Suplementi Pena Shqiptare/ Paola Mucodemi: Shtëpia e fëmijërisë!

45
Sigal

Rreth kësaj shtëpie të vjetër, rrotullohen shumë kujtime të fëmijërisë time!

Disa i kam kaq të freskëta, sikur të kenë ndodhur dje.

Një buzëqeshje më vizatohet në fytyrë teksa para syve më kalojnë sekuenca momentesh që më bënin të lumtur, shumë të lumtur!

E lyer me gëlqere, e kombinuar me gjelbërimin e pemëve dhe paqen shpirtërore që të ofronte, ishte gjithmonë e freskët, e ngrohtë dhe mikpritëse!

Çdo mëngjes ngrihej krenare bashkë me gjyshin dhe gjyshen, duke hedhur rreth supeve mantelin e fisikërisë!

Aroma e luleve, cicërimat e zogjve, këngët e gjinkallave në bajamet poshtë të cilave luaja, më mbushin me një dashuri të pamatë!

Kjo shtëpi e vjetër, nuk është kurrë e zbrazët, është e stërmbushur me kujtime, me jehonat e zbehura të zërave tanë që dikur i jepnin gjallëri.

Ai ballkon nuk do jetë kurrë bosh, aty mblidheshim me gjyshin dhe pastronim lulet e diellit, shkonim në spango duhanin që mblidhte ai.

Tek ai ballkon prisja gjyshin të kthehej nga qyteti dhe rendja e paduruar për t’i nxjerr çokollatën që e ruante për mua tek xhepi i brendshëm i xhaketës!

Të qeshura, lot, gëzime janë derdhur brenda këtyre mureve të shembur tashmë!

Sepse kjo shtëpi dikur jetonte, dikur merrte frymë me një ego më tepër se njerëzore!

Edhe pse nuk jetoj më aty, ajo jeton brenda meje dhe më ndjek kudo si një hije e mbytur nga mjegulla!