Suplementi Pena Shqiptare/ Luan Laze: Njeriu që frymëzoi shkrimtarin

572
Sigal

Kjo foto i përket vitit 1976.Ushtaraku në krah është komandanti im dikur, sot një nga shkrimtarët më të njohur në vend dhe me një krijimtari tepër të begate, në rreth 60 libra të botuar, jo vetëm në shqip por edhe në disa gjuhë të huaja. Quhet Shpendi Topollaj.Lexuesi e njeh mirë ate dhe veprën e tij në prozë, poezi, kritikë letrare dhe studime. Por si e njoh unë, pikërisht në kohën kur ai nuk mund të shkruante dhe botonte. Atje në pikën kufitare të bregdetit me dërguan si një ushtar i padisiplinuar, dhe ashtu isha vërtetë.Edhe unë sot, do e kisha përzënë veten time atëhere nga aty…! Por atje gjeta atë, të cilin, dhe me lutjen me të madhë ndaj Zotit, nuk do me ishte plotësuar dëshira, komandantin dhe pedagogun tim, Shpendi Topollaj.Nuk kisha parë asnjë ushtarak aq të përkushtuar me detyrën sa ai.Nuk kisha hasur asnjë komandant ushtrie me kulturën,botën e pasur shpirtërore, humorin, sjelljen plot seriozitet dhe, njëherazi, njerëzor sa ai.Ishte nga ata që ta hante kokën me të mirë.Para tij të vinte turp të shkelje mbi rregulla dhe norma.Nuk të impononte frikë por respekt. Bir i një familje me emër kolonjare, komandanti im Shpendi, ishte përcuesi më besnik i vlerave më të larta atdhetare, kulturore, njerëzore dhe profesionale të familjes nga ai vinte. Por babai i tij, Hulesiu, partizan dhe komandant me emër, duhej dënuar nga diktatura pikërisht për një liber me kujtime nga lufta dhe herojtë, me te cilët ai kishte luftuar ku, një pjese prej tyre dhanë edhe jetën. Shpendi ishte shkrimtar por nuk mund të shkruante.Sepse ai vetë qe dënuar madje edhe si lexues! I kishin kapur librin e Rexhep Qoses me kritika dhe studime. Ky autor atëhere, nuk ishte vëllai i një gjaku me ne, por shkrimtari dhe studiuesi nga Jugosllavia e Titos. Kaq shumë më hyri në zemër ky komandant i zgjuar, njerëzor dhe i përgatitur si asnjë tjetër, sa nisa ti shtrohesha rregullit dhe disiplinës.Vetëm Shpendi Topollaj kishte aftësine, të kthente, nga një ushtar me probleme për komandën, në një njeri me vlera dhe arritje.Falë tij u bëra një nga ushtarët model në qitje apo treguesit e tjerë.Foto e ushtar Lazes zuri vend edhe në tabelën e nderit të repartit. Por ai nuk u mjaftua me kaq.Ndërkohë, dy pasionet e mia leximi letërsise dhe fiskultura, u bënë tërheqëse për psikologun dhe pedagogun Topollaj. Ai me nxiti të shkruaj për herë të parë.Ndoshta kishte vënë re te unë shkëndija letrari. Nisa të lëvroj poezinë.Të parat krijime zunë vend në këndin e letrarit të repartit.Në mes ngacmimit të shokëve, kujdestari im mori dhe botoj si surprizë, dy nga poezitë e mia në gazetën e qytetit.Lumturia ime ishte e pafund.Atë që nuk pati mundësi ta realizonte vetë, botimin, tani ky njeri fisnik po e shijonte tek ushtari tij.Kaq e bukur mu kthye ajo periudhë vlerash në atë kohë, sa ndjeja keqardhje që ushtrisë po i vinte fundi.Me Shpendi Topollajin mund të qëndroja edhe dhjetë vite të tjerë ushtar.Nga ai mësova shumë për vlerat e atdheut , respektin ndaj historisë tonë, dashurisë për kulturën, artin dhe vlerën e miqve e shoqërise.Më parë ky fisnik nxiti vartësin dhe nxënësin e tij për tu bërë shkrimtar, e me pas veten, por më vonë në demokraci.Çfarë fisnikërie e lartë e këtij njeriu me zemer të madhe, nën rrobën e hekurosur të ushtarakut model.Dukej sikur më thoshte me atë ndihme: flutururo ti djalë drejt kësaj ëndrre të bukur.Unë do vij më pas… Megjithëse nisa më vonë të botoja në shtyp apo libra, përsëri nxënësi nuk ja kaloi mësuesit të tij.Në demokraci ajo energji e akumuluar, ajo kulture, ajo njohje jete, ajo fantazi dhe ai respekt qe kishte Shpendi mbi vlerat njerëzore,u derdhën plot talent, bukuri, mençuri e estetikë, në afro 60 libra të botuara deri me sot. Po kush nuk e njeh shkrimtarin,poetin,studiusin dhe kritikun Shpendi Topollaj.Në të gjithë trevat shqiptare ai ka miq dhe lexues të shumtë.Njeri dhe mik me vlera të larta njerëzore dhe shoqërore, ai është dhe vellai i diplomatit të njohur e me kulture të gjerë, Spartak Topollaj. Kanë kaluar shumë vite nga ajo kohe kur është fiksuar kjo foto.Por miqësia ime me të dhe familjen e tij, është e pandryshuar.Nëse ka qytetar që të nderon, nëse ka shkrimtar më produktiv sot, nëse ka bashkëshort, baba dhe gjysh i rralle është ai.Mik i madh i artistëve e i njerëzve të sportit, qytetar model në qytetin ku banon, në Durrës, i gjendshëm në çdo hall e fatkeqësi të tyre, ai ka fatin të ketë lindur në 14 Shkurt, ditën e Shën Valentinit.Një bashkëshort të cilin do e kishte zili çdo grua, për dashurinë, finesën dhe përkujdesjen e rrallë që ka ndaj shoqes të tij të jetes, Tatjana. Ai ka lindur në këtë ditë të bekuar dhe të bukur, si për të falur dashuri familjes, atdheut, miqve, artit dhe çdo vlerë që ka krijuar kjo tokë.Librat e tij flasin shumë për zemrën e tij. Shpendi Topollaj është si ata personazhet e librave më të bukur që ju kanë frymëzuar, dhe ua bëjnë jetën të këndshme sa herë i kujtoni. Unë kam patur fatin ta kem njëherazi, frymëzim dhe drejtim i duhur për një jetë të dobishshme për veten dhe shoqërinë. Mirënjohja me detyron ti them: Faleminderit komandanti im Shpendi!