.

Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë është Universiteti i së ardhmes! Ai synon përvetësimin nga studentët të aftësive universale për të rimenduar, vepruar, parashikuar dhe marrë parasysh zgjidhje alternative për skenarët kompleksë të së ardhmes.

Filozofa  e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë është e ndërlidhur pikërisht   me trinomin e rëndësishëm që bashkon :-cilësinë dhe standartin e lartë në mësimdhënie, duke transmetuar sa më shumë dije të  reja studentët,-kërkimin shkencor bazik dhe atë  aplikativ;  si dhe  përfshirjen në punën me projektet e bashkëveprimin  me  komunitetin e biznesit.

Universiteti i Mesdhetar ka promovuar dhe do të promovojë gjithmonë, lirinë akademike në të gjithë diversitetin e saj. Krijon, promovon dhe ruan lirinë për mendimin kritik dhe të pavarur, të karakterizuar nga përgjegjësia personale, e cila plotëson nevojat e krijimtarisë së studiuesve.

Universiteti Mesdhetar promovon dhe mbështet të menduarit sipërmarrës dhe veprimet inovative, si midis studentëve dhe pedagogëve, ashtu edhe studiuesve të mirfilltë. Në këtë mënyrë, forcohet pozicionimi specifik i Universitetit Mesdhetar si një qendër inovacioni në mësimdhënie dhe kërkim shkencor ku merren parasysh nevojat përkatëse të institucioneve shtetërore, biznesit dhe publikut.

Universiteti Mesdhetar është i përkushtuar ndaj parimit të shkencës së hapur, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet e tjera në bazë të strategjive përkatëse kombëtare.

Në këtë mënyrë ne kalojmë duke u përshtatur me kohën nga një mënyrë pedagogjike me në qendër mësuesin, drejt  të mësuarit me në qendër studentin. Dhe ne besojmë se vetëm duke pasur në qendër studentin do të mundemi t’i ofrojmë atyre përqafimin e këtij vizioni të së ardhmes.

Kemi gjithashtu  detyrimin të mos harrojmë  se të ardhmen e Shqipërisë e kanë pikërisht të rinjtë, studentët tanë në dorë dhe ajo nuk ndërtohet as me dëshirën për t’u larguar dhe as me dëshirën për të parë se diku gjetkë është më mirë, por me dëshirën dhe vullnetin e përbashkët që më të mirën ta bëjmë këtu, të gjithë bashkë për të ardhmen europiane të Shqipërisë!

15 vjet më parë, kur hodhëm gurin e parë të themelit për Universitetin Mesdhetar pikërisht ky ishte thelbi i vizionit tonë! Ne e projektuam veten, ndonëse në fillimet tona, si kontribues real për procersin e integrimit  të shumëëndërruar nga të gjithë,  nëpërmjet edukimit me të njëjtat standarde si në Bashkimin Europian të fëmijëve tanë!

Sot jam falenderues për secilin nga ju që gjendeni këtu, për çdo bashkëpunëtor e mik, falenderues me zemër, pasi ai vizion, ajo dëshirë e atëhershme pa ju nuk do ishte bërë realitet!

Ju falenderoj që keni qenë pjesë, që keni besuar dhe mbështetur Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë dhe ju premtoj se   në 15 vitet e ardhshme do ta shohim të mirëprëse mijëra studentë të tjerë, me  më shumë suksese, me më shumë arritje e me më shumë progres!