Suplementi Pena Shqiptare/ Llazar Prifti: Si u njoha me shkrimtarin Moisi Zaloshnja

446
Sigal

Është  një ngjarje që rrallë herë vjen në jetë.

Ishte viti 1990.  Shkoja në kampin e punëtorëve në Dajt. Ishte një rrugëtim mes gropash. Dukej që dikur aty kishin punuar sharrat dhe më vonë qe rikonstruktuar e ishin ndërtuar vilat. Vila të rralla, të bukura e të distancuara nga njëra-tjetra. Kishte vila për të pushuar udhëheqja, kampi i punëtorëve dhe kampi i pionierëve. Nuk ma zinte goja t’i thosha “kamp pushimi”, sepse që me shikimin e parë nuk më pëlqeu.

Kur po bëja regjistrimin në sportel, në katin e dytë, para meje ishte duke u regjistruar një çift të rinjsh, të sapo fejuar.  Ishin që nga Elbasani. As i njihja e as më njihnin. Sportelisti u tha të rinjve:

-Ti djalë, do të shkosh te kampi i pionierëve, se e ke biletën 1500 lekë, kurse ti, iu drejtua vajzës, e ke biletën 1200 lekë dhe do të rrish këtu.

Unë ndërhyra e i thashë djalit:

-Më fal, o shok, a e ke të fejuarën tënde këtë vajzën?

-Po,-tha ai.

Iu ktheva sportelistit:

-Po, mirë, more vëlla: Këta i ka bashkuar Perëndia, kurse ti po i ndan. Nuk bën kështu!

-Jam i detyruar nga biletat,-u përgjigj sportelisti…

-Po ne mund ta regullojmë këtë punë,-i thashë unë… Shkëmbejmë vendet.-Shkoj unë tek kampi i pionierëve, se atje kam dhe shokët.  Ti na ndërro biletat dhe më jep një shënim që të mos na nxjerrë probleme drejtori i kampit.

Ashtu bëri. Çantën në krah unë dhe ika në rrugën e asfaltit. Ishte largësia si qyteti i Lushnjës me Karbunarën.

Drejtori i kampit e pa letrën dhe më tha:

-Dakort! Shko, sistemohu në vilën 11. Ashtu bëra. Këto vila të bukura me kosto të lartë 1500 lekë ishin rezervuar për udhëheqësit e shtetit, apo njerëzit e tyre. Vilat moderne të tyre, tani ishin për ne. Për udhëheqjen e lartë të shtetit ishin bërë vila më moderne.

Sapo arrita në vilën 11, hyra në dhomën time. Aty shoh një burrë me trup mesatar i cili ishte shtrirë në krevat dhe po lexonte “Muhametin” në italisht. E përshëndeta me dorë dhe mendova se mos isha ngatërruar se ky m’u duk si një i madh. I thashë:

-Mos kam të bëj me një të Madh?

-I Madh është ky!-tha ai dhe ngriti librin në dorë.

“Përgjigje e bukur, thashë me vete”. U prezantova:

-Më quajnë Llazar Prifti, mësues nga Lushnja. Kam ardhur për të pushuar. Më dërguan tek kjo vila, mos jam ngatëruar gjë?

-S’je ngatërruar hiç,-tha qetë ai.-Mirë se erdhe, Llazar! Dhe m’u prezantua:

-Mojsi Zaloshnja, më quajnë mua.

Mbeta një çast pa frymë. Isha përballë shkrimtarit të mirënjohur dhe partizanit Moisi Zaloshnja. Ia kisha lexuar librat, por kurrë s’më kishte rënë rasti të isha përballë dhe kaq afër sa atë ditë. Isha me fat si duket.

-Qënkam me fat dhe paskam nderin të njihem me një shkrimtar të madh!

-Jo,-nguli këmbë prap ai. -Ky është i Madh! dhe e mori librin në dorë.

-Gëzohem shumë që kam nderin të njihem me shkrimtarin e Skraparit, gëzohem shumë…! Librat tuaja i kam lexuar: “Gjysma e gjelit”, “Kur malet kërkonin diellin”, “Hani pini dhe këndoni, sa të jetë Lala Gjoni” Shkrimtari e la librin dhe u mor me njeriun përballë, me mua.

-Dhe unë gëzohëm që njihemi dhe që më paske lexuar, -tha ai. -Kjo është shumë e rëndësishme për një shkrimtar.

Ishte me trup të imët, i dobët, i gjatë, e i thatë në fytyrë që më shëmbëlleu si Nas Belloja  ynë. Por ishte shumë i thjeshtë e i dashur, i ëmbël në muhabet e korrekt  në bisedë. Flinim pranë e pranë në një dhomë në kamp, një metër larg njëri-tjetrit.

Gjithë kampi i thërriste “Profesor”. Vetëm Moisiut, se aty kishte burra të tjerë me kulturë, si gazetar e shkrimtar nga “Zëri i popullit”, “Hosteni” etj.

Moisiu kishte edhe gruan aty, Mukadesin, por atë e la me shoqet, se fatkeqësisht ishte me sklerozë.

Paradite e pasdite Moisiu pinte kafe me mua. Më pëlqeu dhe e pëlqeva.

-Pagove në mëngjes, tani e kam unë radhën,- më tha një herë ai. -Sa i mirë që ishte!

Filloi të më prezantonte jetën e tij: “Kam qënë 20 vjet shef i Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”, tha. Pa firmën time nuk botohej jo një libër, po asnjë artikull. Isha kuadër i dalë nga Lufta e Dytë Botërore.

Isha në një kohë në luftën e madhe me Ramiz Alinë…. Kur dola në pension, Ramizi më erdhi në shtëpi për të më uruar.

Pas luftës shkova në Skrapar, por më kërkuan nga Tirana e më vunë mes shkrimtarëve. Kam një djalë dhe dy vajza.

Djalin e kam të martuar, kurse vajzat nuk duan të martohen, Llazar. Është zgjedhja e tyre, babai nuk bën dot kundër. S’kam ç’u bëj.

-Po ti ç’fëmijë ke?- më pyeti mua.

-Dhe unë kam një djalë e dy vajza,- i thashë. Djali studion për inxhinier ndërtimi.

-Dëgjo,-tha ai.-Kur të mbarojë shkollën, hajde te unë. Unë e pi kafen në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë. Yllka, vajza ime është drejtore e drejtorisë  III në Ministrinë e Ndërtimit dhe ta emëron në Lushnjë se e paske djalë të vetëm.

Ç’lëndë ke dhënë?-më pyeti pastaj.

-Biokimi,- i thashë.

-Po ti e njohke shumë mirë dhe letërsinë.

-Kam lexuar shumë libra artistike, profesor.

Pastaj më pyeti”

-Po Aleks Danin,  metodistin e shkëlqyer, a e njeh?

-E kam pasur inspektor,- i thashë.

-Do ta puthësh në faqe Aleksin për mua.

Kur shkova në Lushnjë, ashtu bëra, siç më tha Moisiu.

-Po ku ma gjete Moisiun, more Llazar?-më tha atë ditë Aleksi.

Moisiu më pas më pyeti për mësuesit e Lushnjës si: Hysen Dërvishi, Zabit Kurti, Koli Allkanjari, Riza Ranxhi, Andon Billo…etj.

Isha shumë kureshtar dhe doja t’i bëja qindra pyetje. Doja që të fitoja sa më shumë njohuri nga ai. Ai përgjigjej me barsaleta të bukura.

Kur u kthyem, pasi mbaruam pushimet, Moisiun shoferi e uli në vendin e parë, kurse mua më qëlloi vendi nga fundi i autobusit. Në fakt, unë ndenja në këmbë, pranë Moisiut dhe shoferi nuk më tha gjë.

Në Tiranë u ndamë. Ai vuri dorën në zemër e më tha:

-Më ke lënë gjurmë këtu dhe vuri dorën në zemër.Mirutakofshim!

………….

Kur erdha në Lushnjë, ishte muaji korrik. Po ecja me biçikletë. Diku te hijet, përballë dyqanit të Xhoxhit takova Faslli Halitin dhe po i tregoja se kisha takuar Moisi Zaloshnjen.

-Si munde ta takosh?- më tha.

-Ja, ishte një që po lexonte Muhametin italisht dhe… vazhdova tregimin unë. Faslliu nxori bllokun dhe bëri ca shënime siç e tregova unë ngjarjen.-Do të bëj një artikull të bukur me këtë temë që më the, tha ai dhe e bëri artikullin në gazetën “Shkëndija” me titull “…Malli për shokët…”

Kur doli gazeta, po mendoja se si mund t’ia çoja Moisiut. Një mendje më thoshte ta grisja shkrimin dhe ta fusja në zarf, por kisha droje se do të më qeshnin shkrimtarët, shokët e tij në Tiranë.

Shkova te zyrat e ndërmarrjes “Bashkimi”, mora një zarf të madh, e palosa gazetën dhe e futa brenda në zarf të shoqëruar me një letër, një faqe format. Ia nisa Moisiut me postë. E kishte marrë dhe ua lexonte shokëve të tij në Tiranë, duke u thënë: “Shikoni ç’ka bërë lushnjari”

…………………………………..

Ja një nga dhjetra pyetjet që i bëra Moisiut:

    -Profesor, a ka frikë burri nga gruaja?

Ai buzëqeshi pak dhe tha:

-Dhe Mbreti ka frikë nga gruaja. Dhe nisi të tregonte:

“Çoi mbreti hyzmetqarin që të shikonte a ka trima fshati. Ky, trokiste derë më derë dhe i pyeste:

-O filan!

-E!

Ke frikë nga gruaja?

-Kam, -tha ai.

-Një gomar dënim!

E mori gomarin. Yo! Yo! Shkoi te dera tjetër.

O filan!

-E!

-Ke frikë nga gruaja?

-Kam.

-Një gomar dënim. I bëri dy gomerë ky. Kështu vazhdoi tërë fshatin me të pyetur dhe u kthye te mbreti menjë tufë të madhe gomerësh.

Kur pa mbreti 70 gomerë, kuptoi që ai kishte bredhur me të pyetur në 70 shtëpi që do të thoshte se  70 burrat e pyetur, në tërë fshatin kishin frikë nga gratë. Atëhere tha:

-S’paska trima fshati ynë. Të tërë u futkan në vrima nga gratë.

Yzmetqari i mençur vajti e i tha në vesh edhe mbretit:

-O mbret! Kam gjetur një  bukuroshe, një yll more, yll, e bukura e dheut, 18 -vjeçe është, kumbull vajzë, kur ta shikosh do të të bjerë vilania, a ta sjellë në sarajet e tua?

Mbreti iu afrua e i tha rrëzë veshit yzmetqarit:

-Po sille more i uruar, po të mos e marrë vesh, as mbretëresha, as kopilja!

-Paske frikë nga dy gra,-i tha yzmetqari. -Dy gomerë gjobë!…

………………………….

Ca vite më vonë, u dha njoftimin: “Vdiq njeriu i letrave, Moisi Zaloshja…!”

Më thirri vajza, Eva: Shiko, o ‘ba! Paska vdekur miku yt, shkrimtari Moisi Zaloshnja! Ishte data 25 janar 1996.

Më erdhi shumë keq. M’u kujtua thënia e një dijetari:

“I madh është ai, që në bisedë me të, na bën të ndjehemi si të barabartë”.