Suplementi Pena Shqiptare/ Neviana Shehi: Kornizat e qiellit

140
Sigal

Ka kohë që qiejt e mi kanë nisur të luajnë me errësirën dhe drita e tyre më ngjan e zbehtë. Çdo natë ti ankohesh për mungesën e kontrasteve dhe kornizat e qiellit i sheh gjithnjë e më të ngushta. Nga frika dalëngadalë kam nisur të prek trupin tim për t’u siguruar në është i imi vërtetë apo ka fluturuar në qiell. Mërzitem, sepse kam nisur të humb çdo ditë nga një drithërimë. Ndonjëherë retë e qiellit më ngjajnë si balenat e bardha orka dhe vështrimet e tyre enigmatike më shqetësojnë. Edhe sot dikush m’i hëngri zogjtë postierë, që ishin nisur drejt meje, dhe unë mbeta pa asnjë letër dashurie! Nostradamusi ka shkruar për ta (që hanë zogj) në faqen 2568 të librit të tij për kaosin. Dikush më thotë se terri ka pikuar nga ky libër, por unë nuk e besoj. Gjithmonë kam besuar se demonët dhe terri krijojnë njëri-tjetrin. Për çdo ditë mundohem të flas me zogjtë e vdekur të fisit tim, por s’mund t’u nxjerr asnjë fjalë. Tashmë edhe të vdekurit kanë nisur të ankohen nga verbëria dhe pesha e pamjaftueshme e dheut mbi ta dhe kjo është tragjike. Akoma e shoh errësirën dhe plot drita që pipëtijnë me një dhimbje, kurse unë mendoj se ato drita në fakt janë shpirtrat e atyre që m’i kishin hëngër zogjtë postierë dhe që më lanë pa letra dashurie I dashur, ti ke të drejtë të ankohesh për mungesën e kontrasteve dhe ngushtësimin e kornizave të qiellit, atje ku ka fluturuar edhe trupi im…