Korçë/ Blegtoria e lënë pas dore, 23 mijë Ha kullota dhe pyje pa dhen dhe dhi, 1/3 e mishit të konsumuar, importohet

447
Sigal

Korçë, 23 mijë hektarë kullota dhe pyje pa dhen e dhi

Blegtoria e lënë pas dore, 1/3 e mishit të konsumuar, importohet

Nga Vepror Hasani

Sot në gjithë vendin mbarështohen 1,600,000 krerë bagëti të imta (dhen e dhi). Për të gjitha këto bagëti, pa përjashtim nga vendi ku ndodhen, Bashkia e Korçës ofron  kullotë përgjatë gjithë verës, pasi kapacitetet kullusore të saj, shkojnë deri në 1,500,000 krerë, por po të kemi parasysh që tufat e vogla (me disa dele e disa  dhi) nuk mund të shtegtojnë, sërish fondi kullusor i Korçës rezulton të jetë më i madh se nevojat. Dhe jo vetëm kaq: kullota është shumë e mirë, siguron qumësht dhe mish të cilësisë së lartë, kushtet atmosferike të  verës janë të preferuara, uji dhe ajri i pastër nuk mungon etj. Aktualisht shfrytëzohet më pak se 20% e sipërfaqes së kullotës. Nëse hapësirat e mëdha të kullotave do të shfrytëzoheshin tërësisht, jo vetëm Bashkia e Korçës do të siguronte një burim të mirë të ardhurash, por edhe vetë mbarështuesit e bagëtive të imta do të nxirrnin më shumë të ardhura, pasi kullotat plotësojnë të gjitha kushtet. Por edhe pse është kështu, që prej viteve ‘90 e deri më sot, në malet e lëndinat e Korçës, nuk vijnë tufa nga jugu apo vende të tjera. Kjo gjë nuk ndodh vetëm në Korçë, edhe në Kukës dhe rrethe të tjera ku sipërfaqet kullusore janë të mëdha. Arsyet pse ndodh kështu janë të shumta

Blegtoria është lënë pas dore

Jo vetëm studimet e kryera për gjendjen e blegtorisë në shkallë vendi, por edhe vetë fermerët e qarkut Korçë që merren me mbarështimin e bagëtive të imta, pohojnë vështirësitë e shumta me të cilat përballen. Së pari, tufat e bagëtive janë të vogla, (në shkallë vendi tufat e mëdha zenë vetëm 5% të fermave të cilat kanë nga 101 deri në 200 krerë), pjesa tjetër e ka të pamundur shtegtimin për ta kaluar verën në një vend tjetër. Por kjo nuk është e vetmja arsye: tufat e vogla nuk sigurojë të ardhura të mjaftueshme; fermerët nuk arrijnë t’u sigurojnë ushqimin gjatë dimrit; nuk kanë mundësi të mbjellin foragjere e drithra për t’i përdorur si ushqim për bagëtitë, – thjesht, përpiqen të mbijetojnë. Nuk kanë mundësi të ngrejnë stalla të reja; rrallë ndodh që majmërimi i qengjave dhe kecave të jetë një veprimtari e ndarë biznesi. Ende përballen me problem të pronësisë me kullotat. U mungojnë mjetet e transportit. Ka zona ku mungojnë edhe kapacitetet për grumbullimin dhe përpunimin e qumështit. Kostot e larta, nuk e lejojnë fermerin të rritet. Dhe këto sërish nuk janë të vetmet arsye, pasi bagëtitë kanë nevojë edhe për kujdes mjekësor. Pra, të gjitha këto flasin për një blegtori jo të përparuar dhe për mungesë subvencionesh, ndaj dhe kullotat mbetën të pashfytëzuara, pa bagëti.

Mungojnë barinjtë me moshë të re

Veç arsyeve që renditëm më sipër, në mosmbarëvajtjen e blegtorisë ka edhe  një arsye mjaft të fortë: mungojnë barinjtë me moshë të re. Vetëm ata mund t’i shtegtonin tufat me dhen e dhi, kudo që gjendeshin kullotat e lira, por kjo nuk ndodh sepse, aktualisht fitojnë më shumë duke bërë punën e bariut në Greqi, sesa duke u marrë me rritjen e bagëtive në vendin e tyre, ku të ardhurat janë mjaft të vogla. Studimet e kryera tregojnë se aktualisht me mbarështimin e të imtave merren kryesisht individë të moshës së mesme ose të moshuar, edhe këta të fundit e bëjnë këtë, sepse janë të detyruar të nxjerrin bukën e gojës, pasi nuk kanë asnjë mundësi për një vend pune tjetër. “Po të shfrytëzohen kapacitet kullusore të bashkisë Korçë, – shpjegojnë specialistët e blegtorisë,- do të garantohej  jo vetëm bulmeti por edhe mishi i shqerës dhe i dhisë, dhe nuk do të ishte e nevojshme që 1/3 e mishit që konsumohet, të importohej. Mosshfrytëzimi i hapësirave të mëdha kullusore është një alarm i madh për gjithsescilin që e ka për detyrë zhvillimin e bujqësisë dhe politikat zhvillimore të këtij sektori, duke filluar nga qeveria qendrore deri te pushteti lokal, sepse mundësitë ekzistojnë që këto t’i prodhojmë këtu dhe të ardhurat e fermerëve që merren me këto punë të ishin shumë më të mëdha”. Bashkia e Korçës ka një sipërfaqe prej  23 mijë hektarë pyje dhe kullota, nga të cila shrytëzohet vetëm 20% e tyre. Gjithashtu, blegtoria do të ishte edhe një mundësi e mirë punësimi edhe për të rinjtë e zonave rurale.