Sot jam zëri yt ,o grua që fsheh lotin e dhimbjeve të shpirtit në cepat e syve . Jam zëri yt ,o grua që proteston në heshtje për të gjitha padrejtësitë që të janë bërë në jetë, për dhunën fizike dhe psikologjike që kanë ushtruar mbi ty egërsisht. Jam klithma e vajzave dhe grave rozafa që janë murosur me thikë në zemër. Dëgjojeni ulërimën korale, që vjen nga thellësitë e tokës, është mesazhi më i fuqishëm që trondit themelet e kombit dhe thërrmon qiejt e ndërgjegjes njerëzore ! Ulërima korale e rozafave shqiptare, të murosura me thikë në zemër, tashmë, e kthyer në shtatore dhimbje, mishëron frikën më të thellë njerëzore. Në shtatin e saj gjendet “valvula e gjashtë “ , e përshkruar në Apokalipsin e Gjonit .Valvula ka filluar të pësojë krisje dhe gjëma ka nisur të thërrmojë trojet arbërore dhe mbarë botën. Imazhi tronditës i familjeve që po shkatërrohen ,sikur të mos kishin ekzistuar fare, gjakosja e zemrave të rozafave , që në thelb është zemra e familjes dhe e universit, duket qartazi që nuk ka prekur nervin, psikologjinë dhe trurin e shqiptarëve, të cilët më shumë janë të interesuar për politikën , sesa për “valvulën e gjashtë”, në shtatin e shtatores së dhimbjes.
Prandaj , Ty , o grua që je gjallë , të them : Mos lejo askënd të thyejë shkëmbinj mbi kurrizin tënd dhe emri yt të vetmojë, si qyqet mbi muranën e djerrët, mbuluar nga pluhuri dhe balta e ndëshkimit ! Duaje veten, shtrëngoje jetën me dhëmbë ! Ngushëlloje vetë veten tënde, kur të tjerët nuk të ngushëllojnë, hidhi në erë dhimbjet e shpirtit, siç hidhet drithi për t’u pastruar, që era t’i shpërndajë tek njerëzit, që arrijnë të kuptojnë dhe ndiejnë dhimbjen tënde ! Vetëm kështu do të nderojnë dhe do çmojnë vlerën e vërtetë të ekzistencës tënde, si krijesa më e përsosur, që mban farën e jetës në prushin e trupit dhe kur vjen koha e përshtatshme , përshkon me hapa vetëtime Luginën e Vdekjes , për të sjellë krijesën njerëzore në planetin Tokë. Se Zoti të bëri , si nereida e pavdekshme Tetis , të la në dorë fatin e njerëzimit e të gjithësisë. Ndaj rrënjët ke shtrirë nëpër livadhe e pyje, që të mbledhësh lotin e dhimbjeve të botës në retinat e syve.






















