Gëzim Llojdia: A do të bëhet park nacional, Vjosa ?

“Vjosa shokë, Vjosa, o lum’ i bekuar”…!

 

NOA

 

1.Kur dëgjoj këngën  e lumit Vjosa, pra kur këndonte ca vite më parë  Poni me tekst të A.Dukes, trupi ndjente morinca. Për melodinë  bukur, tekstin dhe lumin e bekuar, që rridhte egërsisht në jug.

“…Kur isha e vogël shpesh me zinte gjumi,/ një këngë e bukur moj, /qe vinte nga lumi, /ninullë e shpikur  s’ja mësova fjalët, /se këndonin brigjet moj, /se këndoni malet. /Vjosa mori Vjosa refreni një këngë melodia saj moj, /si një ninullë këngë. /Vjosa mori Vjosa, /ti më le behar kush jeton pas saj/ o moj, bëhet këngëtar./ Nga brigjet e lumit shkova në qytete,/ po Vjosën e mora me zemër me vete/ Lumi plot me këngë si bijë me rriti/ ndaj nga ai lum’ o moj, /nuk më ndahet shpirti…”

…Gjithë rruga, që ndjek Vjosën është e gjatë. Vjosën e shikon  në Përmet, në Këlcyrën e Ali Këlcyrës, mirëpo edhe nga bedenat e kalasë së Aliut, nga Sevasteri nga fshatrat e Vlorës…dhe Vjosa shfaqet trazuar egërsuar e pamëshirshme në baltovinat e Myzeqesë së vogël, atje te ura e vjetër e Mifolit, që i shkon ujët deri në grykë.

2.Mirëpo kush është ky lum që quhet me këtë emër të bukur? ‘OEA’, akademia e artit dhe trashëgimisë shkruan:

…Lumi më i madh në Shqipërinë e J dhe i dyti pas Drinit, me gjatësi 272 km, sipërfaqe të pellgut ujëmbledhës 6706 km2, lartësi mesatare 855 m dhe rënie 5 m/km. Buron nga vargmalet e Pindit (Greqi), ku njihet me emrin antik Aos dhe, pasi futet në Shqipëri, në Perat, kalon në pjesën më të madhe nëpër Krahinën Malore Jugore, ndërsa në rrjedhën e poshtme, që nga Memaliaj deri në grykëderdhje kalon në Ultësirën Bregdetare. Deri në Këlcyrë V. rrjedh në drejtim VP, nga Këlcyra deri në Dragot, kthehet në P dhe ndërpret tërthor vargjet malore në grykën e Këlcyrës, ku merr ujërat e shumë burimeve e formon kanionin madhështor të grykës së Këlcyrës, rreth 13 km të gjatë, duke çarë tërthor dy struktura kryesore antiklinale e duke ndarë Trebeshinën nga Dhëmbeli dhe Shëndellinë nga Goliku. Nga Tepelena deri në derdhje rimerr përsëri drejtimin VP. Në V. derdhen degë të shumta si i Sarandaporit, përroi i Çarshovës, përroi i Lengaricës, i Lomnicës dhe  i Dëshnicës. Në grykën e Këlcyrës derdhen përroi i Zagorisë, përroi i Mezhgoranit dhe grumbullohen ujërat e shumë burimeve karstike, që dalin në shtratin e V, ndër të cilët, burimi i fuqishëm Uji i Zi. Pranë Tepelenës derdhet në V. dega më e madhe e saj,  Drino. Prej këtu shtrati i V. zgjerohet dhe pasi bashkohet në Selenicë me degën e dytë për nga madhësia, Shushicën, rrjedh në Ultësirën Bregdetare. V. derdhet në detin Adriatik në afërsi të fshatit Poro, në V të lagunës së Nartës. Në pellgun ujëmbledhës të V. afro gjysma e formacioneve shkëmbore janë gëlqerorë shtresorë të karstëzuar, ku dalin burime të shumta karstike. V. ka një prurje mesatare 195 m3/sek me një modul rrjedhjeje mesatare prei 29,1 l/sek për km2. Prurja maksimale me përsëritje 1 herë në 100 vjet është 4200 m3/sek. Sasia e lëndëve të ngurta pezull që transporton V në det gjatë një viti është mesatarisht 6,7 milionë t. Ujërat e V. kanë mineralizimin mesatar, prej 335 mg/l dhe përdoren gjerë për ujitje, nëpërmjet një sistemi kanalesh ujitëse…”

3.Mirëpo ky lum i bekuar është i kërcënuar: Nga kush kërcënohet Vjosa?

“Save the blue heart of Europe – the Balkan rivers” shkruan: “Ndërtimi i HEC-eve është kërcënimi aktual më i madh në këtë zonë. Një total prej 38 HEC-esh janë parashikuar në ujëmbledhësin e Vjosës. Në Shqipëri janë planifikuar 8 diga në rrjedhën kryesore, ndërsa 23 HEC-et e tjera janë projektuar në degët e tij – 4 nga të cilat kanë përfunduar tashmë, ndërsa 4 të tjerë janë në ndërtim. Në anën greke të ujëmbledhësit, janë parashikuar 6 diga të reja, ndërkohë që është vetëm një ekzistues, HEC-i i madh i Pigait. Lidhur me projketet në tokën greke në këtë matërial thuhhet se:Historia e ndërtimit të digave në rrjedhën e Vjosës e ka zanafillën në vitin 1984 kur një vendim i njëanshëm nga qeveria greke në atë kohe vendosi të fillonte punën për ndërtimin HEC-it Pigai, shumë afër nga burimi kryesor i lumit Aoos. Ka plane të tjera të parashikuara nga pala greke, që kanë të bëjnë me devijimin e një sasie uji prej 70 milion m3 / në vit nga Arkudoreuma, tributari më i madh që furnizon me ujë Lumin Aoos aktualisht. Ky devijim është parashikuar në dy drejtime: 50 milion m3 / vit do të transferohen nga rezervuari Pigai në Liqenin e Janinës, dhe më pas drejt Lumit Kalamas dhe ndërkohë që 20 milionë m3 / vit që do të shmangen përmes rezervuarit Pigai në lumin Metsovitikos. Përgjatë kësaj rrjedhe të ujit nëpër tubacione janë parashikuar të ndërtohen gjashtë hidrocentrale. Katër HEC-e janë planifikuar përgjatë drejtimit të parë dhe 2 të tjerë në drejtimin e dytë.

Dalim te projekti Kalivaçi: Hidrocentrali i parë i projektuar dhe që ka hyrë në proces zbatimi është projekti i Kalivaçit afër qytetit të Tepelenës. Koncesioni i digës së Kalivaçit është dhënë në vitin 1997, por ndërtimi është ndërprerë disa herë. Fillimisht, burimi kryesor i financimit ishte kompania italiane “Becchetti” dhe “Deutsche Bank”. Aktualisht, projekti ndodhet në një status-quo (për 4 vitet e fundit), ndërkohë që niveli i punimeve është më pak se 30%. Megjithatë, sipas planeve të Ministrisë së Energjetikës, HEC-i i Kalivaçit është vetëm një nga 8 digat e mëdha që do të ndërtohen përgjatë lumit Vjosa. (Ministria e Tregtisë dhe Energjetikës së Shqipërisë, 2008). HEC-et në degët e Vjosës, në total, 23 HEC-e janë projektuar përgjatë gjithë degëve të Vjosës. Ndërtimet për 4 prej tyre tashmë kanë filluar. Përgjatë lumit Langarica janë planifikuar për t’u ndërtuar 6 HEC-e, dy prej të cilave janë përfunduar, ndërsa një është në ndërtim e sipër. Të tre HEC-et janë brenda “Parkut Kombëtar të Bredhit të Hotovës”. Kontraktori është kompania austriake “ENSO Hidro”. Përgjatë lumit të Bënçës, një tjetër degë e Vjosës, janë parashikuar 5 HEC-e. Dy prej tyre janë aktualisht në ndërtim e sipër. Investitori është kompania italiane “FERRAR”. Lumi i Shushicës është dega e dytë më e madhe e Vjosës pas Drinosit. Dy HEC-e janë planifikuar në rrjedhën e sipërme të tij afër Smokthinës.

4.Një artist i madh si Leonardo Di Caprio. Aktori i madh në postimin e tij në Instagram shkruan: “Lumi Vjosa i Shqipërisë është lumi më i madh i egër në Evropë. Nga malet e Greqisë deri në Detin Adriatik në Shqipëri, ai shtrihet në 300 kilometra, plotësisht i lirë nga barrierat artificiale, si digat e hidrocentraleve. Lumenjtë dhe përrenjtë që janë degë të Vjosës janë shtëpia e më shumë se 1,100 specieve të botës së egër, shumë prej të cilave janë të kërcënuara.Vjosa është kurora e “Blue Heart of Europe” dhe njerëzit në të gjithë Shqipërinë duan ta mbrojnë atë përgjithmonë. Ata po i kërkojnë qeverisë së Shqipërisë të krijojë  “Vjosa Nark Park Now”, i cili do të ishte parku i parë i lumit të egër në Evropë.”

River watch: Lumenjtë bashkojnë, digat ndajnë, shkruhet se mbështetja më e spikatur për Vjosa: Leonardo Di Caprio rrit ndërgjegjësimin për lumin e fundit të egër të Evropës – Vjosa – dhe kërcënimin me të cilin po përballet në Instagramin e tij! ” Ky është një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës. Por për sa kohë? …”, shkruan ai. Vjosa është bërë e famshme në botë, ajo vlerësohet për paprekshmërinë e saj.

Ai gjithashtu tregon për ndikimet negative të hidroenergjisë dhe serikave të rëndësishme të ekosistemit, lumenjtë e shëndetshëm sigurojnë: ” Digat bllokojnë rrjedhën natyrore të ujit dhe sedimenteve. Ato gjithashtu mund të ndryshojnë kiminë e ujit dhe të shkaktojnë rritjen e algave toksike. Lumenjtë janë thelbësorë, pjesë e ciklit global të ujit. Ata veprojnë si arteriet e natyrës, duke bartur energji dhe lëndë ushqyese nëpër peizazhe të mëdha, duke siguruar ujë për të pirë, prodhim të ushqimit dhe industry. ” lexohet në postimin e Leonardo Di Caprio.

Postimi i Di Caprio pati një ndikim të madh në mediat shqiptare  në vitin 2019.