Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Vaso Papaj

407
Sigal

Në intimitet

S’më ke kërkuar kurrë liri.
E dije:
Isha nga ata, që s’ka dashur
Me zinxhirë të lidh njeri.
Nga ti tek unë, nga unë tek ti,
ndjenja ka shkuar vet,
e lirë, e natyrshme, e vërtetë.

S’të kam kërkuar
Besnikëri dhe sinqeritet.
I shfaqte natyra jote vet,
Kur shpirti dashurinë
Me buzë e prekte lehtë.

Ke qenë
Një hënë, një yll, një diell,
Një oaz tërë fresk, det dhe qiell.
Një mal, një lum, që vrullshëm rrjedh.
Ku nuk pashë kurrë, kërkund
Një shtjellë.

Ç’ta zgjas kot,
Ti, më shumë se çdo gjë më do
Në këtë botë.
Si duket, Zoti s’ka pasur as për ty zinxhir.
Dhuratë tek unë të solli.
Dhe bëri mirë.

Shpend i ngujuar
Poetit martir Havzi Nela

Erdh’ pranvera, ëndrra jote,
Të kërkoj andej këtej.
Nuk lashë sheshe të kësaj toke,
Vëlla poet, kërkund s’të gjej.

Po kërkoj një rreze dielli,
Një të kthjellët, të flladitur.
Përmbi supe të t’përkëdheli,
Të të ngrohë shpirtin e fikur.

Përmbi bronz ca pika vese,
Të të njomin dhe qerpikun.
Tharë në pranga, pa mëngjese,
Vëlla poet, sa shumë ke pritur.

Robërinë të dhanë për nuse
Dhe të lanë pa vajzë, pa djalë.
Kostandin tërë jetën ngryse,
Për lirinë me besë mbi kalë.

Jo, poet, një tufë është pak,
Një kurorë do t’kesh prej meje.
Vargje shpirti bashkë me gjak,
Pse më rrjedhin kështu ndër deje?…

Vdekja për liri s’të tundi.
Shkrove vargje të pranguar.
Një tufan lubi s’të mundi,
Ah, poet, shpend i ngujuar.

Do t’a lidh këtu këtë shesh
Me litar në grykë shtërnguar.
Gjersa mal me bronz të jesh,
Në mes tij, lirinë në duar.

Më mungon, më ke munguar.
Dua të të shoh atje!
Të çlirosh lirinë e çmuar.
Vargu yt dhe detin ngre.

Me kravatë lidhur tek sytë,
Një litar varur në qiell,
Vëlla poet nuk ke të dytë,
Je një yll e je një diell.